Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë afat Turqisë që deri në fund të muajit korrik të vendosë mes blerjes së aeroplanëve amerikanë apo sistemit mbrojtës rus.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Patrick Shanahan, i ka vendosur ultimatum përmes një letre që ia ka dërguar homologut të tij turk, Hulusi Akar.
Përmes kësaj letre, Shanahan deklaroi se Turqia nuk mund t’i posedojë aeroplanët e avancuar amerikanë F-35 dhe sistemin rus S-400, i cili gjatë muajve të fundit ka nxitur tensione mes dy aleatëve të NATO-s.
SHBA-ja ka argumentuar se sistemi rus nuk përkon me sistemin mbrojtës të NATO-s dhe kërcënon sigurinë, transmeton KTV. Për këtë shkak dëshiron që Turqia ta blejë sistemin mbrojtës amerikan të njohur me emrin “Patriot”.
Turqia ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e 100 aeroplanëve F-35, derisa është marrë vesh edhe me Rusinë për sistemin raketor S-400.
Edhe
Turqia refuzon ultimatumet amerikane, i mbahet ujdisë raketore me Rusinë
Pentagoni beson se nëse Turqia blen aeroplanët amerikanë dhe sistemin rus – teknikisht do t’i gjente dobësitë e aeroplanëve – do t’i vinte në rrezik pilotët amerikanë.
Në letrën e Shanahanit thuhet se SHBA-ja është e zhgënjyer që ka mësuar se personeli turk është dërguar në Rusi për t’u stërvitur me sistemin S-400.
“Turqia nuk do t’i marrë aeroplanët F-35, nëse vendos për blerjen e sistemit S-400. Ende keni kohë që të tërhiqeni nga marrëveshja me Rusinë”, thuhet në ultimatumin e SHBA-së.
Shkaku i mosmarrëveshjes, aeroplanët ende nuk janë dërguar në Turqi dhe pilotët turq ende nuk janë stërvitur me këta aeroplanë, përkundër marrëveshjes që të udhëtojnë drejt SHBA-së për stërvitje.
E, gjatë javës së kaluar, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se shteti i tij ishte i vendosur për ta respektuar marrëveshjen e blerjes së sistemit rus S-400.
Sistemi S-400, i njohur me emrin “Triumf”, është njëri prej më të sofistikuarve në botë.
Edhe
Samiti i NATO-s në Turqi, cila pritet të jetë dhurata e Trumpit për Erdoganin?
Ka një rreze veprimi deri në 400 kilometra dhe posedon sistemin e integruar për rrëzimin e 80 caqeve në të njëjtën kohë.
Rusia kishte deklaruar se ky sistem mund t’i rrëzojë dronët më të vegjël e deri te raketat me rreze të gjatë veprimi.