(REUTERS) – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se do t’u kërkojnë diplomatëve kinezë të aplikojnë për aprovim në Departamentin e Shtetit para se të vizitojnë kampuset universitare amerikane dhe para se të organizojnë ngjarje kulturore me më shumë se pesëdhjetë persona jashtë përfaqësive diplomatike.
Veprimi i administratës amerikane ka ardhur si kundërvënie ndaj atyre që i konsideron kufizime vënë diplomatëve amerikanë në Kinë. Vendimi lidhet me ashpërsimin e masave të administratës së presidentit Donald Trump pas ngritjes së dyshimeve për ngritje të aktiviteteve kineze të ndikimit dhe spiunimit në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur gjithashtu se do të ndërmarrë veprime për t’u siguruar se të gjitha llogaritë virtuale të Ambasadës kineze të jenë “të identifikuara si duhet”. “Ne thjesht po kërkojmë reciprocitet. Qasja për diplomatët tanë në Kinë duhet të reflektojë qasjen që kanë gëzuar diplomatët kinezë në Shtetet e Bashkuara, dhe hapat e sotëm do të na shtyjnë neve në atë drejtim”, ka deklaruar sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në një konferencë për media.
Ishte hapi i fundit për kufizimin e aktivitetit kinez në territorin amerikan para zgjedhjeve presidenciale amerikane të nëntorit. Gjatë fushatës presidenti Trump ka ashpërsuar gjuhën kundër Kinës, duke e kthyer në cakun kryesor të sulmeve në kuadër të politikës së tij të jashtme. Pompeo ka thënë gjithashtu se Keith Krach, nënsekretar amerikan për Ngritje ekonomike në Departamentin e Shtetit, u ka shkruar së fundmi universiteteve amerikane lidhur me rrezikun që mund të përbëjë Partia Komuniste e Kinës.
Trumpi ka akuzuar OBSH-në se po mban anën e Kinës gjatë kohës kur sulmoi Pekinin zyrtar se nuk informoi me kohë lidhur me përhapjen e koronavirusit.
Një ditë më parë administrata e presidentit Trump tha se nuk do të angazhohet në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për të zhvilluar dhe shpërndarë një vaksinë kundër COVID-19, sepse “nuk dëshiron të kufizohet nga grupe shumëpalëshe si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)”, shkruan “Asocciated Press”.
Gazeta “Washington Post”, më 1 shtator, raportoi për vendimin amerikan që të angazhohen veçmas për vaksinën. Shtëpia e Bardhë në fillim të korrikut vendosi për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Presidenti Trump pretendon se OBSH-ja ka nevojë për reformë dhe është shumë e ndikuar nga Kina. Disa shtete në botë kanë punuar drejtpërdrejt për të siguruar furnizime të vaksinave, por të tjerët po bashkojnë përpjekjet për të pasur sukses kundër një sëmundjeje që nuk njeh kufij gjeografikë.