Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja sanksionon tre iranianë për sulme kibernetike

Tre iranianë janë sanksionuar dhe po akuzohen për hakim të sistemeve kompjuterike të disa organizatave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropës, Iranit dhe Izraelit, ka njoftuar të mërkurën Departamenti amerikan i Shtetit, shkruan “The Guardian”.

Sipas akuzave të paraqitura, cak i këtyre sulmeve ishin qeveritë lokale të SHBA-së, shërbimet rajonale në Misisipi dhe Indiana, kompanitë e kontabilitetit dhe një shoqatë avokatësh shtetërorë.

Derisa akuzat penale nuk bëjnë të ditur nëse hakerët e dyshuar kanë punuar për qeverinë iraniane, një deklaratë e veçantë e Departamentit të Thesarit të SHBA-së thotë se hakerët ishin të lidhur me Gardën Revolucionare Islamike – forcë iraniane e inteligjencës dhe sigurisë.

Javën e kaluar, SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj Ministrisë iraniane të Inteligjencës, duke akuzuar se është e lidhur me një sulm kibernetik në korrik ndaj Shqipërisë dhe ka qenë e përfshirë në aktivitete të tjera kibernetike kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Të pandehurit, Mansour Ahmadi, Ahmad Khatibi dhe Amir Hossein Nikaein, janë shtetas të Iranit të punësuar nga kompani private të teknologjisë në vend.

Hakerët e dyshuar kanë pak shanse për t'u arrestuar, pasi besohet se jetojnë të lirë në Iran, por akuzat do ta bëjnë të vështirë për ta të udhëtojnë apo të gjejnë punë jashtë vendit.

Sipas akuzave, tre të akuzuarit depërtuan në sistemet kompjuterike të një sërë biznesesh dhe qeverish midis tetorit të vitit 2020 dhe gushtit të këtij viti, koduan të dhënat e tyre dhe kërkuan pagesa në bitcoin deri në qindra mijëra dollarë.

Artikuj të ngjashëm