Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja sanksionon kompaninë kineze që kishte lidhje me Wagnerin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar një kompani kineze për gjoja sigurimin e imazheve satelitore të Ukrainës për të mbështetur operacionet luftarake të grupit mercenar Wagner për Rusinë.

Instituti i Kërkimeve të Shkencës dhe Teknologjisë Hapësinore “Changsha Tianyi” është në mesin e 16 enteve të goditura me sanksione nga Departamenti i Thesarit, ka raportuar BBC-ja të premten.

Firma, e njohur gjithashtu si Spacety China, ka zyra në Pekin dhe Luksemburg.

Wagner furnizon Rusinë me mijëra luftëtarë në luftën në Ukrainë.

Spacety China i kishte ofruar Terra Tech, një firme teknologjike me bazë në Rusi, imazhe satelitore të radarit me hapje sintetike (SAR) të vendndodhjeve në Ukrainë, tha në një deklaratë të enjten Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

"Këto imazhe u mblodhën për të mundësuar operacionet luftarake të Wagnerit në Ukrainë”, ka thënë ai.

Edhe Ukraina ka vendosur sanksione ndaj tri kompanive kineze Botë Ukraina ka vendosur sanksione ndaj tri kompanive kineze

Departamenti ka sanksionuar gjithashtu filialin e Spacety me bazë në Luksemburg.

Sipas sanksioneve, nuk mund të ketë transferim, pagesë ose eksport të ndonjë prone ose interesi në Shtetet e Bashkuara tek subjektet e synuara.

Kina, një aleate e ngushtë e Rusisë, është përpjekur të pozicionohet si një palë neutrale në lidhje me luftën në Ukrainë. Ajo është kritikuar nga SHBA-ja dhe aleatët e saj për refuzimin për të dënuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë.