Administrata e Bidenit filloi të dërgonte teste falas në shtëpi në janar, por ndaloi në shtator pasi u shpërndanë më shumë se 600 milionë teste, sepse Kongresi nuk miratoi fondet shtesë të nevojshme për vazhdimin e programit.
Familjet amerikane janë edhe një herë në gjendje të porosisin teste falas për Covid-19 në shtëpi, pasi qeveria përpiqet të kufizojë përhapjen e virusit këtë dimër.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se deri në katër teste të shpejta mund të porositen nga faqja e internetit e qeverisë CovidTests.gov.
Ajo ka bërë të ditur se programi i testimit, i cili u ndalua në shtator, do të rifillonte të enjten me dërgesat duke filluar nga java e 19 dhjetorit.
Vendimi vjen pasi infeksionet me Covid pritet të rriten përpara pushimeve dimërore.
Administrata e Bidenit filloi të dërgonte teste falas në shtëpi në janar, por ndaloi në shtator pasi u shpërndanë më shumë se 600 milionë teste, sepse Kongresi nuk miratoi fondet shtesë të nevojshme për vazhdimin e programit.
Mirëpo, qeveria tani po përdor fondet e mbetura nga Plani Amerikan i Shpëtimit, projektligji për lehtësimin e Covid që u miratua vitin e kaluar, për të paguar testet, i tha një zyrtar amerikan partnerit amerikan të BBC-së, CBS.
“Ne ndihemi të sigurt se do të kemi teste të mjaftueshme për të kaluar këtë raund, katër për familje, në javët e ardhshme,”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës.
Është pjesë e një plani më të gjerë të Shtëpisë së Bardhë për t’u përgatitur për Covid këtë dimër, kur disa amerikanë janë në një rrezik të shtuar të kapjes së virusit gjersa mblidhen brenda për pushime.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se shpreson të inkurajojë amerikanët që të bëjnë teste në shtëpi kur janë simptomatikë, para dhe pas udhëtimit për pushime dhe kur vizitojnë individë të ndjeshëm.
Rastet me Covid, vizitat në spital dhe vdekjet kanë filluar të rriten të gjitha javët e fundit.
Disa qytete u bëjnë thirrje amerikanëve që të mbajnë maska përsëri në hapësirat e brendshme për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve të frymëmarrjes, ndërsa zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u kanë kërkuar amerikanëve të marrin ilaçet më të fundit për Covid dhe grip.
Vetëm 13.5% e atyre të moshës pesë vjeç e lart në SHBA kanë marrë vaksinën e përditësuar të koronavirusit që synon variantin Omicron, sipas CDC-së.
Nënvariantet shumë ngjitëse të Omicronit - të cilat tani janë llojet dominuese të koronavirusit në SHBA - po kontribuojnë në rritjen e rasteve.
Përktheu: Blerta Haxhiu