Trumpi heq dorë nga tarifat në Hormuz, SHBA-ja përgatitet të rifillojë bllokadën e porteve të Iranit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ndryshuar planet e tij për të ngarkuar një taksë prej 20% për mallrat që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke thënë se vendet e Lindjes së Mesme do të bëjnë në vend të kësaj marrëveshje investimesh dhe tregtie me SHBA-në.
"Bazuar në biseda shumë produktive me udhëheqësit e Lindjes së Mesme, kam vendosur të zëvendësoj Tarifën e Rimbursimit prej 20% të Shteteve të Bashkuara, me Marrëveshje Tregtare dhe Investimesh që shtetet e ndryshme të Gjirit do të bëjnë në Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Trumpi në mediat sociale.
Presidenti ka shtuar se investimet "do të jenë masive", megjithëse është e paqartë nëse këto do të ishin angazhime të reja në lidhje me atë që Trumpi ka njoftuar pas një vizite vitin e kaluar në Lindjen e Mesme.
SHBA-ja ka nisur sulme ndaj Iranit të martën herët, disa orë pasi presidenti Trump është zotuar të rivendosë një bllokadë amerikane të porteve iraniane dhe t’u vendoste tarifa anijeve për kalim të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit. Irani është përgjigjur me sulme ndaj aleatëve të SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Shkëmbimi i fundit i sulmeve ka dëmtuar marrëveshjen e përkohshme që synonte të ndalonte luftimet, të rihapte rrugën ujore që është çelësi për furnizimet botërore me energji dhe t'u jepte negociatorëve kohë për të arritur një përfundim të përhershëm të luftës.
Në vend të kësaj, luftimet e kanë përfshirë përsëri rajonin, kanë kërcënuar ekonominë globale dhe kanë sjellë paralajmërime për linjat ajrore komerciale. Nëse nuk gjendet shpejt një zgjidhje diplomatike, ajo mund të intensifikohet në një luftë të përgjithshme.
Fokusi i konfliktit tani është ngushtica, përmes së cilës kalonte një e pesta e të gjithë naftës bruto dhe gazit natyror të tregtuar në kohë paqeje.
Irani në mënyrë efektive e ka mbyllur kalimin gjatë luftës duke sulmuar dhe kërcënuar anijet, një taktikë që provoi avantazhin e tij më të madh strategjik.
Kjo ka bërë që çmimi i naftës, plehrave dhe mallrave të tjera të rritej në një kohë kur udhëheqësit botërorë tashmë po përpiqeshin të adresonin kostot në rritje.
Nga memorandumi i mirëkuptimit te përplasja për Hormuzin – Çka po ndodh mes SHBA-së dhe Iranit?
Më 17 qershor, SHBA-ja dhe Irani kanë rënë dakord për një plan për t'i dhënë fund konfliktit, me një marrëveshje prej 14 pikash që përfshinte kalimin e sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit, zgjatjen e armëpushimit dhe fundin e bllokadës detare.
Shumë gjëra kanë ndryshuar nga atëherë deri tani, dhe më poshtë keni një përmbledhje:
26 qershor: SHBA-ja nis sulme të reja ndaj Iranit pasi presidenti Donald Trump akuzon vendin për një "shkelje të pamend" të armëpushimit të tij, pas një sulmi ndaj një anijeje mallrash në Ngushticën e Hormuzit
7 korrik: SHBA-ja nis afërsisht 80 sulme të tjera ndaj Iranit në përgjigje të sulmeve ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Irani synon bazat ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt
8 korrik: Trumpi shpall armëpushimin me Iranin "të mbaruar", duke e quajtur udhëheqjen e vendit "llum" dhe "të krisur".
11 korrik: Komanda Qendrore e SHBA-së thotë se gjatë tre netëve të asaj jave forcat amerikane goditën më shumë se 300 objektiva për të degraduar aftësinë e Iranit për të sulmuar marinarët civilë dhe anijet tregtare që kalonin nëpër ngushticë.
12 korrik: SHBA-ja nis valën e fundit të sulmeve ndaj Iranit pas sulmeve të mëtejshme në ngushticë, Irani hakmerret me disa sulme në bazat amerikane në rajon.
13 korrik: Uashingtoni thotë se do të rivendosë një bllokadë detare të porteve iraniane më 14 korrik, nga ora 16:00 me kohën amerikane, si dhe vendosjen e një tarife prej 20% për të gjitha ngarkesat e transportuara përmes Ngushticës së Hormuzit.
14 korrik: Ushtria amerikane thotë se ka kryer një valë tjetër sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane gjatë natës, nata e tretë radhazi e sulmeve. Emiratet e Bashkuara Arabe dënojnë sulmet e fundit të Iranit që synojnë anijet e mallrave që kalojnë Ngushticën e Hormuzit. Delhi zyrtar thërret ambasadorin iranian pasi sulmet e Teheranit vranë një detar indian dhe plagosën të tjerë.
Çmimi i naftës arrin nivelin më të lartë brenda katër javësh
Çmimet e naftës bruto kanë arritur nivelet më të larta në katër javë, ndërsa Uashingtoni dhe Teherani po vazhdojnë të shkëmbejnë sulme dhe SHBA-ja ka rivendosur një bllokadë detare ndaj Iranit.
Nafta bruto Brent është rritur me 3.79 dollarë për fuçi në 87.08 dollarë për fuçi, një rritje prej 4.55%, më e larta që nga 12 qershori.
SHBA-ja dhe Irani kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për t'i dhënë fund konfliktit më 17 qershor dhe janë angazhuar në negociata për një marrëveshje paqeje të përhershme.
Houthit godasin me raketa Arabinë Saudite
Houthit e Jemenit kanë thënë se kanë lëshuar raketa në aeroportin Abha në Arabinë Saudite jugperëndimore të hënën, në përgjigje të sulmeve ajrore në aeroportin e Sanaas, për të cilat fajësuan mbretërinë.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen, i cili mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të vendit, ka thënë se mbrojtja e saj ajrore "u përball" me raketat dhe nuk u raportuan viktima.
Houthit, të cilët kontrollojnë Jemenin veriperëndimor dhe mbështeten nga Irani, më parë kanë akuzuar Arabinë Saudite për "agresion të hapur", duke thënë se kishte goditur pistën e aeroportit të Sanaas.
Sulmi është marrë përsipër nga qeveria e Jemenit, e cila ka thënë se donte të parandalonte uljen e një aeroplani iranian.
Ky ishte përshkallëzimi më i madh në konfliktin kryesisht të fjetur midis Houthëve dhe Arabisë Saudite që kur një armëpushim joformal hyri në fuqi katër vjet më parë.
Jemeni është shkatërruar nga një luftë civile që filloi në vitin 2014, kur Houthit rrëzuan qeverinë nga kryeqyteti Sanaa. Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015, pasi koalicioni i shteteve arabe i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në një përpjekje për të rivendosur sundimin e qeverisë.
Luftat thuhet se kanë lënë më shumë se 150,000 të vdekur dhe kanë shkaktuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë, me më shumë se 22 milionë njerëz që kanë nevojë për një formë ndihme, sipas OKB-së.
Të hënën pasdite, pamjet në mediat sociale treguan re tymi që ngriheshin mbi çatitë në Sanaa pas sulmeve në aeroportin ndërkombëtar të qytetit.
Televizioni al-Masirah i Houthëve ka raportuar se "pistat e nisjes dhe uljes" ishin në shënjestër.
Qeveria jemenase e njohur ndërkombëtarisht, e cila është e vendosur në portin jugor të Adenit, ka thënë se forcat e saj kishin kryer sulmet mes një mosmarrëveshjeje mbi aeroplanin e përdorur nga një delegacion Houthësh që kthehej nga Irani pas funeralit të udhëheqësit të ndjerë suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Aeroplani iranian duhej të devijonte dhe më vonë është ulur në qytetin Hudaydah të Detit të Kuq, rreth 150 km në jugperëndim, sipas rebelëve Houthi.
Për më shumë se një dekadë, avionët që hynin në hapësirën ajrore të Jemenit kanë kërkuar leje nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili thotë se po vepron me kërkesë të qeverisë jemenase.
Çka po ndodh në Ngushticën e Hormuzit?
Ngushtica e Hormuzit edhe njëherë ka marrë vëmendjen e botës, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se do të rikthejnë bllokadën për anijet që shkojnë drejt apo dalin nga portet e Iranit. Vendimin SHBA-ja e arsyetoi me sulmet iraniane ndaj anijeve javëve të fundit.
Bllokada: Ushtria e SHBA-së do të nisë bllokadën nga e marta (në mesnatë sipas kohës lokale në Kosovë). Bllokada fillestare pati zgjatur nga 13 prilli deri më 18 qershor, para se Washingtoni e Teherani të nënshkruanin marrëveshjen e mirëkuptimit për të punuar drejt përfundimit të luftës.
Tarifa: Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar se SHBA-ja mund të vendosë tarifë prej 20 për qind për mbrojtjen e anijeve që të kalojnë rrugën sigurt në Ngushticë. Ai nuk ka ofruar detaje se si do të funksiononte kjo apo se kur do të hynte në fuqi. Ngushtica është rrugë ujore ndërkombëtare ku anijet kanë të drejtën e kalimit të lirë dhe tarifa mund të mos vlejë apo mund të mos ketë shtet që është i gatshëm ta paguajë, sipas ekspertëve që kanë folur për CNN-in.
Komentet e Rubios: Administrata Trump më herët pati thënë se anijeve duhet mundësuar kalimi tranzit pa shpenzuar asnjë tarifë. Vetëm muajin e shkuar, sekretari Marco Rubio, ka përsëritur idenë e vendosjes së tarifave duke e quajtur “të pazbatueshme” dhe “të pamundur për t’u zbatuar”.
Përgjigja e Iranit: Diplomati kryesor i Iranit ka përqeshur propozimin e Trumpit duke insistuar se Irani duhet të jetë pala që mbledh tarifën. “20 për qind sigurisht se është shumë. Ne do të jemi më të drejtë”, ka shkruar ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi në X.
Reagime botërore: Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) ka thënë se kalimi në ngushticë duhet të “mbetet falas nga tarifat, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Reagimi i tregjeve: Çmimi i naftës u rrit ndjeshëm pas njoftimit të Trumpit. Nafta “brent” u shtrenjtua për 7.1 për qind, ndërsa ajo amerikane për 7.2 për qind. Të dyja prekën nivelin më të lartë që nga 15 qershori.
SHBA-ja kryen sulme për natën e tretë rresht, Irani përgjigjet
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer sulme ndaj Iranit për natën e tretë rresht. Dy tankerë u hodhën në erë në Ngushticën e Hormuzit, pasi presidenti Donald Trump u zotua se Washingtoni do ta kthejë bllokadën ndaj anijeve iraniane në Gji dhe do të vendosë tarifë për anijet që duan të kalojnë.
Komanda Qendrore Amerikane ka njoftuar se me urdhër të presidentit ka kryer sulmet.
Menjëherë pas kësaj, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar se raketat iraniane kanë goditur dy tankerë nafte teksa po kalonin në ujërat e Omanit. Si pasojë e tyre një pjesëtar i stafit ka vdekur e tetë janë lënduar.
Një ditë më parë, presidenti Trump u zotua se do ta hapë ngushticën “me ose pa Iranin”. Ai po ashtu njoftoi se SHBA-ja do të nisë të vendosë tarifë 20 për qind për mallrat që kalojnë tranzit, në mënyrë që të ofrojë sigurinë për anijet.
Komandat ushtarake iraniane ka thënë se SHBA-ja nuk ka rol në Ngushticë e se s’do t’ia lejojë intervenimin. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqhchi, ka shkruar në X se Irani do të jetë “përgjithmonë” gardian i ngushticës teksa për komente e Trumpit ka thënë se “20 për qind sigurisht është shumë, ne do të jemi më të drejtë”.