Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja dhe Irani pajtohen për armëpushim dyjavor dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit

Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar në orët e para të së mërkurës me kohën e Kosovës se pajtohet me një armëpushim dyjavor të propozuar midis SHBA-së dhe Iranit nëse trafiku i anijeve lejohet të lëvizë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Izraeli ka njoftuar po ashtu se mbështet vendimin e Trumpit për të pezulluar sulmet ndaj Iranit, por ka shtuar se armëpushimi dyjavor "nuk përfshin Libanin". Armëpushimi erdhi pak më shumë se një orë para afatit të Trumpit që Irani të bëjë një marrëveshje ose përndryshe "një qytetërim i tërë do të vdesë". Pakistani, i cili ka vepruar si ndërmjetës, ka ftuar të dyja palët për bisedime në Islamabad të premten. Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm që nga njoftimi i armëpushimit, duke u tregtuar tani nën 100 dollarë për fuçi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Armëpushim i brishtë në Lindjen e Mesme

1 j. më parë / 8 pri 2026 23:02
Ngushtica e Hormuzit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Irani që ta rihapë Ngushticën e Hormuzit pasi Republika Islamike e mbylli si përgjigje ndaj sulmeve të vazhduara të Izraelit ndaj grupit Hezbollah në Liban. Lëvizja e fundit ka nxitur dilema nëse një armëpushim i dakorduar dyjavor për t’i dhënë fund luftës do të mbetet në fuqi.

Irani e ka akuzuar SHBA-në për shkelje të tri klauzolave të kornizës për marrëveshje.

Armëpushimi i paraparë për dy javë, zgjati pa prishje të qetësisë për vetëm disa orë. Ai kishte dispozitë në marrëveshje edhe rihapjen e përkohshme të kanalit vendimtar detar.

Në fakt, ngushtica ka mbetur e mbyllur dhe trafiku nuk është rritur fare pas shpalljes së armëpushimit.

SHBA-ja dhe Irani të dyja shpallën fitore pas arritjes së marrëveshjes, dhe liderët botërorë uruan, edhe pse më shumë dronë e raketa goditën Iranin dhe vendet arabe të Gjirit. Izraeli i intensifikoi sulmet mbi Liban, duke goditur disa zona tregtare dhe banesore në Bejrut pa paralajmërim. Të paktën 112 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në një nga ditët më vdekjeprurëse në luftën e fundit Izrael-Hezbollah.

Dhuna e re ka kërcënuar ta prishë atë që zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, e ka quajtur “marrëveshje të brishtë”.

“Agresioni kundër Libanit, është agresion ndaj Iranit”, ka thënë komandanti i hapësirës ajrore të Gardës Revolucionare të Iranit, Seyed Majid Mousavi, në një shkrim në “X”. Ai ka paralajmëruar se forcat iraniane po përgatitin “përgjigje të ashpër”, pa ofruar detaje.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka insistuar se fundi i luftës në Liban ishte pjesë e marrëveshjes së armëpushimit. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë thënë se marrëveshja nuk e përfshin Libanin.

“Bota po i sheh masakrat në Liban”, ka thënë ai në një shkrim në “X”. “Topi është në anën e SHBA-së dhe bota po vëzhgon se si do të veprojë në përputhje me zotimet e saj”.

Ndërkaq zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë se raportimet për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit “janë tërësisht të papranueshme”. Ajo ka përsëritur “pritjet dhe kërkesën” e Trumpit që ngushtica të rihapet.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë se forcat amerikane dhe izraelite kanë arritur “fitore” dhe se ushtria e Iranit më nuk paraqet kërcënim të theksuar për forcat amerikane në rajon. Ndërkaq forcat iraniane kanë thënë se kanë arritur ta detyrojnë Izraelin dhe SHBA-në të pranojnë “kushtet e propozuara dhe të dorëzohen”.

Shumë gjëra rreth marrëveshjes së njoftuar në orët e para të së mërkurës, mbetën të paqarta. Palët paraqitën vizione shumë të ndryshme të kushteve.

Irani ka thënë se marrëveshja do t’ia lejonte zyrtarizimin e një praktike të re të tarifimit të anijeve që kalojnë në ngushticë – korridorin e rëndësishëm nga i cili kalon 20 për qind e naftës së botës. Por detajet ishin të paqarta e as nuk dihej nëse anijet do të ndiheshin të sigurta për ta përdorur kanalin, apo edhe nëse trafiku ka filluar. Gjithashtu nuk ishte e qartë nëse ndonjë shtet tjetër është dakorduar me këtë kusht. Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trumpi ishte kundër tarifave për kalimin e anijeve nëpër ngushticë.

Pakistani, që ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes dhe të tjerët thanë se luftimet do të ndaleshin në Liban, aty ku Izraeli ka nisur ndërhyrje tokësore kundër grupit militant Hezbollah, të mbështetur nga Irani. Izraeli ka thënë se kjo s’do të ndodhte dhe e goditi Bejrutin.

Fati i programeve raketore dhe bërthamore të Iranit – eliminimi i të cilave ishin ndër qëllimet kryesore të SHBA-së dhe Izraelit për të hyrë në luftë – mbeti gjithashtu i paqartë. Trumpi ka thënë se do të punojnë me Iranin për ta hequr uraniumin e pasuruar, por Irani nuk e ka konfirmuar këtë.

Fillimisht Trumpi ka njoftuar se Irani ka propozuar një “plan 10 pikësh” për të ndihmuar në dhënien fund të luftës së nisur më 28 shkurt. Por kur versioni doli në persisht, e që tregonte se Iranit i lejohej vazhdimi i pasurimit të uraniumit, Trumpi tha se bëhet fjalë për mashtrim pa dhënë detaje të tjera.

Vance më vonë u shpreh se marrëveshja po keqinterpretohet brenda Iranit.

Orët e tensionuara erdhën ende pa u bërë një ditë e plotë qëkur bota përjetoi qetësi. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në orët e para të së mërkurës njoftoi se ka rënë dakord për një armëpushim dyjavor me Iranin, më pak se dy orë përpara afatit që i vendosi Teheranit për ta rihapur Ngushticën e Hormuzit ose do të pasonte ajo që ai e ka quajtur “Vdekje e një civilizimi”.

Marrëveshja e armëpushimit u njoftua se ka afat prej dy javësh dhe ajo u ndërmjetësua nga Pakistani.

“Një ditë e madhe për paqen botërore! Irani e dëshiron këtë, ata kanë pasur mjaft! Po ashtu edhe të gjithë të tjerët! Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë me menaxhimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit. Do të ketë shumë veprime pozitive dhe mundësi të mëdha për të bërë para. Irani mund të nisë procesin e rindërtimit. Ne do të furnizohemi me çdo lloj materiali dhe do të qëndrojmë të pranishëm për t’u siguruar që gjithçka shkon mirë. Jam i sigurt se do të shkojë ashtu. Ashtu si po ndodh në SHBA, kjo mund të jetë Epoka e Artë e Lindjes së Mesme”, ka shkruar Trump në Truth Social.

E presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, qe shprehur se armëpushimi i shpallur mëngjesin e së mërkurës është në përputhje me kërkesat e përgjithshme të vendit të tij.

“Armëpushimi, me pranimin e parimeve të përgjithshme që dëshironte Irani, është fryt i gjakut të udhëheqësit tonë martir, Khamenei, dhe rezultat i pranisë së të gjithë popullit në skenë. Nga sot e tutje, ne do të qëndrojmë gjithashtu bashkë. Qoftë në fushën e diplomacisë, qoftë në fushën e mbrojtjes, qoftë në rrugë, apo në fushën e ofrimit të shërbimeve”, ka shkruar në X presidenti iranian.

Presidenti amerikan në një prej postimeve të tij në rrjetin “Truth Social” ka thënë se armëpushimi u arrit pasi SHBA-ja pranoi një plan 10-pikësh të Iranit, të cilin e ka cilësuar të realizueshëm nga të dyja palët.

Sipas raportimeve nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve “FARS”, propozimi i Teheranit përfshin pika që lidhen me Ngushticën e Hormuzit, heqjen e sanksioneve globale dhe zotimin për të mos pasur armë bërthamore.

Trump po ashtu ka thënë se SHBA-ja do të punojë me Iranin për të “gërmuar dhe hequr” uraniumin e pasuruar që u varros si pasojë e sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael verën e shkuar. Ai pati shkruar në Truth Social se nuk do të ketë pasurim të uraniumit dhe se asnjë nga materialet nuk është prekur që nga sulmet e qershorit të vitit të shkuar.

Presidenti amerikan gjithashtu pati lëshuar një paralajmërim për vendet që e furnizojnë Iranin me armë. Sipas tij, SHBA-ja do të vendosë tarifë prej 50% ndaj mallrave të vendeve që i shesin armë Iranit.

E, Pakistani që ka vepruar si ndërmjetës, ka ftuar të dyja palët për bisedime në Islamabad qysh të premten. Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, ka thënë të mërkurën se Irani ka konfirmuar se do të marrë pjesë në bisedimet me Shtetet e Bashkuara. Shtëpia e Bardhë ka thënë po ashtu se Vance do ta udhëheqë një ekip negociator të SHBA-së në Pakistan, me qëllim fundin e luftës.

Edhe zyrtarë të disa prej shteteve kryesore në botë patën reagime me lehtësime pas raportimeve për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit dyjavor. Ministria e Jashtme e Irakut ka thënë se “e vlerëson këtë si një zhvillim që mund të kontribuojë në uljen e tensioneve, rritjen e mundësive për de-eskalim dhe forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”. Udhëheqësit evropianë, përfshirë kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, e mirëpritën marrëveshjen e armëpushimit. “Së bashku me partnerët tanë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur dhe ruajtur këtë armëpushim, ta shndërrojmë atë në një marrëveshje të qëndrueshme dhe të rihapim Ngushticën e Hormuzit”, ka thënë Starmer për të cilin Downing Street ka njoftuar se do të udhëtojë për në Lindjen e Mesme. Omani, një bashkëbisedues kyç, ka thënë se e mirëpriti njoftimin e armëpushimit dhe përgëzoi rolin e Pakistanit në ndërmjetësim, sipas një deklarate nga Ministria e saj e Jashtme. Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se njoftimi ishte lajm pozitiv, duke i thënë Sky News se Australia shpreson që ai të çojë në një depërshkallëzim të përhershëm dhe në fund të konfliktit. Albanese gjithashtu ka kritikuar retorikën e mëparshme të Trumpit, duke thënë se “potenciali i dëmtimit të infrastrukturës civile në Iran ishte një deklaratë e jashtëzakonshme për t'u bërë”. Egjipti e ka quajtur armëpushimin “një hap pozitiv drejt uljes së tensioneve dhe përmbajtjes së tensioneve rajonale”. Sekretari kryesor i kabinetit të Japonisë, Minoru Kihara, ka thënë se “Ajo që është më e rëndësishme tani është që situata të qetësohet vërtet, duke përfshirë sigurimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit”. Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje “të gjitha palëve të përmbushin detyrimet e tyre” dhe “t’u përmbahen kushteve” të marrëveshjes, sipas një deklarate nga zëdhënësi i tij.

Vance thotë se janë paraqitur tri propozime të ndryshme 10-pikëshe për Iranin

1 j. më parë / 8 pri 2026 22:22
JD Vance

Photo: Associated Press

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka thënë se u ka shkuar një propozim 10-pikësh ndryshe nga ai që ishte paraqitur fillimisht nga Irani. E madje ka përmendur edhe një të tretë.

Ai ka thënë se ishte një propozim tjetër me 10 pika që ishte më i arsyeshëm dhe që mund të diskutohej mes SHBA-së, Iranit dhe Pakistanit si ndërmjetës. Këtij propozimi Vance ka thënë se i referohej edhe presidenti Donald Trump, raportoi CNN. 

“Propozimi i parë me 10 pika ishte diçka që u dorëzua, ne mendojmë se me gjasë është shkruar nga ChatGPT, që iu paraqit Steve Witkoffit dhe Jared Kushnerit, por menjëherë u hodh në plehra dhe u refuzua”, ka thënë ai.

Vance ka folur edhe për një propozim të tretë 10-pikësh, të cilin ka thënë se e ka parë në media dhe e ka quajtur edhe më të papranueshëm se të parin.

Ministri iranian: SHBA-ja të zgjedhë – armëpushim ose luftë

1 j. më parë / 8 pri 2026 21:50
araghchi

Photo: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të zgjedhin mes armëpushimit ose luftës së vazhdueshme “përmes Izraelit”, ka thënë ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, pas sulmeve masive në Liban nga Izraeli.

Araghchi ka theksuar se kushtet e përcaktuara në marrëveshjen për armëpushimin dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit janë “të qarta dhe eksplicite”.

Ministri iranian në një postim në X ka bashkëngjitur edhe marrëveshjen e armëpushimit ku thuhet se si kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka deklaruar se Libani do të përfshinte Libanin.

“SHBA-ja duhet të zgjedhë – armëpushim ose vazhdim të luftës përmes Izraelit. Nuk mund t’i ketë të dyja”, ka shkruar ai duke shtuar se “bota i sheh masakrat në Liban”.

“Topi është në fushën e SHBA-së dhe bota po shikon nëse ajo do të veprojë sipas përkushtimeve të saj”.

Trumpi tha se do ta fshinte Iranin, Shtëpia e Bardhë: Retorika e tij e fortë po sjell rezultat

1 j. më parë / 8 pri 2026 21:37
Donald Trump

Photo: Associated Press

Shtëpia e Bardhë ka mbrojtur kërcënimin e presidentit Donald Trump për ta shkatërruar një civilizim të tërë të Iranit, teksa zëdhënësja për shtyp Karoline Leavitt u ka thënë gazetarëve se “retorika e tij shumë e fortë dhe stili i tij i fortë i negociatave janë ato që kanë sjellë rezultatin që po e shihni sot”.

Ajo shtoi më pas se bota duhet ta marrë seriozisht fjalën e tij. 

Ndërkaq, Leavitt ka ritheksuar sërish se Libani nuk është pjesë e marrëveshjes së brishtë të armëpushimit dyjavor midis SHBA-së dhe Iranit, ndërsa Izraeli kryen sulmet më të mëdha ndaj vendit.

Leavitt është pyetur nga gazetarët  nëse presidenti Donald Trump do të dëshironte që të përfshihej Libani në një marrëveshje të ardhshme, e ajo sugjeroi se bisedimet do të vazhdonin midis Trumpit dhe Netanyahut.

“Libani nuk është pjesë e armëpushimit. Kjo është komunikuar me të gjitha palët e përfshira në armëpushim. Siç e dini, kryeministri Netanyahu dha një deklaratë mbrëmë në mbështetje të armëpushimit dhe përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara, dhe gjithashtu i ka garantuar presidentit se do të vazhdojnë të jenë partner i dobishëm gjatë dy javëve të ardhshme”, ka thënë Leavitt, gjatë konferencës për shtyp të mërkurën.

Uraniumi i pasuruar i Iranit është prioritet kryesor për presidentin Donald Trump, ndërsa negociatat me Teheranin hyjnë në fazën tjetër, njoftoi tutje ajo.

“Ky është në krye të listës së prioriteteve për presidentin dhe ekipin e tij të negociatave në këtë raund diskutimesh”, u tha gazetarëve Leavitt, duke theksuar se uraniumi i pasuruar i Iranit është një “vijë e kuqe” nga e cila Trump nuk do të tërhiqet.

 

Kërcënohet armëpushimi: Izraeli zgjeron sulmet në Liban, Irani mbyll Ngushticën e Hormuzit

1 j. më parë / 8 pri 2026 21:22
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Irani që ta rihapë Ngushticën e Hormuzit pasi Republika Islamike e mbylli si përgjigje ndaj sulmeve të vazhduara të Izraelit ndaj grupit Hezbollah në Liban. Lëvizja e fundit ka nxitur dilema nëse një armëpushim për t’i dhënë fund luftës do të mbetet në fuqi.

Irani e ka akuzuar SHBA-në për shkelje të tri klauzolave të kornizës për marrëveshje.

Armëpushimi i paraparë për dy javë, zgjati disa orë. Ai kishte dispozitë në marrëveshje edhe rihapjen e përkohshme të kanalit vendimtar detar.

Në fakt, ngushtica ka mbetur e mbyllur dhe trafiku nuk është rritur menjëherë pas shpalljes së armëpushimit.

SHBA-ja dhe Irani të dyja shpallën fitore pas arritjes së marrëveshjes, dhe liderët botërorë uruan, edhe pse më shumë dronë e raketa goditën Iranin dhe vendet arabe të Gjirit. Izraeli i intensifikoi sulmet mbi Liban, duke goditur disa zona tregtare dhe banesore në Bejrut pa paralajmërim. Të paktën 112 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në një nga ditët më vdekjeprurëse në luftën e fundit Izrael-Hezbollah.

Dhuna e re ka kërcënuar ta prishë atë që zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, e ka quajtur “marrëveshje të brishtë”.

“Agresioni kundër Libanit, është agresion ndaj Iranit”, ka thënë komandanti i hapësirës ajrore të Gardës Revolucionare të Iranit, Seyed Majid Mousavi, në një shkrim në “X”. Ai ka paralajmëruar se forcat iraniane po përgatisin “përgjigje të ashpër”, pa ofruar detaje.

Irani ndalon trafikun e naftës nëpër Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve në Liban

1 j. më parë / 8 pri 2026 18:41
hormuz

Foto: CNN

Irani po ndalon trafikun e anijeve të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, pas sulmit të Izraelit në Liban, raportoi agjencia iraniane e lajmeve Fars.

Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, ka thënë më parë se Libani ishte përfshirë në armëpushimin mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por ushtria izraelite deklaroi se sulmet ndaj Hezbollahut në Liban do të vazhdonin.

Të mërkurën Izraeli ka kryer ato që i quajti sulmet më të mëdha ndaj Libanit që nga fillimi i luftës.

Agjencia Fars raportoi se dy anije nafte janë lejuar të kalojnë ngushticën që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.

 

Irani s’i beson SHBA-së, thotë se do t’u qaset bisedimeve me shumë kujdes

1 j. më parë / 8 pri 2026 15:41
Ali Bahreini

Irani do t'u qaset bisedimeve të paqes me SHBA-në me më shumë kujdes se në të kaluarën për shkak të një mungese të thellë besimi, teksa lufta do të ndikojë në regjimin e ardhshëm ligjor të Ngushticës së Hormuzit, ka thënë të mërkurën ambasadori i Iranit në OKB, Ali Bahreini.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rënë dakord për një armëpushim dyjavor të ndërmjetësuar nga Pakistani, duke pezulluar një luftë gjashtëjavore që ka vrarë mijëra njerëz, është përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme dhe ka shkaktuar ndërprerje të paprecedentë të furnizimeve me energji në botë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar marrëveshjen të martën vonë, dy orë para afatit që ai i kishte vendosur Iranit për të hapur Ngushticën e bllokuar të Hormuzit ose do të përballej me shkatërrimin e "të gjithë qytetërimit të tij".

"Ne nuk po i besojmë aspak palës tjetër. Forcat tona ushtarake po e mbajnë gatishmërinë e tyre... por ndërkohë, do të shkojmë në negociata për të parë se sa serioze është pala tjetër", ka thënë ambasadori, Bahreini, për Reuters.

Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, ka thënë se kishte ftuar delegacionet iraniane dhe amerikane të takoheshin në Islamabad të premten, që do të ishin bisedimet e para zyrtare të paqes që nga fillimi i luftës, dhe se presidenti i Iranit kishte konfirmuar se do të merrte pjesë.

Bisedimet e mëparshme bërthamore në Gjenevë në fund të shkurtit përfunduan pa ndonjë përparim, dhe ishin planifikuar të rifillonin javën pasuese në Vjenë përpara se SHBA-ja dhe Izraeli të nisnin sulme të përbashkëta ndaj Iranit dy ditë më vonë.

"Për shkak të kësaj arsyeje, gjithçka tani është e përkohshme. Edhe marrëveshjet për Ngushticën e Hormuzit janë të përkohshme", ka thënë Bahreini.

Hegseth: SHBA-ja ishte gati ta zbatonte kërcënimin e Trumpit për “fundin e qytetërimit”

1 j. më parë / 8 pri 2026 15:10
Pete Hegseth

Photo: Associated Press

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka thënë se SHBA-ja kishte planifikuar të godiste disa objektiva në Iran, duke përfshirë urat dhe termocentralet, nëse marrëveshja e armëpushimit nuk do të arrihej të martën.

Kur u pyet gjatë një konference për shtyp të mërkurën në lidhje me kërcënimin e presidentit Donald Trump nga mëngjesi i së martës se "një qytetërim i tërë do të vdiste" nëse nuk do të arrihej një marrëveshje dhe nëse presidenti do të ishte i përgatitur ta bënte këtë, Hegseth ka thënë se ata kishin vendosur një objektiv të caktuar, të infrastrukturës, urave, termocentraleve.

"Ata e dinin saktësisht fushëveprimin e asaj që ishim të aftë të bënim”, ka thënë Hegseth duke iu referuar Iranit. 

Sipas tij, ishte paralajmërimi i Trumpit ai që e solli Iranin në tryezën e negociatave dhe në fund çoi në një armëpushim dyjavor.

“(Trump) në fund tha: ‘Mund t’jua marrim të gjitha. Aftësia juaj për të eksportuar energji do të hiqet dhe ushtria e Shteteve të Bashkuara ka aftësinë t’i godasë ato gjëra pa u ndëshkuar’. Ky lloj kërcënimi i çoi ata në atë pikë ku ata në fakt thanë: ‘Hej, në rregull, ne duam ta bëjmë këtë marrëveshje’”, u ka thënë Hegseth gazetarëve.

Trumpi zgjodhi mëshirën, thotë shefi i Pentagonit

1 j. më parë / 8 pri 2026 14:49
Pete Hegseth

Photo: Associated Press

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se Irani e ka pranuar armëpushimin duke qenë “nën presion të madh”.

Në një konferencë për media të mërkurën, ai ka thënë se nëse Irani do t'i kishte refuzuar kushtet e Uashingtonit, atëherë "objektivat e radhës do të kishin qenë termocentralet e tyre, urat e tyre dhe infrastruktura e naftës dhe energjisë".

Iranit do t'i duheshin dekada për ta rindërtuar, ka shtuar ai, por udhëheqësi i regjimit e pranoi se një marrëveshje ishte më e mirë.

"Presidenti Trump kishte fuqinë për të paralizuar të gjithë ekonominë e Iranit brenda pak minutash, por ai zgjodhi mëshirën", ka thënë Hegseth.  

Shefi i Pentagonit po ashtu ka deklaruar se SHBA-ja nuk do të shkojë askund dhe se do të përkujdeset që Irani t’i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit. 

I pyetur nëse dorëzimi i uraniumit të pasuruar nga Irani është një "çështje e panegociueshme" për SHBA-në, Hegseth përgjigjet se gjithmonë ka qenë e panegociueshme që Irani të mos ketë armë bërthamore.

Ai ka deklaruar se Irani ose do ta dorëzojë materialin e pasuruar vullnetarisht ose SHBA-ja ka mundësinë për të reaguar në një mënyrë të ngjashme me "Midnight Hammer", operacionin e përbashkët SHBA-Izrael të vitit 2025 në të cilin u bombarduan vendet bërthamore.

Hegseth është pyetur gjithashtu nëse regjimi aktual në Teheran është i ndryshëm nga regjimi i 47 vjeëve të mëparshme.

Ai i është referuar përsëri një liste figurash të larta që janë vrarë gjatë fushatës.

"Është një grup i ri njerëzish", ka thënë ai, duke shtuar se grupi aktual “bën një llogaritje të re rreth asaj që do të thotë të negociosh" me SHBA-në.

Hegseth ka deklaruar po ashtu se armëpushimi dyjavor ofron shans të mirë për paqe dhe marrëveshje të vërtetë. 

Pezeshkian: Armëpushimi, në përputhje me parimet e përgjithshme të Teheranit

1 j. më parë / 8 pri 2026 14:03
Masoud Pezeshkian

Photo: Associated Press

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka thënë se armëpushimi i shpallur mëngjesin e së mërkurës është në përputhje me "kërkesat e përgjithshme të dëshiruara" nga Teherani.

Në një shkrim në X, Pezeshkian ka thënë se “armëpushimi, me pranimin e parimeve të përgjithshme të dëshiruara nga Irani, ishte fryt i gjakut të udhëheqësit tonë martir, të të madhit Khamenei dhe rezultat i pjesëmarrjes së të gjithë njerëzve në arenë”. 

“Nga sot ne do të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku, qoftë në fushën e diplomacisë, në mbrojtje, në rrugë apo në fushën e shërbimit publik”, ka shtuar Pezeshkian.

Ai u bashkohet zyrtarëve të tjerë iranianë që e kanë shpallur marrëveshjen e armëpushimit një fitore për Iranin. 

Zëvendëspresidenti i parë i Iranit, Mohammad Reza Aref, ka shkruar në X se "epoka e Iranit ka filluar", ndërsa KAëshilli suprem i sigurisë kombëtare i Iranit ka thënë se SHBA-ja "ka pësuar një disfatë të pamohueshme, historike dhe dërrmuese".

Trumpi ka një paralajmërim për vendet që e furnizojnë Iranin me armë

1 j. më parë / 8 pri 2026 13:44
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim për vendet që e furnizojnë Iranin me armë, disa orë pas arritjes së armëpushimit dyjavor.

Në një postim në Truth Social, ai ka shkruar se SHBA-ja do të vendosë tarifë prej 50% ndaj mallrave të vendeve që shesin armë për Iranin.

“Një vend që furnizon Iranin me armë ushtarake do të tarifohet menjëherë me 50% për çdo mall të shitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk do të ketë përjashtime”, ka shkruar ai.

Deklarata e tij është bërë pak minuta pasi në një postim tjetër në Truth Social, ai kishte shkruar se SHBA-ja do të punojë me Iranin për të “gërmuar dhe hequr” uraniumin e pasuruar që u varros nën sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael verën e kaluar.

Por Irani nuk e ka konfirmuar atë që kaë thënë presidenti amerikan. 

Trumpi thotë se SHBA-ja do të punojë me Iranin për të “gërmuar” uraniumin e pasuruar

1 j. më parë / 8 pri 2026 13:39
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë të mërkurën se SHBA-ja do të punojë me Iranin për të “gërmuar dhe hequr” uraniumin e pasuruar që u varros si pasojë e sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael verën e kaluar.

Trumpi ka thënë në Truth Social se “nuk do të ketë pasurim të uraniumit” dhe se asnjë nga materialet nuk është prekur që nga sulmet e qershorit.

Ai më parë ka thënë se SHBA-ja do ta rimarrë materialin e varrosur thellë, gjë që pritet të jetë një ndërmarrje intensive, nëse arrihet një marrëveshje me Iranin.

“Ne po flasim dhe do të flasim për lehtësimin e tarifave dhe sanksioneve me Iranin”, ka shtuar Trumpi.

Megjithëse Trump kishte thënë të martën se SHBA-ja e sheh një propozim armëpushimi prej 10 pikash nga Irani “të zbatueshëm”, presidenti të mërkurën sugjeroi se shumë nga pikat në planin e tij prej 15 pikash, të cilat Irani i kishte refuzuar, tashmë ishin rënë dakord.

Irani nuk e ka thënë këtë, as nuk e ka konfirmuar se do të bashkëpunojë me SHBA-në për të rimarrë uraniumin e varrosur.

Irani ia konfirmon Pakistanit pjesëmarrjen në bisedimet me SHBA-në

1 j. më parë / 8 pri 2026 12:30
Shehbaz Sharif

Photo: Associated Press

Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, ka thënë të mërkurën se Irani ka konfirmuar se do të marrë pjesë në bisedimet me Shtetet e Bashkuara të premten në Islamabad.

Nuk është bërë e ditur ende se kush do ta përfaqësojë Teheranin në negociata.

Zyra e Sharif ka thënë se ka folur për më shumë se 45 minuta me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, duke falënderuar udhëheqjen e Iranit për rënien dakord për një armëpushim dhe pranimin e ofertës së Pakistanit për të pritur bisedimet.

Pezeshkian ka falënderuar Pakistanin për përpjekjet e tij dhe i përcolli urimet e tij më të mira popullit të vendit, ka thënë zyra. 

SHBA-ja dhe Irani janë pajtuar të martën vonë për një armëpushim dyjavor dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit. 

Irani thotë se i është sulmuar rafineria në Ishullin Lavan pas armëpushimit

1 j. më parë / 8 pri 2026 12:21
Ishulli Lavan

Një rafineri nafte në Ishullin Lavan të Iranit është sulmuar të mërkurën, disa orë pasi është shpallur armëpushimi në luftë, ka raportuar televizioni shtetëror iranian.

Raporti ka thënë se sulmi ka ndodhur në orën 10 të mëngjesit të së mërkurës.

Nuk është bërë e ditur se kush e ka nisur sulmin, por është raportuar se nuk ka të lënduar. 

Vance e quan “të brishtë” armëpushimin me Iranin

1 j. më parë / 8 pri 2026 12:08
JD Vance

Photo: Associated Press

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili ndihmoi në orët e fundit të negociatave që rezultuan në një armëpushim me Iranin, e ka quajtur marrëveshjen një "armëpushim të brishtë" që i kishte mësuar shumë për sistemin iranian.

Duke folur nga Budapesti ku po qëndron nga e marta për të mbështetur kryeministrin Viktor Orban për zgjedhjet e 12 prillit, Vance ka thënë se përgjigjja nga Irani kishte ndryshuar në varësi të grupit brenda qeverisë. 

Ai ka thënë se ministri i Jashtëm i ishte përgjigjur pozitivisht planit, por se të tjerët kishin "gënjyer" për atë që ishte arritur ushtarakisht nga Shtetet e Bashkuara dhe konturet e armëpushimit.

"Kjo është arsyeja pse them se ky është një armëpushim i brishtë", ka thënë ai. 

"Ka njerëz që qartësisht duan të vijnë në tryezën e negociatave dhe të punojnë me ne për të gjetur një marrëveshje të mirë dhe pastaj ka njerëz që gënjejnë edhe për armëpushimin e brishtë që kemi arritur tashmë”, ka thënë Vance.

"Nëse iranianët janë të gatshëm me mirëbesim të punojnë me ne, mendoj se mund të bëjmë një marrëveshje", ka vazhduar Vance. “Nëse do të gënjejnë, nëse do të mashtrojnë, nëse do të përpiqen të parandalojnë që të ndodhë edhe armëpushimi i brishtë që kemi vendosur, atëherë nuk do të jenë të lumtur”. 

Ai ka thënë po ashtu se presidenti Donald Trump i kishte kërkuar ekipit të tij të ndalonte përdorimin e disa mjeteve ushtarake, diplomatike dhe ekonomike për të ushtruar presion mbi Iranin për momentin.

Por ka shtuar se këto mundësi mbeteshin në tryezë nëse Irani nuk arrin të negociojë pozitivisht drejt një përfundimi të përhershëm të luftës.

“Ai na ka thënë të ulemi në tryezën e negociatave”, ka thënë Vance për Trumpin. “Por nëse iranianët nuk bëjnë të njëjtën gjë, do të zbulojnë se presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk është nga ata me të cilët duhet të ngatërrohen. Ai nuk ka durim. Ai nuk ka durim për të bërë përparim”, ka thënë Vance. 

Macron: Rreth 15 vende do të lehtësojnë trafikun në Ngushticën e Hormuzit

1 j. më parë / 8 pri 2026 10:38
Emmanuel Macron

Photo: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se rreth 15 vende po planifikojnë të lehtësojnë rifillimin e trafikut përmes Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës zakonisht rrjedh një e pesta e furnizimit botëror me naftë, pas njoftimit të një armëpushimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

"Rreth 15 vende janë aktualisht të mobilizuara dhe po marrin pjesë në planifikim, nën udhëheqjen e Francës, për të mundësuar zbatimin e këtij misioni rreptësisht mbrojtës në koordinim me Iranin për të lehtësuar rifillimin e trafikut", ka thënë Macroni të mërkurën, duke folur në fillim të takimit të tij për mbrojtjen, me këshilltarët dhe anëtarët e kabinetit të tij.

Macroni ka shtuar se ka mirëpritur armëpushimin midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, por ka theksuar se situata në Liban mbetet kritike dhe ka bërëthirrje që Libani të përfshihet në marrëveshje. 

Franca mban lidhje të ngushta me Libanin, një ish-protektorat.

"Dëshira jonë në këtë kontekst është të sigurohemi që armëpushimi të përfshijë plotësisht Libanin”, ka thënë Macroni.

Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se kanë triumfuar në luftë

1 j. më parë / 8 pri 2026 09:20
Dubai

Një këshilltar i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe thotë se vendi ka "triumfuar", pasi ka vuajtur sulme të rregullta iraniane që nga fillimi i luftës.

"Ne mbizotëruam përmes një mbrojtjeje epike kombëtare që mbrojti sovranitetin dhe dinjitetin dhe mbrojti arritjet tona përballë agresionit të pabesë", ka thënë Anëar Gargash.

"Sot, ne ecim përpara për të menaxhuar një peizazh kompleks rajonal me një ndikim më të madh, një depërtim më të mprehtë dhe një kapacitet më të fortë për të ndikuar dhe formësuar të ardhmen”.

Ministria e Mbrojtjes e vendit ka postuar përditësime të rregullta mbi sulmet e kapura iraniane që nga fillimi i luftës. 

Një përditësim i postuar të martën dha shifrat e mëposhtme: 2221 dronë, 26 raketa lundrimi dhe 520 raketa balistike.

Ministri i Jashtëm i Omanit gjithashtu e ka mirëpritur armëpushimin.

Ministria e saj e Jashtme ia atribuoi punën Pakistanit, por ka nënvizuar rëndësinë e "intensifikimit të përpjekjeve" për të ecur përpara drejt një armëpushimi të përhershëm.

Reagimi ndërkombëtar ndaj marrëveshjes SHBA-Iran për armëpushim

1 j. më parë / 8 pri 2026 09:03
Antonio Guterres

Zyrtarë të disa prej shteteve kryesore në botë kanë reaguar pas arritjes së armëpushimit dyjavor ndërmjet 

Ministria e jashtme e Irakut ka thënë se "e vlerëson këtë si një zhvillim që mund të kontribuojë në uljen e tensioneve, rritjen e mundësive për de-eskalim dhe forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon".

Udhëheqësit evropianë, përfshirë kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, e mirëpritën marrëveshjen e armëpushimit. 

"Së bashku me partnerët tanë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur dhe ruajtur këtë armëpushim, ta shndërrojmë atë në një marrëveshje të qëndrueshme dhe të rihapim Ngushticën e Hormuzit", ka thënë Starmer për të cilin Downing Street ka njoftuar se të mërkurën do të udhëtojë për në Lindjen e Mesme. 

Omani, një bashkëbisedues kyç, ka thënë se e mirëpriti njoftimin e armëpushimit dhe përgëzoi rolin e Pakistanit në ndërmjetësim, sipas një deklarate nga ministria e saj e Jashtme.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se njoftimi ishte "lajm pozitiv", duke i thënë Sky News Australia se shpreson që ai "të çojë në një depërshkallëzim të përhershëm dhe në fund të konfliktit". Albanese gjithashtu ka kritikuar retorikën e mëparshme të Trumpit, duke thënë se "potenciali i dëmtimit të infrastrukturës civile në Iran ishte një deklaratë e jashtëzakonshme për t'u bërë". 

Egjipti e ka quajtur armëpushimin "një hap pozitiv drejt uljes së tensioneve dhe përmbajtjes së tensioneve rajonale".

Sekretari kryesor i kabinetit të Japonisë, Minoru Kihara, ka thënë se “Ajo që është më e rëndësishme tani është që situata të qetësohet vërtet, duke përfshirë sigurimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit".

Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u ka bërë thirrje "të gjitha palëve të përmbushin detyrimet e tyre" dhe "t'u përmbahen kushteve" të marrëveshjes, sipas një deklarate nga zëdhënësi i tij.

Çka parasheh plani 10-pikësh i Iranit të cilin Trumpi e mori në konsideratë

1 j. më parë / 8 pri 2026 08:51
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë në orët e para të së mërkurës me kohë të Kosovës se SHBA-ja kishte marrë një plan 10-pikësh "të realizueshëm" nga Irani, pasi të dy vendet ranë dakord për një armëpushim dyjavor.

Propozimi i Teheranit përfshin pika që lidhen me Ngushticën e Hormuzit, heqjen e sanksioneve globale dhe armët bërthamore, sipas raportimeve nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Fars.

Këto janë 10 pikat e planit iranian të paqes:

1.    Tërheqja e trupave amerikane nga rajoni
2.    Kontroll i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit
3.    Kompensimi i dëmeve ndaj Iranit
4.    Tërheqja e sanksioneve
5.    Lirimi i asteve të ngrira iraniane
6.    Zotimi i Iranit për të mos krijuar armë bërthamore
7.    Pranimi i së drejtës së Iranit për të pasuruar uranium
8.    Pajtimi i Iranit për traktatet e paqes me vendet e rajonit
9.    Ndërprerja e armiqësive kundër të gjitha grupeve të rezistencës në rajon
10.  Dispozitat e mbështetura nga një rezolutë e OKB-së

Starmer udhëton sot për në Lindjen e Mesme

1 j. më parë / 8 pri 2026 08:43
Keir Starmer

Photo: Associated Press

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, do të udhëtojë të mërkurën për në Gjirin Persik për t'u takuar me udhëheqësit në rajon për të "diskutuar përpjekjet diplomatike për të mbështetur dhe ruajtur armëpushimin", ka njoftuar Downing Street.

Starmer ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të "bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur dhe ruajtur këtë armëpushim".

"E mirëpres marrëveshjen e armëpushimit të arritur brenda natës, e cila do të sjellë një moment lehtësimi për rajonin dhe botën", ka thënë ai.

"Së bashku me partnerët tanë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur dhe ruajtur këtë armëpushim, ta shndërrojmë atë në një marrëveshje të qëndrueshme dhe të rihapim Ngushticën e Hormuzit", ka shtuar ai. 

Ndërkohë Downing Street ka thënë në njoftimin e tij se kryeministri Starmer, në takimet me udhëheqësit rajonalë, do të përsërisë mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar dhe nevojën për një zgjidhje diplomatike afatgjatë për t'u siguruar që armëpushimi të çojë në një marrëveshje të qëndrueshme.

Ai do të zhvillojë bisedime për të siguruar që rihapja e Ngushticës së Hormuzit të mbetet e përhershme, me Mbretërinë e Bashkuar që vazhdon të udhëheqë përpjekjet ndërkombëtare.

Bien çmimet e naftës pas marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit

1 j. më parë / 8 pri 2026 08:39
Nafta

Ilustrim

Armëpushimi mes SHBA-së e Izraelit dhe Iranit është pritur me padurim nga tregtarët e naftës.

Rruga jetësore e transportit detar, Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës rrjedh një e pesta e gazit natyror të lëngshëm dhe naftës bruto në botë, është rihapur, dhe kalimin e sigurt nëpër të e ka konfirmuar edhe Irani të mërkurën.

Menjëherë pas arritjes së armëpushimit dyjavor, çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm, me më shumë se 13.5% në 94 dollarë për fuçi për naftën bruto Brent, që është edhe pika referuese.

Prodhimi është ngadalësuar në shtetet kryesore prodhuese të naftës në Lindjen e Mesme, dhe kjo nuk mund të rifillojë shpejt, kështu që do të ketë ende probleme me furnizimin.

Përpara se SHBA-ja dhe Izraeli të fillonin sulmet, nafta ishte rreth 72 dollarë për fuçi. Çmimi mesatar vitin e kaluar ishte 69 dollarë.

Irani thotë se mund të bëhet kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit

1 j. më parë / 8 pri 2026 08:03
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë në një deklaratë se Teherani do të pushojë kundërsulmet dhe do të sigurojë kalim të sigurt përmes rrugës ujore në Ngushticën e Hormuzit, nëse ndalojnë sulmet kundër tij.

Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit e përshkroi marrëveshjen si një fitore ndaj SHBA-së, duke pretenduar se Trumpi kishte pranuar kushtet e Iranit për t'i dhënë fund armiqësive.

Ndërkaq, Trumpi i ka thënë agjencisë franceze të lajmeve AFP se ishte një "fitore totale dhe e plotë".

"Fitore totale dhe e plotë. 100 përqind. Pa dyshim”, ka thënë Trumpi kur është pyetur nëse po pretendonte fitoren me armëpushimin. 

Lufta e cila të shtunën ka hyrë në javën e gjashtë ka marrë më shumë se 5,000 jetë njerëzish në disa vende të Lindjes së Mesme, përfshirë më shumë se 1,600 civilë në Iran, sipas të dhënave nga burime qeveritare dhe grupe të të drejtave të njeriut.

Një burim i informuar mbi bisedimet ka shprehur kujdes në lidhje me mbajtjen e armëpushimit dyjavor, duke thënë se pala amerikane besonte se Irani po përpiqej të fitonte kohë.

Gjashtë orë nga shpallja e armëpushimit, pak lëvizje në Ngushticën e Hormuzit

1 j. më parë / 8 pri 2026 07:50
Ngushtica e Hormuzit

Të dhënat e transportit detar tregojnë pak lëvizje në Ngushticën e Hormuzit më shumë se gjashtë orë pasi SHBA-ja dhe Irani njoftuan një armëpushim.

Analistët paralajmërojnë se anijet dhe siguruesit do të duhet të shohin shenja të mëtejshme pozitive përpara se të rifillojnë trafikun përmes rrugës ujore jetësore.

"Armëpushimi është një hap i parë i domosdoshëm, por kjo nuk do të thotë që transporti tregtar normalizohet menjëherë përmes korsive ndërkombëtare të trafikut në Ngushticë", ka thënë Charlie Brown, Këshilltar i Lartë i Gjurmimit të Flotës së Errët në United Against Iran dhe një ish-oficer i Marinës Amerikane.

"Pronarët e anijeve ende presin udhëzime autoritare nga kanalet e sigurisë detare, shtetet e flamurit dhe, në mënyrë kritike, siguruesit detarë të rrezikut të luftës përpara se të dërgojnë anije përsëri në ngushticë", ka shtuar Broën.

Irani ka sulmuar të paktën 19 anije pranë Ngushticës së Hormuzit, që lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit, që nga fillimi i luftës. Bllokimi i rrugës ujore prej më shumë se gjashtë javësh ka penguar furnizimet me naftë të papërpunuar për pjesën tjetër të botës dhe ka dëmtuar tregjet globale.

Të mërkurën në mëngjes, ministri i Jashtëm i Iranit ka thënë se "kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit do të jetë i mundur nëpërmjet koordinimit me Forcat e Armatosura të Iranit". 

Shtëpia e Bardhë shpall fitoren, Trumpi thotë se kjo mund të jetë "Epoka e Artë" e Lindjes së Mesme

1 j. më parë / 8 pri 2026 07:33
Donald Trump

Photo: Associated Press

Shtëpia e Bardhë ka shpallur fitoren pas njoftimit të armëpushimit me Iranin.

"Kjo është një fitore për Shtetet e Bashkuara që presidenti Trump dhe ushtria jonë e jashtëzakonshme e bënë të mundur", ka thënë Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një postim në rrjetet sociale, duke shtuar se ai "rihapi Ngushticën e Hormuzit".

Leavitt vëren se presidenti kishte thënë që në fillim se "Operacioni Epic Fury" do të ishte një operacion katër deri në gjashtë javë, duke shtuar se SHBA-ja "arriti dhe tejkaloi objektivat kryesore ushtarake në 38 ditë".

Ndërkaq vetë Trumpi, ka postuar në Truth Social për të thënë se është një "ditë e madhe për Paqen Botërore!". 

Trumpi po ashtu ka thënë se kjo mund të jetë “Epoka e Artë e Lindjes së Mesme”. 

Ai e ka bërë postimin disa orë pas njoftimit se është arritur një armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, teksa shton se SHBA-ja do të ndihmojë në lëvizjen e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit. 

“Një ditë e madhe për Paqen Botërore! Irani dëshiron që kjo të ndodhë, ata kanë duruar mjaft! Po kështu, të gjithë të tjerët kanë bërë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndihmojnë me rritjen e trafikut në Ngushticën e Hormuzit. Do të ketë shumë veprime pozitive! Do të fitohen shumë para. Irani mund të fillojë procesin e rindërtimit. Ne do të ngarkojmë furnizime të të gjitha llojeve dhe thjesht do të "rrimë andej-këndej" për t'u siguruar që gjithçka të shkojë mirë. Jam i sigurt se do të shkojë. Ashtu siç po e përjetojmë në SHBA, kjo mund të jetë Epoka e Artë e Lindjes së Mesme!!!”, ka shkruar ai.