Mungesa e ushtarëve dhe armatimit janë dy prej sfidave kryesore të shefit të ri të Ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi
Njeriu që udhëhoqi forcat e armatosura të Ukrainës për dy vjet është shkarkuar.
Presidenti Volodymyr Zelensky e ka zëvendësuar gjeneralin Valerii Zaluzhnyin të enjten, pas 10 ditësh thashetheme dhe spekulimesh – dhe muajsh të një marrëdhënieje të luhatur.
Njoftimi erdhi në një moment kritik të luftës me Rusinë dhe ka të ngjarë të paralajmërojë një ndryshim në strategjinë e Ukrainës. Ndryshimi konsiderohet edhe diçka e rrezikshme.
Largimi i Zaluzhnyit nga pozicioni i tij si komandant i përgjithshëm vjen pasi njësitet ukrainase kanë mbetur prapa në disa pjesë të vijës së gjatë të frontit, veçanërisht në rajonet lindore Donetsk dhe Kharkiv. Atyre u mungojnë predhat dhe municione të tjera dhe po ka mungesë të ushtarëve me përvojë.
Makina e luftës ruse po funksionon me forcën maksimale dhe ka një grup shumë më të madh burrash sesa Ukraina për t’i rimbushur radhët e saj. Rusia po i anashkalon sanksionet ndërkombëtare dhe të ardhurat e saj nga nafta po ndihmojnë në financimin e shpenzimeve të shumta të luftës.
Zelensky ka theksuar se ai dhe Zaluzhnyi kishin një “diskutim të sinqertë për atë çka duhet ndryshuar në ushtri. Ndryshime urgjente”. Ai ka shtuar se “ndjesia e stagnimit në zonat jugore dhe vështirësitë në luftimet në zonën e Donetskut kanë ndikuar në disponimin e publikut”.
Gjendja e publikut është vërtet më e zymtë. Sipas një sondazhi të fundit në Ukrainë, ata që besojnë se ngjarjet po shkojnë në drejtimin e gabuar u rritën nga 16% në maj 2022 në 33% në dhjetor 2023.
Ka pak gjasa që zëvendësuesi i Zaluzhnyit, gjenerali Oleksandr Syrskyi, të ofrojë një ndryshim rrënjësor të udhëheqjes, por ai mendohet të jetë më i afërt me Zelenskyn.
Syrskyi ka qenë në komandë të forcave tokësore që nga pushtimi rus, mirëpo u kritikua për mënyrën e mbrojtjes së Bakhmutit, pasi kishte kosto të madhe njerëzore gjatë betejave. Vartësit e kanë përshkruar atë si njeri që i mungon ndjeshmëria, me disa ushtarë që e quanin “Gjeneral 200” (200 është kod ushtarak për ata që vdesin në frontin e luftës).
“Syrskyi shihet si zgjedhje konsensusi”, ka thënë Matthew Schmidt, drejtor i programit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e New Haven në Connecticut. “Disa thonë se ai është tepër sovjetik, që do të thotë pa imagjinatë por i aftë, disa thonë se ai nuk i pranon mirë të vërtetat e pakëndshme – diçka që e bëri Zaluzhnyi – dhe disa thonë se ai është gjenerali më i mirë i llojit më të keq”.
Schmidt thotë se ka pak opsione tani.
“Ndoshta është një fazë në luftë, ku një zgjedhje e sigurt është lëvizja e duhur”.
Detyra më urgjente e Syrskyit do të jetë stabilizimi i vijave të para të frontit. Gjithashtu detyrat si: të plotësohen radhët e varfëruara të disa prej brigadave më të mira të Ukrainës dhe të përshpejtohet mbërritja e municioneve perëndimore në vijat e frontit - dhe si përballimi i situatës derisa të ndodhë kjo.
Prioritete të tjera përfshijnë: çfarë theksi duhet vënë në sulmet me rreze më të gjatë kundër infrastrukturës ruse, si depot e naftës dhe bazat ushtarake, integrimi i avionëve luftarakë F-16 në planet e betejës dhe zhvillimi i shpejtë i gjeneratës së ardhshme të sistemeve pa pilotë.
Mungesat në vijën e frontit
Mes sulmeve të vazhdueshme ruse rreth Avdiivkas dhe Kupyanskut, “përparësia e parë është të siguroheni që mund të mbani linjën aktuale të kontaktit”, ka treguar Schmidt.
“Dobësia taktike e Putinit s’nënkupton se ai nuk mund të vrasë mijëra ushtarë të tij në tentim për të marrë territor. Çdo shef i ri i ushtrisë duhet ta ketë parasysh këtë”.
Njësitë e vijës së frontit në disa zona të cenueshme i thanë CNN-it javëve të fundit se shpesh kishin mungesë kronike të municioneve, veçanërisht predhave të artilerisë perëndimore 155 mm. Në një moment, trupat ishin furnizuar me predha tymi pasi shteruan municionin e tyre me eksploziv të lartë, thanë ata.
“Është më mirë se pa predha”, ka thënë një ushtar.
Kreu i Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës, gjenerallejtënant Kyrylo Budanov, i tha CNN-it në fund të janarit se municionet janë “një nga faktorët më vendimtarë” në luftë.
Me pakon e administratës së Joe Bidenit prej 61 miliardë dollarësh në ndihmë ushtarake të bllokuar në Kongres, SHBA-ja ka dërguar pako më të vogla për disa muaj dhe ngadalësimi tashmë ka filluar të ndikojë në planifikimin dhe operacionet e ushtrisë ukrainase, sipas zyrtarëve amerikanë.
Zhbllokimi i “tubacionit” të ndihmës ushtarake të SHBA-së dhe rritja e prodhimit evropian të municioneve janë prioritete jetike nëse Ukraina do të kalojë nga mbrojtja në ofensivë. BE-ja ka pranuar se do të jetë shumë larg objektivit të saj për të prodhuar një milion predha artilerie për Ukrainën në vit deri në mars, duke vlerësuar se numri do të jetë afërsisht gjysma e këtij.
Këtë javë, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha: “Nëse pyet një ushtar në front se çfarë i duhet më shumë tani, ai do të thotë predha. Kjo përgjigje ishte e njëjtë dje, një muaj më parë, gjashtë muaj më parë dhe një vit më parë”.
“Qëllimi kryesor është të sigurohet që mungesa e predhave të mos kthehet kurrë në krizë”, ka shtuar ai.

Tejkalimi në numër
Numri i ushtarëve të Rusisë është të paktën tri herë më i madh se ai i Ukrainës. Budanov ka theksuar për CNN se forcat ruse në dhe pranë territorit ukrainas “përbëhen nga 510 mijë vetëm personel ushtarak”.
Njësitë më profesionale të Ukrainës janë rraskapitur nga dy vjet luftime pa ndalesë, radhët e tyre janë zvogëluar. Ukraina nuk publikon shifra, por zyrtarët amerikanë vlerësojnë se deri në 70 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë dhe gati dyfishi i këtij numri janë plagosur.
Shkalla dhe shpejtësia e mobilizimit shtesë në Ukrainë është një çështje e mprehtë politike dhe ishte një burim i përçarjes midis Zelenskyt dhe Zaluzhnyit, i cili tha se ushtria kishte nevojë për gjysmë milioni ushtarë të tjerë dhe kritikoi “boshllëqet në legjislacion që lejojnë qytetarët të shmangin përgjegjësitë e tyre”.
Në një vështrim për CNN javën e kaluar, Zaluzhnyi ka theksuar: “Ne duhet ta pranojmë avantazhin e konsiderueshëm që gëzon armiku në mobilizimin e burimeve njerëzore dhe se si kjo krahasohet me paaftësinë e institucioneve shtetërore në Ukrainë, që të shtojë radhët e forcave tona të armatosura pa përdorur masat jopopullore”.
Një projektligj që po kalon në parlamentin ukrainas do të ulte moshën minimale për mobilizim nga 25 nga 27 (një dispozitë që Zelensky nuk e nënshkroi vitin e kaluar) dhe do të vendoste dënime të ashpra për njerëzit që shkelin rregullat e mobilizimit. Shtetasit e moshës ushtarake do të ishin të detyruar të mbanin me vete dokumentet e regjistrimit ushtarak.
Një version më ambicioz i projektligjit u tërhoq mes kritikave publike dhe mbetet për t’u parë se sa efektive është masa e re në adresimin e mangësive serioze. Zelensky është i shqetësuar për aftësinë e qeverisë për të paguar për një ushtri më të madhe të përhershme (paga në vijën e frontit është 3000 dollarë në muaj, gjashtëfish më e madhe se paga mesatare në Ukrainë) dhe për rrezikun politik.
“Popullsia është ende e përkushtuar ndaj luftës, ne e shohim këtë në sondazhet e opinionit, por ata janë të rraskapitur tashmë”, thotë Schmidt.
Sistemet pa pilot
Zaluzhnyi ka argumentuar me këmbëngulje se duke pasur parasysh numrin më të madh të ushtarëve dhe armatimit që ka Rusia, Ukraina ka nevojë për një ndryshim hap pas hapi në teknologjinë e saj të fushëbetejës: për shembull, dronët më të sofistikuar dhe sisteme të tjera pa pilot do të ofronin inteligjencë në kohë reale dhe informacion të saktë për shënjestrimin.
Së fundi, Zaluzhnyi sugjeroi që një investim i tillë, si dhe përfshirja e teknologjisë kibernetike, mund të prodhojë rezultate brenda pesë muajve.
Koha është esenciale. Ushtria ruse vazhdon të bëjë gabime, por po mëson dhe po përshtatet, veçanërisht në shfrytëzimin e dronëve të sulmit dhe zbulimit dhe të luftës elektronike.
Ushtarët ukrainas që mbrojnë qiellin rreth kryeqytetit, Kiev, i thanë CNN-it se rusët po krijonin kamuflazhe të reja, shtigje fluturimi mashtruese dhe inovacione inxhinierike për t’i bërë dronët dhe raketat e tyre më të vështira për t’u rrëzuar.
E thënë thjesht, Ukraina duhet të zgjerojë hendekun teknologjik, siç e pranoi Zelensky në fjalimin e tij duke njoftuar ndryshimin e lidershipit. Industria e saj vendase e dronëve që po zgjerohet me shpejtësi do të jetë kritike në këtë përpjekje dhe tashmë po tregon rezultate.
Përktheu: Blerta Haxhiu