Kryeministri i Sllovakisë u ka thënë liderëve evropianë se është i shqetësuar për gjendjen psikologjike të Donald Trumpit, sipas disa diplomatëve. Robert Fico, aleat i Trumpit, u ka thënë ditë më parë liderëve të Bashkimit Evropian në një samit se takimi i tij sy më sy me presidentin amerikan ka qenë “shokues”.
Fico, që është një nga pak liderë evropianë që e ka përkrahur qëndrimin e Trumpit ndaj dobësive të Evropës, ka thënë se presidenti është në gjendje “të rrezikshme”. Këtë deklaratë ai e ka thënë bazuar mbi një takim me Trumpin në Florida më 17 janar, kanë bërë të ditur dy diplomatë për “Politico”.
Sipas një diplomati, Fico ka thënë se Trumpi “s’është në vete”. E tjetri ka deklaruar se Fico dukej “i traumatizuar” nga takimi me presidentin e SHBA-së.
Deklaratat e Ficos u dhanë gjatë një tryeze jozyrtare të një grupi të vogël të liderëve të BE-së dhe zyrtarëve të lartë në margjina të një samiti të javës së shkuar, i ftuar mes tensionesh me SHBA-në pas kërcënimeve të Trumpit për ta aneksuar Grenlandën.
Asnjëri nga diplomatët që kanë folur për “Politico” nuk ishin në diskutim, por kanë bërë të ditur se janë njoftuar nga liderët.
Pavarësisht komenteve të Ficos, shqetësimet për paparashikueshmërinë e Trumpit janë rritur në Evropë, sipas njërit prej diplomatëve që nuk ishte njoftuar direkt nga një lider për bisedën e javës së shkuar.
Frika për shëndetin e 79-vjeçarit “po bëhet temë gjithnjë e më e diskutuar në të gjitha nivelet”, ka thënë një zyrtar i BE-së i përfshirë në diskutime.
Trumpi në vazhdimësi ka hedhur poshtë çdo diskutim për shëndetin dhe moshën.