Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Serbia mohon të ketë furnizuar me armë Ukrainën

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i ka mohuar raportimet e agjencisë Reuters se vendi e ka furnizuar me armë Ukrainën, duke thënë se Serbia nuk i ka shitur dhe as nuk do t’i shesë armë palëve të përfshira në luftë, raporton Danas.

Vuçeviq ka theksuar se këto raportime po bëhen për ta tërhequr Serbinë në konflikt.

“Ne i kemi mohuar këto gënjeshtra më shumë se dhjetë herë dhe ja ku jemi, do ta bëjmë përsëri. Synimi i dikujt është padyshim që ta tërheqë Serbinë në atë konflikt, por ne vazhdimisht i përmbahemi politikës sonë të vendosur. Gjithmonë ekziston mundësia që në mënyrë magjike të gjendet ndonjë armë në territorin e konfliktit, por kjo nuk ka të bëjë absolutisht me Serbinë. Kjo është një pyetje për ato vende që nuk respektojnë normat ndërkombëtare, klauzolat kontraktuale të biznesit. E përsëris, Serbia nuk ka dërguar armë në Ukrainë dhe gjithçka që është publikuar për atë temë është spekulim i pavërtetë”, ka thënë ministri Vuçeviq.

Ministri ka thënë se Serbia ka politikën e saj të qartë, “e cila është përcaktuar në bazë të asaj që është miratuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në shkurt të vitit të kaluar”.

“Kjo është ajo që ne i përmbahemi. Asgjë nuk ka ndryshuar që atëherë. Serbia nuk ka shitur sisteme luftarake komplekse, armatime, mjete dhe armë, as nuk shet dhe as nuk do t'i shesë palës ruse apo ukrainase gjatë kohëzgjatjes së konfliktit”, ka përfunduar ai.

Edhe Rusia akuzon Serbinë për armatosjen e Ukrainës Rajon Rusia akuzon Serbinë për armatosjen e Ukrainës

Reuters shkroi të martën se në një dokument konfidencial të Pentagonit të zbuluar thuhet se Serbia, i vetmi vend evropian që refuzoi të vendosë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, ka pranuar të furnizojë Kievin me armë ose tashmë ka dërguar armë.