Një kulturë dhune u shfaq në Serbi me shpejtësi dhe kishte ritëm po aq të njëjtë me masat që u vendos të ndërmerren nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mbi “çarmatimin e vendit”. Amnistia e armëve është pranuar si pozitive, por qytetarët nuk i kanë ndalur protestat
Tronditja dhe tmerri mund të kenë qenë reagimi i parë i serbëve ndaj dy të shtënave masive këtë muaj. Por zemërimi pasoi me shpejtësi.
Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në dy protesta në kryeqytetin, Beograd, me mitingje më të vogla në qytete të tjera anembanë vendit.
Ata marshuan nën pankartën "Serbia kundër dhunës" dhe bënë thirrje për t'i dhënë fund asaj që ata e shihnin si një kulturë dhune që çoi në të shtënat në një shkollë në Beograd dhe, të nesërmen, rreth Mlladenovcit, në jug të kryeqytetit të Serbisë.
Më shumë protesta do të pasojnë - dhe qeveria duket e tronditur. Figura të larta kanë folur për shifrat e përfshira, si dhe kanë bërë plane për një tubim "solidariteti" të tyre.
Por ka një çështje për të cilën si protestuesit ashtu edhe autoritetet duket se bien dakord: kontrolli i armëve.
"Nuk ka asnjë lob pro armëve në Serbi", thotë Bojan Elek, zëvendësdrejtori i Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë dhe ekspert për çështjet e armëve të zjarrit në vend.
"Ekziston një shoqatë kombëtare e pronarëve të armëve - por asgjë e afërt me atë që ata po bëjnë në SHBA me Shoqatën Kombëtare të Pushkëve (NRA).
Amnistia
Pas të shtënave, presidenti Aleksandar Vuçiq njoftoi me shpejtësi atë që ai e quajti një "çarmatim të përgjithshëm" të vendit. Ai shpalli një amnisti njëmujore për armët e mbajtura pa leje, me një paralajmërim për pasoja të rënda për këdo që mban armë pa leje. Vuçiqi ka njoftuar një moratorium për lejet e reja të armëve dhe një rishikim të licencave aktuale të armëve.
E gjithë kjo duket si një sipërmarrje në një vend, ku numri i armëve në qarkullim është, me sa duket, jashtëzakonisht i lartë. Në vitin 2018, “Small Arms Survey” me bazë në Zvicër e renditi Serbinë të tretën në botë për numrin e armëve në duar private, me 39 armë për 100 persona.
Reagimi publik dhe politik ndaj një programi të tillë çarmatimi në vendin që kryeson listën, Shtetet e Bashkuara, mund të imagjinohet. Në Serbi, thotë Bojan Elek, ka qenë një çështje tjetër.

Amnistia është pranuar kryesisht pozitivisht, thotë ai, dhe deri në ditën e dytë të amnistisë janë dorëzuar më shumë armë dhe municione sesa në tri amnistitë e mëparshme të marra së bashku.
"Numri i armëve të paligjshme definitivisht po zvogëlohet - madje disa armë nga Lufta e Dytë Botërore janë dorëzuar. Por ne nuk kemi një shifër të saktë se sa ishin, kështu që është e vështirë të thuhet se sa kanë mbetur”.
Duke pasur parasysh veprimin e shpejtë të qeverisë për të reduktuar numrin e armëve në qarkullim dhe mungesën e kundërshtimeve të gjera ndaj propozimeve të tyre, pyetja është: pse dhjetëra mijëra njerëz janë ende të motivuar të dalin në rrugë në shenjë proteste?
Analisti politik, Boshko Jakshiq, pajtohet se amnistia e armëve nuk është mollë sherri.
"E vetmja gjë që Vuçiqi organizoi menjëherë ishte kontrolli i armëve. Ky është i organizuar mirë dhe funksionon - kështu që pse duhet që demonstruesit të kërkojnë një masë të tillë kur tashmë ekziston?"
Në vend të kësaj, protestuesit po shikojnë përtej armëve dhe drejt asaj që ata i shohin si shkaqet kryesore të të shtënave.
Faji, i qeverisë e i mediave
Specifikat përfshijnë kërkesat për dorëheqjen e dy zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe heqjen e licencave të dy transmetuesve pro-qeveritar. Por në përgjithësi, protestuesit thonë se janë më të shqetësuar për një kulturë të dhunës retorike dhe fizike, e cila ata besojnë se është rritur qëkur Partia Progresive Serbe mori pushtetin në vitin 2012.
"Ne jemi të rrethuar nga dhuna - në domenin publik, komunikimin politik, parlamentin dhe shfaqjet televizive”, thotë banori i Beogradit, Aleks. "Kultura e bisedës së qytetëruar është plotësisht e humbur".
Një tjetër protestues, Miloshi, ndihet pothuajse njëjtë.
"Ngjarjet tragjike ishin një kulm i metodave të dhunshme - jodomosdoshmërisht fizike - që ata po praktikojnë në media", thotë ai.
Asnjëri nga këta protestues të veçantë nuk beson se Serbia është në rrezik të imitojë nivelet e dhunës me armë që shihen në SHBA.
“Kjo narrativë vjen kryesisht nga zyrtarë qeveritarë që fajësojnë ‘vlerat perëndimore’”, thotë Aleksi. “Ajo që po shohim nuk ka të bëjë me vlerat perëndimore, por me vlerat e imponuara nga qeveria jonë”.
Imitim i SHBA-së
Bojan Elek flet më në detaje.
“Ka pa dyshim njëfarë frike për imitimin e SHBA-së”, thotë ai. "Por qeveria po e kapërcen këtë frikë dhe po përpiqet të prezantojë masa problematike, si ulja e moshës së përgjegjësisë penale në 12 vjeç dhe lejimi i policisë për të hyrë në shtëpi pa urdhër të gjykatës".
Kërkesat e protestuesve ende nuk janë përmbushur. Por transmetuesi pro-qeveritar Pink TV ka njoftuar anulimin e një programi të diskutueshëm realiteti, i cili prej kohësh ka qenë në fund të kritikave për miratimin e heshtur të dhunës verbale dhe herë pas here fizike.
Ndërkohë, presidenti Vuçiq ka folur për rëndësinë e protestave – duke akuzuar partitë opozitare se po përdorin një tragjedi kombëtare për përfitimin e tyre. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar të shpallë tubimin e tij në fund të këtij muaji, me një mbledhje të posaçme të Partisë Progresive të nesërmen.
“Presidenti Vuçiq ka treguar se ka frikë nga rruga – nga njerëzit që mblidhen në Beograd dhe qytete të tjera”, thotë Boshko Jakshiq.
"Këto takime janë polarizuese. Pse të mos dilni vetëm në televizor në vend që të paguani miliona për të transportuar dhe ushqyer njerëzit që sillni në Beograd? Është një manifestim lavdie në vend të solidaritetit, që nuk bashkon, por ndan më tej Serbinë".
Dhe kjo mund të jetë ajo që sjell më shumë njerëz në rrugët e Beogradit në ditët dhe javët në vijim.
Përktheu: Forca Jashari