Presidenti Trump vlerësoi lart aftësitë e sekretarit të ri të shtetit Mike Pompeo. Ai i bëri komentet në ceremoninë e betimit të zotit Pompeo sot në Departamentin e Shtetit në Uashington.
Presidenti Trump e quajti zotin Mike Pompeo një patriot të vërtetë. Ai tha se zoti Pompeo meritoi respektin dhe admirimin e të gjithëve kur punonte si drejtor i Agjencisë Qendrore të Zbulimit.
Presidenti, i cili e viziton Departamentin e Shtetit për herë të parë që nga ardhja në detyrë, shprehu besimin se zoti Pompeo do ta realizojë me sukses misionin e lartë për të mbikqyrur dhjetëra mijëra diplomatët amerikanë në të gjithë botën.
Nga ana e tij Sekretari i Shtetit e quajti një shans të pashembullt faktin që një nga detyrat e tij të para në postin e ri do të jenë negociatat e pritshme me Korenë e Veriut.
Pompeo, ka premtuar t’i japë një nxitje diplomacisë amerikane dhe të ndihmojë që Departamenti i Shtetit të rifitojë besimin, njofto voa.
Edhe
Pompeo premton t'i japë nxitje diplomacisë së SHBA
Dje, qindra punonjës të Departamentit të Shtetit e përshëndetën me entuziazëm sekretarin e ri të shtetit.
Morali në këtë agjenci ka rënë nën kërcënimin e shkurtimeve të mëdha të buxhetit, ndërkohë që me dhjetra poste kyçe dhe ambasadoriale janë lënë të paplotësuara nën paraardhësin e tij, ish sekretarin Rex Tillerson.
Pompeo u prit me entuziazëm të madh nga punonjësit e agjencisë. Zëvendës sekretari i shtetit John Sullivan tha se zoti Pompeo përfaqëson një kombinim të rrallë aftësish:
“Ne kemi një komandant tankesh, i cili studioi pastaj drejtësi në Harvard ku u zgjodh edhe në bordin e Revistës ‘Harvard Law’”, tha zoti Sullivan.
Zëvendës sekretari i shtetit tha se zoti Pompeo do të jetë një rival i vështirë për kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara. Pompeo e filloi punën në avion, vetëm disa orë pasi u konfirmua nga senati, pa e parë ende zyrën e tij elegante në katin e shtatë.
"Thashë në dëshminë time se do të shpenzoj pak kohë në katin e shtatë – bëhet fjalë për katin e shtatë, apo jo? Do të shkoj atje pas pak," tha zoti Pompeo.
Edhe
Pompeo në Bruksel, për herë të parë në rolin e kryediplomatit të SHBA-së
Ai tha se ka në plan të udhëtojë shumë dhe t’u japë një nxitje diplomatëve të karrierës kudo në botë:
"Trupi diplomatik i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë në çdo cep të botës, duke kryer misione në emër të këtij vendi dhe është detyra ime e ndershme të ndihmoj që kjo të arrihet.”
Pas komenteve të para për punonjësit e Departamentit të Shtetit, Pompeo u përzie mes tyre, duke u ndalur për të bërë "selfies", në kontrast të dukshëm me paraardhësin e tij të drojtur, Rex Tillerson.
Eksperti i politikës së jashtme Nil Gardiner thotë se Pompeo do të sjellë një diplomaci të fuqishme:
"Mendoj se ai do të jetë një prani shumë më e madhe në skenën botërore sesa Rex Tillerson. Mike Pompeo është njeri që, mendoj se dëgjohet shumë nga presidenti."
Edhe
Mike Pompeo merr pozitën e sekretarit të Shtetit
Por eksperti Thomas Hill thotë se Pompeo do të ketë një detyrë të vështirë:
"Unë do të thosha se ai duhet të shkojë më tej sesa të rikthejë besimin. Ai duhet të bëjë modernizimin e departamentit, ndërkohë që do t’i duhet të merret me betejat me agjencitë e tjera që do të vijnë në mënyrë të pashmangshme, si dhe me problemet normale të diplomacisë ndërkombëtare, si Irani, Koreja e Veriut, Rusia, e të tjera”.