Varshavë, 13 dhjetor (AP) - Kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka nisur serinë e takimeve të para me liderë evropianë.
Nga Varshava e Polonisë ka dërguar mesazhe te Rusia se thyerja e kufijve nuk bëhet pa pasoja serioze. Scholzi gjatë takimit me kryeministrin e Polonisë ka kritikuar edhe presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, në lidhje me refugjatët në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë.
Shteti polak dhe Bashkimi Evropian në javët e fundit kanë thënë se Lukashenko po tenton të destabilizojë bllokun evropian me krizën e refugjatëve në kufirin lindor. Kryeqyteti polak nuk i ka punët mirë me BE-në në lidhje me fondet evropiane për pandeminë.
Scholzi ka bërë thirrje për një zgjidhje të mirë dhe pragmatike mes dy palëve. Kancelari gjerman ka biseduar për marrëdhëniet komplekse me Poloninë, të cilat ende janë nën hijen e Luftës së Dytë Botërore. Polonia ka përsëritur qëndrimet se Gjermania i ka borxh kompensimet për dëmet e luftës.