Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Scholz: Në Gjermani po rriten rrjetet e errëta neo-naziste

Në Ditën Ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të Holokaustit, Kancelari gjerman Olaf Scholz ka shprehur shqetësime për rritjen e ekstremizmit të djathtë.

Scholz u bëri thirrje njerëzve që të luftojnë racizmin dhe antisemitizmin, shkruan BBC.

"Raporte të reja po shfaqen gjatë gjithë kohës: për neo-nazistët dhe rrjetet e tyre të errëta. Në të njëjtën kohë, populistët e krahut të djathtë po fitojnë terren, ushqejnë frikën dhe mbjellin urrejtje. Por ky zhvillim nuk është diçka që ne thjesht duhet ta pranojmë”, tha Scholz, teksa u bëri thirrje gjermanëve që të ngrihen kundër ekstremit të djathtë dhe të mbrojnë demokracinë gjermane.

Scholz mirëpriti gjithashtu një vendim historik për të shkurtuar fondet për partinë radikale të krahut të djathtë, Die Heimat.

Të mërkurën, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë vendosi se partisë duhet t'i ndalohet të marrë fonde të mëtejshme shtetërore dhe lehtësime tatimore që partitë gjermane marrin ligjërisht.