Rusia ka mbrojtur të enjten vendimin për të vendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi, duke hedhur poshtë kritikat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se ishte Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut ajo që po zgjerohej drejt Rusisë dhe se Moska për këtë arsye duhej të merrte hapa për të mbrojtur sigurinë e saj.
Stoltenberg ka thënë dje se lëvizja e Rusisë hedh poshtë një deklaratë të përbashkët ruso-kineze se shtetet nuk duhet të vendosin armë bërthamore jashtë kufijve të tyre.
“Është NATO ajo që po zgjerohet drejt Rusisë, nuk është Rusia ajo që po lëviz infrastrukturën e saj ushtarake drejt kufijve të NATO-s”, ka thënë Peskov në përgjigje të deklaratave të Stoltenbergut.
Finlanda iu bashkua aleancës të martën, duke dyfishuar gjatësinë e kufirit tokësor të NATO-s me Rusinë dhe Suedia pritet të bëhet anëtare. Moska ka njoftuar se do të monitorojë nga afër vendosjen e forcave të NATO-s brenda Finlandës dhe do të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme.
Edhe
Kremlini e quan “përshkallëzim” deklaratën e Stoltenbergut për armët bërthamore
Sot, presidenti rus Vladimir Putin priti homologun bjellorus Alexander Lukashenko në Moskë dhe dyshja ka të ngjarë të diskutojë çështjen e vendosjes së armëve bërthamore nga Rusia.
Rusia nuk ka dhënë një afat kohor të qartë se kur do ta bëjë këtë, por Putin ka thënë se ndërtimi i magazinës duhet të përfundojë deri në fillim të korrikut. Ky do të jetë dislokimi i parë i një pjese të arsenalit bërthamor të Rusisë jashtë kufijve të saj që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.