Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se forcat ushtarake dhe të sigurisë kanë vrarë 234 luftëtarë, “ndërsa penguan një inkursion nga Ukraina”, raporton agjencia “AP”.
Në një komunikatë, ministria ruse e ka fajësuar Kievin për sulmin dhe ka thënë se “formacionet terroriste të Ukrainës” kanë tentuar të futeshin në territorin rus.
Ministria ka thënë se ushtria ruse dhe forcat kufitare ishin në gjendje të ndalonin sulmuesit dhe të shmangnin një bastisje ndërkufitare. Po ashtu tha se sulmuesit humbën shtatë tanke e pesë automjete të blinduara.
Raportet e luftimeve ndërkufitare të së mërkurës ishin të vështira të konfirmoheshin. Sulmet ndërkufitare kanë ndodhur në mënyrë sporadike që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Ushtarët, për të cilët zyrtarët e Kievit thonë se janë vullnetarë rusë që luftojnë në Ukrainë, pretenduan se kishin kaluar kufirin. Legjioni i “Lirisë së Rusisë”, “Trupat Vullnetare Ruse” dhe “Batalioni Siberian” lëshuan deklarata dhe video në rrjete sociale duke pretenduar se ato janë bërë brenda territorit rus. Ata thanë se donin “një Rusi të çliruar nga diktatura e Putinit”.
Autenticiteti i videove nuk ka qenë i mundur të verifikohej.
Edhe
Inteligjenca britanike thotë se gati 500 mijë ushtarë rusë janë vrarë në luftën në Ukrainë
Luftëtarët që dolën nga Ukraina kishin tentuar të arrinin në qytetin Tetkino, i cili shtrihet afër kufirit, siç ka treguar guvernatori i rajonit Kursk të Rusisë, Roman Starovoit. Ai tha se Tetkino po granatohej.
c