Botë

Rusia sulmon Kievin për herë të parë pas disa javësh

Forcat ruse nisën një sulm me raketa në zonën e Kievit të enjten, për herë të parë pas disa javësh, dhe goditën gjithashtu rajonin verior të Chernihiv.

Zyrtarët ukrainas njoftuan për një kundërofensivë për ta rikthyer rajonin e pushtuar Kherson në jug të vendit, territor i pushtuar nga forcat e presidentit rus, Vladimir Putin në fillim të luftës, raportoi Associated Press.

Rusia sulmoi rajonin e Kievit me gjashtë raketa të lëshuara nga Deti i Zi, duke goditur një njësi ushtarake në fshatin Liutizh në periferi të kryeqytetit, sipas Oleksii Hromov, një zyrtar i lartë i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Ai tha se sulmi shkatërroi një ndërtesë dhe dëmtoi dy të tjera, derisa sipas tij, forcat ukrainase rrëzuan gjithashtu një nga raketat në qytetin Bucha.

Pesëmbëdhjetë vetë u plagosën në këto sulme, pesë prej tyre civilë, tha guvernatori rajonal i Kievit, Oleksiy Kuleba.