Zyra e shërbimeve të migracionit të Rusisë u hap në Melitopol, duke pranuar aplikime për nënshtetësinë ruse nga banorët e rajoneve jugore të pushtuara përmes një procedure të shpejtë. Procedura u zbatua për herë të parë në vitin 2019 në zonat e kontrolluara nga rebelët në Donbas, ku më shumë se 700 mijë njerëz kanë marrë pasaporta ruse.
Kur Vladimir Putini dërgoi ushtrinë e tij në Ukrainë në fund të muajit shkurt, presidenti rus premtoi se forcat e tij nuk do ta pushtonin shtetin. Mirëpo kur pushtimi ka arritur ditën e 100-të të premten, Moska e ka më të vështirë të heqë dorë nga territori të cilin e ka përfshirë në luftë.
Rubla tani është monedha zyrtare në rajonin lindor të Khersonit, së bashku me hryvnian ukrainase. Banorëve të këtij rajoni së bashku me pjesët e kontrolluara nga rusët në Zaporizhzhia u është ofruar mundësia që të pajisen me pasaporta ruse. Administratat e vendosura nga Kremlini në dy rajonet kanë folur për planet që të bëhen pjesë të Rusisë.
Liderët e përkrahur nga Moska në zonat separatiste në rajonin e Donbasit kanë shprehur të njëjtat qëllime. Putini ka njohur republikat e vetëshpallura si shtete të pavarura para se të niste pushtimin, ndërkaq luftë e ashpër është zhvilluar në javët e fundit me Rusinë që dëshiron ta “çlirojë” krejt Donbasin.
Planet e heshtura
Kremlini ka mbajtur të heshtura planet për qytetet dhe fshatrat e bombarduara, rrethuara dhe në fund të pushtuara. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se varet nga banorët e zonave të pushtuara që të vendosin për statusin e tyre.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, gjatë kësaj jave ka thënë se forcat armike tani kontrollojnë një të pestën e territorit të Ukrainës. Mirëpo në një videomesazh për 100 ditët e para të luftës, ai e ka bërë të qartë se Ukraina nuk do të dorëzohet lehtë.
“E kemi mbrojtur Ukrainën për 100 ditë. Fitorja do të jetë e jona”, ka thënë Zelenskyy.
Fillimisht, aneksimi i më shumë tokave nga Ukraina nuk besohej se ishte qëllimi kryesor i pushtimit rus. Mendohej se qëllimet e Kremlinit ishin të instalonte një qeveri pro-Moskës në Kiev, që do të pamundësonte anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe do ta zhyste në ndikimin e Rusisë.
Mirëpo sipas analistëve politikë, Moska tani nuk ka gjasa që të ndalë avancimin ushtarak në Ukrainë.
“Natyrisht se Rusia synon të qëndrojë [në Ukrainë]”, ka thënë Andrei Kolesnikov, përfaqësues i “Carnegie Endowment for International Peace”. Për Rusinë “është e hidhur të lëshojë territorin e pushtuar, ani pse nuk ishte pjesë e planit origjinal”.
Forcat ruse pushtuan Khersonin dhe Zaporizhzhian në ditët e para të luftës, duke marrë kontrollin pothuajse të plotë të Detit Azov dhe korridorin tokësor për në Krime, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014. Rusët kompletuan pushtimin në muajin prill kur morën kontrollin e Mariupolit, qytet i cili u rrethua për tre muaj.
Kundër pushtimit
Banorët e qyteteve Kherson dhe Melitopol dolën në rrugë për të protestuar kundër pushtimit dhe u përballën me ushtrinë ruse. Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se Rusia mund të organizojë referendum në Kherson për të deklaruar rajonin si shtet të pavarur.
Petro Kobernyk, 31-vjeçar, aktivist që iku nga Khersoni, ka thënë se forcat ruse të sigurisë janë duke përndjekur aktivistët pro-Ukrainës.
“Qindra aktivistë, përfshirë miqtë e mi, po mbahen nëpër bodrumet e shërbimeve të sigurisë”, ka thënë Kobernyk. “Ata që vazhdimisht kanë shprehur pozitat e tyre, janë kidnapuar, torturuar dhe kërcënuar”.
Forcat ruse po i mbajnë qytetarët në “vakum të informacionit” pasi uebfaqet ukrainase janë të bllokuara, ka thënë ai.
Mirëpo disa zona të pushtuara të Ukrainës kanë mirëpritur kontrollin rus.
“Si fëmijë kam dashur të jetoj në Rusi dhe tani e kam kuptuar se nuk më duhet të shpërngulem për këtë”, ka thënë Vadim Romanova, 17-vjeçar nga Mariupoli.
Në qytetet e pushtuara nga Rusia në Ukrainën jugore, njerëzit me pikëpamje pro-Kremlinit zëvendësuan kryetarët e bashkive dhe udhëheqësit e tjerë lokalë, të cilët u zhdukën në atë që zyrtarët dhe mediat ukrainase kanë thënë se ishin kidnapime. Flamujt rusë u ngritën dhe transmetimet shtetërore ruse që promovonin versionin e pushtimit të Kremlinit i zëvendësuan kanalet televizive ukrainase.
Rubla ruse u prezantua si monedha e dytë zyrtare në të dy rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia - të paktën në pjesët nën kontrollin rus - dhe administratat proruse filluan të ofrojnë “pagesë sociale” prej 10 mijë rublave (afër 163 dollarë) për banorët vendas.
Menaxhimi rus
Zyra e shërbimeve të migracionit të Rusisë u hap në Melitopol, duke pranuar aplikime për nënshtetësinë ruse nga banorët e rajoneve jugore të pushtuara përmes një procedure të shpejtë. Procedura u zbatua për herë të parë në vitin 2019 në zonat e kontrolluara nga rebelët në Donbas, ku më shumë se 700 mijë njerëz kanë marrë pasaporta ruse.
Zyrtarët e lartë rusë filluan të bëjnë turne nëpër rajone, duke reklamuar perspektivat e territoreve për t'u integruar në Rusi. Zëvendëskryeministri Marat Khusnullin vizitoi Khersonin dhe Zaporizhzhia në mes të majit dhe tregoi se ata mund të bëhen pjesë e “familjes sonë ruse”
Një zyrtar i lartë në partinë qeverisëse të Kremlinit, Rusia e Bashkuar, Andrei Turchak, ka thënë edhe më troç në një takim me banorët e Khersonit: “Rusia është këtu përgjithmonë”.
Anëtarët e administratave pro-Kremlinit në të dy rajonet njoftuan shpejt se zonat do të kërkonin të përfshiheshin në Rusi.
Oleg Kryuchkov, zyrtar në Krimenë e aneksuar nga Rusia, ka thënë se dy rajonet jugore kanë kaluar te ofruesit rusë të internetit. Media shtetërore publikoi pamjet e njerëzve të rreshtuar për të marrë kartat SIM ruse për telefonat e tyre. Kryuchkov ka thënë gjithashtu se të dy rajonet po kalojnë në kodin e shtetit rus, +7, nga +380 ukrainas.
Ligjvënësi i lartë rus, Leonid Slutsky, anëtar i delegacionit rus në bisedimet e ngecura të paqes me Ukrainën, ka thënë se referendumet për bashkimin me Rusinë mund të zhvillohen në rajonet Donbas, Kherson dhe Zaporizhzhia që në muajin korrik.
Zëdhënësi i Kremlinit, Peskov, ishte i bindur kur u pyet të premten nëse autoritetet ruse planifikojnë të mbajnë votime në ato zona, duke thënë se kjo do të varej nga rrjedha e ofensivës së Rusisë.
Tatyana Stanovaya, themeluese dhe shefe e R.Politik, institut i pavarur i mendimit mbi politikën ruse, ka thënë se Putini nuk dëshiron të nxitojë referendumet dhe të rrezikojë që ato të denoncohen si false.
“Ai dëshiron që referendumi të jetë i vërtetë, në mënyrë që Perëndimi të shohë se me të vërtetë Rusia kishte të drejtë, njerëzit duan të jetojnë me Rusinë”, ka thënë Stanovaya.
Ekspertët ukrainas thonë se nuk do të jetë e lehtë për Kremlinin të mbledhë mbështetje të vërtetë në jugun e Ukrainës.
Volodymyr Fesenko, nga qendra e mendimit Penta Center me bazë në Kiev, ka thënë se shumica e banorëve të rajoneve jugore identifikohen si ukrainas më shumë, sesa njerëzit në zonat që janë më afër Rusisë ose janë udhëhequr nga separatistët e mbështetur nga Moska në tetë vjetët e fundit.