Ukraina ka lansuar një valë të re masive të sulmeve me dronë të dielën, ndërsa sot është dita e fundit e zgjedhjeve presidenciale në Rusi në të cilat presidenti Vladimir Putin po pritet ta marrë edhe një mandat të ri gjashtëvjeçar, ka njoftuar agjencia “AP”.
Ministria e Brendshme e Rusisë ka raportuar 35 dronë ukrainas gjatë orëve të para të së dielës, përfshirë katër në rajonin e Moskës.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë se një dron i pestë është rrëzuar afër aeroportit “Domodedovo” në Moskë në mëngjesin e të dielës. Nuk është raportuar për viktima e dëme.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, dy dronë janë rrëzuar në rajonin Kaluga në jug të Moskës dhe Yaroslavl në verilindje të kryeqendrës ruse.
Sulmi në Yaroslavl, që është rreth 800 kilometra nga kufiri ukrainas, është një nga objektivat më të largëta që ka shënjestruar deri më tash Ukraina.
Më tepër dronë ukrainas është raportuar se janë rrëzuar në Belgorod, Kursk dhe Rostov që janë në kufi me Ukrainën dhe në rajonin jugor Krasnodar, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Edhe
Ukraina lëshon mbi 400 dronë drejt Moskës teksa Zelensky përballet me protesta
Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se një predhë ukrainase ka vrarë një vajzë 16-vjeçare të dielën dhe ka plagosur babanë e saj.
Një dron ka rënë në një rafineri nafte në Krasnodar, duke shkaktuar zjarr masiv që u shua disa orë më vonë, siç kanë njoftuar autoritet lokale. Një punonjës i rafinerisë raportohet se vdiq nga sulmi në zemër.
Rafineritë dhe depot e naftës kanë qenë shënjestra kyçe të sulmeve ukrainase.