Botë

Rusia po përdor Interpolin për t’i shënjestruar kritikët jashtë vendit, zbulojnë dokumentet

Interpol

Një rrjedhje dokumentesh brenda Interpolit ka zbuluar se Rusia ka keqpërdorur listat e kërkimit të organizatës për të ndjekur kritikët e saj jashtë vendit. Të dhënat e siguruara nga BBC dhe Disclose tregojnë se Moska kryeson për nga numri i ankesave për kërkesa arrestimi të motivuara politikisht, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi efektivitetin e mekanizmave mbrojtës të Interpolit.

Mijëra dokumente të dorëzuara nga një sinjalizues brenda Interpolit zbulojnë për herë të parë përmasat e dukshme të abuzimit të Rusisë me këtë agjenci ndërkombëtare policore, për të vënë në shënjestër kritikët e saj jashtë vendit.

Të dhënat, të siguruara nga BBC World Service dhe media investigative franceze Disclose, tregojnë se Rusia po përdor listat e kërkimit të Interpolit për të kërkuar arrestimin e personave si kundërshtarë politikë, biznesmenë dhe gazetarë, duke pretenduar se ata kanë kryer vepra penale.

Analiza e të dhënave tregon gjithashtu se gjatë dekadës së fundit, njësia e pavarur e Interpolit për trajtimin e ankesave ka marrë më shumë ankesa kundër Rusisë se ndaj çdo shteti tjetër - tre herë më shumë se vendi i dytë në renditje, Turqia.

Për më tepër, këto ankesa kundër kërkesave të Moskës kanë çuar në anulimin e më shumë rasteve se për çdo vend tjetër.

Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Interpoli vendosi kontroll shtesë mbi aktivitetin e Moskës “për të parandaluar çdo keqpërdorim të mundshëm të kanaleve të Interpolit në lidhje me shënjestrimin e individëve brenda ose jashtë konfliktit në Ukrainë”.

Megjithatë, dokumentet e rrjedhura sugjerojnë se këto masa nuk e ndaluan Rusinë të abuzonte me sistemin, dhe sinjalizuesi tha se disa masa më të rrepta u hoqën në heshtje në vitin 2025.

Në reagimin e saj, Interpoli deklaron se çdo vit mijëra nga kriminelët më të rrezikshëm në botë arrestohen falë operacioneve të tij dhe se ka disa mekanizma për të parandaluar keqpërdorimin, të cilët janë forcuar vitet e fundit. Agjencia shton gjithashtu se është e vetëdijshme për ndikimin e madh që mund të kenë kërkesat për arrest mbi jetën e individëve.

“Kur të vendosin një njoftim të kuq, jeta jote ndryshon plotësisht”, thotë Igor Pestrikov, një biznesmen rus, emri i të cilit shfaqet në dokumentet e rrjedhura.

Mes dy zgjedhjeve

Interpoli nuk është një forcë policore globale, por një organizatë që ndihmon policitë e vendeve të ndryshme të bashkëpunojnë mes tyre. Një “njoftim i kuq” është një alarm që u dërgohet të 196 vendeve anëtare, duke kërkuar lokalizimin dhe arrestimin e një personi. Një “difuzion i kuq” është i ngjashëm, por u dërgohet vetëm vendeve të caktuara.

Pestrikov zbuloi se ishte përfshirë në një difuzion të kuq pasi u largua nga Rusia në qershor 2022 - katër muaj pas fillimit të pushtimit të Ukrainës  dhe aplikoi për azil në Francë.

Ai ndjeu se kishte vetëm dy zgjedhje: “Të shkoja te policia dhe të thosha: ‘Jam në sistemin e Interpolit’”, duke rrezikuar arrestimin, ose të fshihej. Kjo do të thoshte, sipas tij, se “nuk mund të marrësh me qira një apartament, llogaritë bankare bllokohen”, gjë që i ndodhi edhe atij.

“Je vazhdimisht i tensionuar, gjatë gjithë kohës”, thotë ai, duke shpjeguar se gjithmonë shikonte pas shpine. Për arsye sigurie, vajza e tij dhe nëna e saj u zhvendosën në një vend tjetër. “Policia mund të të hyjë në shtëpi në çdo moment… prandaj ndihesh si një mi i zënë në qoshe”, shprehet ai.

“Janë stresi, nervat, presioni dhe paligjshmëria që ushtrohet mbi ty”, thotë ai, “që shkatërrojnë familjet”.

Pestrikov kishte qenë aksionar kryesor në disa kompani të mëdha metalurgjike në Rusi, të privatizuara në vitet 1990, përfshirë më së shumti Fabrikën e Magnezit në Solikamsk.

Në muajt para pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, ai thotë se ministra të qeverisë e kishin ushtruar presion që të ndalonte shitjen e produkteve jashtë vendit dhe të furnizonte vetëm tregun rus. Ai besonte se kjo do të nënkuptonte përdorimin e produkteve të tij për prodhimin e komponentëve ushtarakë, si avionë luftarakë dhe tanke.

Ai thotë se nuk ishte vetëm çështje fitimi - “të shisje shumë më lirë dhe vetëm atyre që ministritë të urdhëronin” - por edhe një çështje morale: “Askush nuk donte të përfshihej, qoftë edhe indirekt, në prodhimin e diçkaje që përdoret për të vrarë njerëz”.

Pestrikov beson se refuzimi i tij për të bashkëpunuar dhe fakti që bashkëshortja e tij në atë kohë ishte ukrainase, çuan në nacionalizimin e kompanive të tij dhe në nisjen e hetimeve penale ndaj tij për krime financiare.

Pasi u largua në Francë, ai kishte frikë se Kremlini mund të përpiqej ta ndiqte edhe atje, ndaj kontaktoi Interpolin dhe u informua për ekzistencën e difuzionit të kuq, i cili kishte kaluar kontrollet e agjencisë.

Pestrikov vendosi ta kundërshtonte këtë përmes organit të pavarur mbikëqyrës të Interpolit, Komisionit për Kontrollin e Dosjeve të Interpolit (CCF), duke argumentuar se kërkesa e Rusisë ishte e motivuar politikisht.

Kushtetuta e Interpolit përcakton qartë se organizata nuk mund të përdoret “për të ndërmarrë ndërhyrje apo veprimtari me karakter politik, ushtarak, fetar apo racor”.

Pasi Pestrikov kishte kaluar pothuajse dy vjet në listën e personave në kërkim, Komisioni për Kontrollin e Dosjeve të Interpolit (CCF) vendosi se rasti i tij ishte kryesisht politik. Ai i tregoi BBC-së dokumente të CCF-së, ku thuhej se informacioni i ofruar nga Rusia ishte “i përgjithshëm dhe formular”, si dhe se kishte një “shpjegim të pamjaftueshëm” për krimin e pretenduar. Si pasojë, Interpoli anuloi kërkesën për arrestimin e Pestrikovit.

Interpoli publikon vetëm të dhëna shumë bazike mbi kërkesat e paligjshme për arrest dhe, që nga viti 2018, nuk tregon më se cilat vende janë objekt i ankesave dhe hetimeve. Kjo mungesë transparence e bën të vështirë vlerësimin e përmasave reale të problemit, por për herë të parë, dokumentet e rrjedhura ofrojnë një pasqyrë shumë më të plotë.

Keqpërdorimi i sistemit

Një grup dokumentesh i ndarë me BBC-në përmban një listë ankesash të dërguara në CCF. Të dhënat nuk janë të plota, por mbulojnë një gamë të gjerë vendesh dhe, aty ku përmendet shteti që ka kërkuar arrestimin, Rusia rezulton të ketë më shumë ankesa se çdo vend tjetër – një prirje që ka vazhduar për 11 vjetët e fundit.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se gjatë dekadës së fundit, të paktën 700 persona të kërkuar nga Rusia kanë paraqitur ankesa në CCF dhe se të paktën 400 prej tyre kanë arritur anulimin e njoftimeve të kuqe ose difuzioneve  - më shumë se për çdo shtet tjetër, sipas të dhënave të siguruara.

“Historikisht, Rusia ka qenë një nga abuzuesit kryesorë të njoftimeve të kuqe”, thotë avokati britanik Ben Keith, i cili ka përfaqësuar shumë klientë që kërkojnë heqjen e emrit nga listat e kërkimit të Interpolit.

Sipas tij, Interpoli ka një problem të veçantë me Rusinë dhe përpjekjet e agjencisë për të parandaluar abuzimin nuk kanë qenë të suksesshme. Ai thotë se ka “një rrjedhë të vazhdueshme klientësh” që janë objekt i njoftimeve të kuqe ruse, të cilët ose janë të lidhur politikisht, ose mbështesin Ukrainën, ose janë viktima të grabitjeve korporative.

Edhe juristi ndërkombëtar Yuriy Nemets, i specializuar në çështjet e Interpolit dhe ekstradimit, pajtohet se kontrolli shtesë i kërkesave ruse, i vendosur pas pushtimit të plotë të Ukrainës, nuk ka funksionuar siç duhet.

Ai thotë se është në dijeni të disa rasteve ku rusë kundër luftës “janë vënë në shënjestër për shkak të deklarimeve publike kundër asaj që po ndodh dhe janë akuzuar për krime financiare ose vepra të zakonshme penale, duke u futur në databazën e Interpolit mbi këtë bazë”.

“Nuk është e vështirë të manipulohet sistemi”, shton ai.

Përveç informacionit mbi njoftimet dhe ankesat, burimi i brendshëm i Interpolit i ka dhënë BBC-së edhe mijëra mesazhe të shkëmbyera mes shteteve përmes sistemit të komunikimit të Interpolit, duke zbuluar një rrugë tjetër, më pak formale, për gjurmimin e personave jashtë vendit.

Një mesazh nga Moska drejtuar autoriteteve të rendit në Abu Dhabi shpjegonte se Interpoli kishte refuzuar një kërkesë për njoftim të kuq, por se Rusia kërkonte gjithsesi ndihmë për të zbuluar vendndodhjen e personit në fjalë. Kjo bie ndesh me udhëzimet e Interpolit, sipas të cilave kanalet e tij nuk duhet të përdoren në këtë mënyrë.

Dokumentet e rrjedhura përfshijnë gjithashtu një mesazh lidhur me Armen Aramyan, një gazetar që ishte larguar nga Rusia pasi u dënua për “përfshirje të të miturve në aktivitete të rrezikshme”, për shkak të raportimit mbi protestat studentore në mbështetje të liderit opozitar Alexei Navalny në janar 2021.

Aramyan u largua fillimisht në Armeni dhe më pas në Gjermani. Mesazhi nga Rusia, dërguar autoriteteve të rendit në të dyja vendet, shmangte procedurat formale të njoftimeve dhe difuzioneve të kuqe dhe kërkonte “çdo informacion të dobishëm” mbi vendndodhjen dhe aktivitetin e tij.

Mesazhi u dërgua në shkurt 2023, në një periudhë kur Rusia ishte subjekt i masave kufizuese dhe komunikimet e saj kontrolloheshin përpara se të dërgoheshin. Nuk mund të thuhet me siguri nëse mesazhi u dërgua, por bazuar në burimin e të dhënave, sinjalizuesi beson se ai ka mbërritur te marrësit.

Kur BBC ia tregoi Aramyanit kopjen e mesazhit, ai tha se ishte i tronditur, por jo i befasuar.

“Nuk mendoj se ata prisnin që Gjermania t’u dërgonte adresën time, numrin e telefonit apo të më ekstradonte, por edhe ndonjë copëz e vogël informacioni do të kishte vlerë për ta”, tha ai.

Dokumentet përmbajnë edhe mesazhe të tjera ku autoritete të huaja u përgjigjen kërkesave të Moskës për informacion. Në disa raste, janë dërguar detaje mbi lëvizjet e aleates së Navalnyt, Lyubov Sobol, si dhe të dezertorit të profilit të lartë, Gleb Karakulov. Shkëmbimi i informacionit për Karakulovin ndodhi pasi Interpoli kishte shpallur masat shtesë të verifikimit ndaj Rusisë.

BBC-ja pati gjithashtu qasje në raporte të brendshme të Interpolit nga vitet 2024 dhe 2025, të cilat tregojnë shqetësime të vazhdueshme lidhur me aktivitetet e Rusisë nga drejtues të lartë të organizatës.

Në një prej tyre, një zyrtar i lartë u shpreh drejtpërdrejt ndaj delegatëve rusë për “shqetësime serioze” mbi “keqpërdorimin e qëllimshëm” të sistemeve të Interpolit, duke përmendur raste të “shkeljeve flagrante” të rregullave të organizatës.

Pavarësisht kufizimeve shtesë ndaj Rusisë, raportet tregojnë se rreth 90% e kërkesave ruse vazhdonin të kalonin kontrollet fillestare në vitin 2024. Ndërkohë, në të njëjtën periudhë, CCF anulonte afërsisht gjysmën e kërkesave ruse për të cilat paraqiteshin ankesa. Kjo ngre pikëpyetje mbi faktin nëse masat e marra kanë qenë mjaftueshëm të rrepta.

Një nga raportet përshkruan se si, në vitin 2024, Rusia tentoi të lëshonte difuzione të kuqe ndaj gjyqtarëve dhe një prokurori të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, pasi kjo gjykatë kishte lëshuar urdhër-arreste ndaj presidentit Vladimir Putin dhe një zyrtari tjetër të lartë rus për veprimet e tyre në Ukrainë.

Këto kërkesa të Moskës u refuzuan.

Edhe pse brenda Interpolit po shpreheshin shqetësime serioze për keqpërdorimin e sistemeve të tij nga Rusia, raportet tregojnë se gjatë viteve 2024 dhe 2025 po zhvilloheshin diskutime nëse duhej të hiqeshin kufizimet shtesë ndaj aktivitetit rus.

Mesa duket, çështja u zgjidh në favor të Moskës. Sinjalizuesi i tha BBC-së se në vitin 2025 Interpoli hoqi në heshtje disa masa shtesë ndaj Rusisë, megjithëse nuk është e qartë deri në çfarë mase shkoi ky zbutje e qëndrimit. Pavarësisht kërkesave të përsëritura për sqarim, Interpoli tha se nuk ishte në gjendje të komentonte për shkak të “rregullave strikte për përpunimin e të dhënave”.

BBC-ja nuk ishte në gjendje t’i zbulonte Interpolit të gjitha detajet e rrjedhjes së dokumenteve, pasi një gjë e tillë mund të nxirrte në pah burimin. Megjithatë, kur u pyet për çështjet e ngritura nga hetimi, Interpoli deklaroi se ishte “i shqetësuar që një numër akuzash duket se burojnë nga një keqkuptim i mënyrës se si funksionojnë sistemet e Interpolit dhe të CCF-së, ose nga pasaktësi faktike lidhur me të dhënat dhe ndryshimet brenda sistemeve të Interpolit”.

“Është e pavërtetë të thuhet se ne i japim përparësi bashkëpunimit policor përballë parandalimit të abuzimeve - Interpoli ndjek rregullat e tij, e cila ndalon shprehimisht përdorimin e sistemeve tona për informacion me karakter kryesisht politik, ushtarak, fetar apo racor,” thuhet në reagim.

Në të kaluarën, Interpoli ka deklaruar gjithashtu se mund të bëjë më shumë për të parandaluar krimet duke siguruar që kanalet e komunikimit të mbeten të hapura.

BBC-ja i kërkoi një koment Ministrisë së Brendshme të Rusisë, por nuk mori përgjigje.

Juristët Yuriy Nemets dhe Ben Keith bien dakord se Interpoli duhet të bëjë më shumë për të parandaluar keqpërdorimin e sistemeve të tij. “Nëse konstatohet se shtete të caktuara po abuzojnë në mënyrë të konsiderueshme dhe të vazhdueshme me njoftimet dhe difuzionet e kuqe, atëherë ato duhet të pezullohen për një periudhë nga sistemi”, thotë Keith.

Përndryshe, Igor Pestrikov shpreh frikën se Rusia, “me shtypjen e një butoni, mund të fusë çfarëdo informacioni, t’i veshë kujtdo një krim dhe kjo u jep mundësinë t’i përndjekin njerëzit më tej në mbarë botën”.