Botë

Rusia paralajmëron konfiskimin e më shumë aseteve perëndimore si shenjë hakmarrje

Kremlini ka deklaruar të mërkurën se mund të konfiskojë më shumë asete perëndimore si hakmarrje për lëvizjet e huaja kundër kompanive ruse, pasi mori kontrollin e përkohshëm të aseteve që i përkasin dy ndërmarrjeve shtetërore evropiane, raportoi Reuters.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar të martën mbrëma një dekret që vendos nën kontrollin e Moskës asetet ruse të Fortumit të Finlandës dhe Uniperit të Gjermanisë, të cilat operojnë termocentrale në Rusi.

Uniper ka thënë se po shqyrtonte aksionin kundër divizionit të saj rus Unipro, ndërsa Fortum ka njoftuar se janë duke hetuar pasi është mësuar nga dega e saj ruse se drejtori ekzekutiv është zëvendësuar.

Një zëdhënës i Ministrisë së Financave të Gjermanisë, e cila mbikëqyr pronësinë e qeverisë mbi Uniper, tha se Berlinit i duhet të vlerësojë implikimet konkrete të dekretit të Rusisë.

Ministri në largim i Finlandës, i ngarkuar me pronat shtetërore, Tytti Tuppurainen, shkroi në Twitter se informacioni ishte shqetësues dhe se shteti, si pronari i shumicës së Fortumit, do ta ndjekë çështjen nga afër.

"Dekreti i miratuar është përgjigje ndaj veprimeve agresive të vendeve jomiqësore. Kjo nismë pasqyron qëndrimin e qeverive perëndimore ndaj aseteve të huaja të kompanive ruse. Qëllimi kryesor i dekretit është krijimi i një fondi kompensimi për aplikimin e mundshëm të masave reciproke në përgjigje të shpronësimit të paligjshëm të aseteve ruse jashtë vendit”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.