Moska nuk sheh ndonjë mundësi për t'i dhënë fund luftës nëpërmjet negociatave diplomatike me Ukrainën, tha përfaqësuesi i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Genadi Gatilov. Ai shtoi se pret që konfrontimi mes dyja vendeve të zgjatet, raportoi BBC-ja të hënën.
Sipas Gatilovit, OKB-ja duhet të luajë rol të rëndësishëm në përpjekjet për ta përfunduar luftën, ndërsa shtoi se marrëveshja e nënshkruar në Stamboll për lejim të eksportimit të grurit, është shembull për përpjekjet ndërmjetësuese.
Zyrtari rus shtoi se Moska dhe Kievi ishin “shumë afër” në arritjen e marrëveshjes në prill për përfundimin e luftës.
Gatilovi theksoi se nuk do të ketë bisedime të drejtpërdrejta ndërmjet presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Sa më gjatë të vazhdojë konflikti, aq më e vështirë do të jetë gjetja e një zgjidhjeje diplomatike”, shtoi ai.