Botë

Rusia nis pastrimin e fushave të minuara në Nagorno-Karabakh

Foto: Reuters

Ekspertët rusë të eksplozivit nga Ministria e situatave emergjente kanë zbuluar më shumë se 10 mijë mjete të pashpërthyera në rajonin e Nagorno-Karabahut prej 8 dhjetorit.

Në mesin e mjeteve shpërthyese ka granata, arsenal artilerie, plumba, predha dhe raketa anti-tank. Ato janë gjetur të shpërndara në më shumë se 53 hektarë tokë, kryesisht në krahinën Askeran.

Ministria ruse ka bërë të ditur se arsenali i pashpërthyer është mbledhur në një vend dhe tashmë ka nisur procesi i çmontimit të tyre. Drejtuesi i misionit të çmontimit të minave, Maksim Çernenkov, ka bërë të ditur se ekipet kanë përdorur edhe dronët për t’i vrojtuar edhe ndërtesat e shkatërruara në rajonin e Nagorno-Karabahut.

Kjo krahinë shtrihet brenda territorit të Azerbajxhanit, por ishte nën kontroll të Armenisë që nga viti 1994, kur armenët etnikë u rebeluan kundër forcave azere. Lufta u ndal pas ndërmjetësimit të presidentit Vladimir Putin, me dërgimin e trupave ruse në terren.