Rusia ka ndaluar hyrjen në vend të dhjetëra gazetarëve britanikë dhe figura të fushës së mbrojtjes, ka njoftuar Ministria e Jashtme ruse, raportoi të martën BBC-ja.
Rreth 29 gazetarë janë ndaluar, përfshirë edhe ata të BBC-së, të cilët kanë raportuar nga Ukraina që nga fillimi i luftës.
Lista përfshin drejtorin e përgjithshëm të BBC-së Tim Davie, redaktorët e gazetave Times, Daily Telegraph, Guardian, Daily Mail dhe Independent, si dhe gazetarë nga Sky, Channel 4 dhe ITV.
Moska ka thënë se masa është marrë si përgjigje ndaj sanksioneve perëndimore dhe presionit të ushtruar ndaj mediave të saj shtetërore.
Në prill, Rusia ka thënë se nuk po planifikon të ndalonte gazetarët e huaj, por vetëm do të shtrëngojë rregullat e vizave nga vendet që ajo i ka quajtur jomiqësore.