Rusia ka bllokuar të mërkurën qasjen në uebsajtin kryesor të lajmeve të BBC-së në këtë vend, derisa ky vend po vazhdon të godasë mediat e pavarura.
Ende nuk dihet nëse BBC-ja do të jetë në gjendje të vazhdojë të raportojë nga brenda vendit, raporton The Guardian.
"Unë mendoj se ky është vetëm fillimi i masave hakmarrëse ndaj luftës së informacionit të nisur nga Perëndimi kundër Rusisë", ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në Telegram.
Ajo më parë kishte pretenduar se BBC-ja luan një rol të vendosur në minimin e stabilitetit dhe sigurisë ruse.
Në fillim të këtij muaji, përdoruesit në Rusi raportuan tashmë vështirësi për të hyrë në BBC dhe vendi kishte bllokuar më parë shërbimin rus të BBC-së.
Dhjetëra media janë bllokuar nga rregullatori i medias në këtë vend ose kanë zgjedhur të ndërpresin veprimtarinë. Rusia bllokoi gjithashtu Facebookun, Instagramin dhe Twitterin në fillim të këtij muaji përpara përcaktimit të Metës si një "organizatë ekstremiste".