Deklaratat e tij erdhën pas vizitës në Kiev, ku Moska zyrtare mohoi raportet se ai dhe Putini arritën një marrëveshje për depërshkallëzimin e krizës. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se "në situatën aktuale, Moska dhe Parisi nuk mund të arrijnë asnjë marrëveshje"
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar të martën se homologu rus, Vladimir Putin, i tha se Moska nuk do të përshkallëzonte më tej krizën në Ukrainë.
Macron deklaroi gjithashtu se do të duhej kohë për të gjetur një zgjidhje diplomatike për tensionet në rritje, të cilat përfaqësojnë krizën më të madhe të sigurisë midis Rusisë dhe Perëndimit që nga lufta e ftohtë.
Deklaratat e tij erdhën gjatë vizitës në Kiev, pasi Moska zyrtare mohoi raportet se ai dhe Putini arritën një marrëveshje për depërshkallëzimin e krizës. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se "në situatën aktuale, Moska dhe Parisi nuk mund të arrijnë asnjë marrëveshje".
Macron u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, mes frikës në rritje për një pushtim rus. Moska ka grumbulluar mbi 100.000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, por këmbëngul se nuk ka plane për të sulmuar.
Kremlini kërkon garanci nga Perëndimi se NATO-ja nuk do ta pranojë Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike si anëtare, se do të ndalojë dislokimet e armëve atje dhe se do të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore – kërkesa që SHBA-ja dhe NATO-ja i refuzojnë.
Në një konferencë shtypi pas takimit me Zelenskyyn, Macron tha se Putini i deklaroi atij gjatë takimit të tyre prej më shumë se pesë orësh, të hënën, se “ai nuk do të iniciojë përshkallëzim. Mendoj se është e rëndësishme”.
Sipas presidentit francez, Putini tha gjithashtu se nuk do të ketë asnjë "bazë të përhershme (ushtarake)" ose "vendosje" ruse në Bjellorusi, ku Rusia kishte dërguar një numër të madh trupash për lojëra luftarake.
Peskov tha se tërheqja e trupave ruse nga Bjellorusia pas manovrave ishte menduar që nga fillimi.
Zelenskyy tha se do të mirëpriste hapat konkretë të Putinit për depërshkallëzimin e situatës, duke shtuar se ai nuk "u beson fjalëve në përgjithësi".
Macron gjithashtu u përpoq të zbusë pritshmëritë.
"Le të mos jemi naivë", tha ai. “Që nga fillimi i krizës, Franca nuk ka qenë e prirë të ekzagjerojë, por në të njëjtën kohë nuk besoj se kjo krizë mund të zgjidhet në pak orë, përmes diskutimeve”.
Zelenskyy i quajti bisedimet e tij me Macron "shumë të frytshme".
“Ne kemi një pikëpamje të përbashkët me presidentin Macron për kërcënimet dhe sfidat ndaj sigurisë së Ukrainës, të gjithë Evropës, të botës në përgjithësi”, tha Zelenskyy.
Ai tha se Franca po jepte 1.2 miliardë euro ndihmë financiare për Ukrainën dhe po ndihmonte në rivendosjen e infrastrukturës në lindjen e vendit të shkatërruar nga lufta.
Udhëheqësit perëndimorë javët e fundit janë angazhuar në bisedime të nivelit të lartë dhe më shumë janë planifikuar në sfondin e stërvitjeve ushtarake në Rusi dhe Bjellorusi. Të martën, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se gjashtë anije zbarkuese amfibe po lëviznin nga Mesdheu në Detin e Zi për stërvitje dhe dy bombardues bërthamorë me rreze të gjatë Tu-22M3 patrulluan mbi Bjellorusi.
Macron tha se nuk priste që Putini të bënte ndonjë "gjest", duke theksuar se objektivi i tij ishte "të parandalonte një përshkallëzim dhe të hapte perspektiva të reja. Ky objektiv është arritur”.
Macron tha se Putini "krijoi një kurth kolektiv" duke nisur shkëmbimin e dokumenteve me SHBA-në. Moska ia paraqiti kërkesat e saj Uashingtonit në formën e projekt-marrëveshjeve që u bënë publike dhe këmbënguli për një përgjigje me shkrim, e cila më pas u zbulua.
“Në historinë e diplomacisë nuk ka pasur kurrë një krizë që është zgjidhur me shkëmbime letrash që do të bëhen publike më pas”, tha ai, duke shtuar se për këtë arsye vendosi të shkojë në Moskë për bisedime të drejtpërdrejta.