Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia fut ligjin ushtarak në territoret e aneksuara në Ukrainë

Ligji ushtarak, në katër rajonet e Ukrainës të aneksuara nga Moska do të ushtrohet që nga e enjtja, sipas një dekreti të publikuar nga shërbimi i shtypit i Kremlinit të mërkurën, i cili është nënshkruar paraprakisht nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Rajonet e Khersonit, Zaporizhzhias, Donetskut dhe Luhanskut tani janë nën kontrollin e plotë rusë. Vendet perëndimore e kanë dënuar aneksimin e tyre, duke e quajtur këtë dhunim të së drejtës ndërkombëtare, derisa janë zotuar të mos i njohin ato si territori rus, raportoi CNN-i të mërkurën.

“Kam vendosur që ligji ushtarak të hyjë në fuqi që nga 20 tetori 2022, në territoret e Republikës Popullore të Donetskut, Republikës Popullore të Luhanskut, rajoneve Zaporizhzhia dhe Kherson”, thuhet në dekretin e Putinit.

Sipas dekretit, selitë e mbrojtjes territoriale po krijohen në rajonet e vetëshpallura të Republikës Popullore të Donetskut (DPR), Republikën Popullore të Luhanskut (LPR), Zaporizhzhia dhe Kherson.

Të mërkurën, Viktor Vodolatsky, deputeti i Dumës së Shtetit Rus, i tha medias shtetërore ruse TASS se futja e ligjit ushtarak nënkupton forcimin e punës së të gjitha shërbimeve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit.

Sipas Vodolatsky, evakuimi i banorëve të rajonit DPR, LPR dhe Zaporizhzhia nuk është planifikuar, përjashtim do të jetë rajoni Kherson, ku kjo tashmë po zhvillohet.