Botë

Rusia fitoi 93 miliardë euro në 100 ditët e para të luftës nga shitjet e karburanteve fosile

Rusia ka fituar 93 miliardë euro nga eksportet e karburanteve fosile gjatë 100 ditëve të para të luftës në Ukrainë, sipas një raporti nga Qendra për Kërkimin e Energjisë dhe Ajrit të Pastër (CREA), shkruan “NDTV” të hënën.

Siç thuhet në raport, pjesa më e madhe është dërguar në vendet e Bashkimit Evropian dhe me një çmim mesatar eksporti, rreth 60 për qind më i lartë sesa vitin e kaluar.

Raporti i CREA-s me bazë në Finlandë, tregon se BE-ja bleu 61 për qind të eksporteve të karburanteve fosile të Rusisë gjatë 100 ditëve të para të luftës, me vlerë rreth 57 miliardë euro (60 miliardë dollarë).

Pjesën tjetër, Rusia e ka shitur te vendet jashtë BE-së, ku në krye është Kina që ka blerë në vlerë prej 12.6 miliardë euro. Pas saj, blerjet më të mëdha i ka bërë Gjermania - 12.1 miliardë euro dhe Italia 7.8 miliardë euro.

Të ardhurat e Rusisë nga karburantet fosile vijnë së pari nga shitja e naftës së papërpunuar (46 miliardë), e ndjekur nga gazi që rrjedh nëpër tubacione, produktet e naftës, gazi natyror i lëngshëm (LNG) dhe qymyri.

Edhe pse eksportet ruse ranë në maj dhe vendet e kompanitë e ndryshme shmangën disa nga blerjet për shkak të pushtimit të Ukrainës, rritja globale e çmimeve të karburanteve fosile vazhdoi të mbushë arkat e Kremlinit, e kësisoj edhe t’i japë shtytje për vazhdim të luftës në Ukrainë.

Çmimet e eksportit të Rusisë ishin mesatarisht rreth 60 për qind më të larta sesa vitin e kaluar, sipas CREA-s.

Disa vende kanë rritur blerjet e tyre nga Moska, duke përfshirë Kinën, Indinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Francën, shtoi raporti.

BE-ja e SHBA-ja në vazhdimësi i kanë vënë sanksione Rusisë, duke synuar t’ia ndalin të ardhurat në mënyrë që t’i japë fund luftës, por rritja e çmimit të derivateve ka bërë që Rusia të fitojë më shumë, edhe pse ka shitur më pak.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.