Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Rusia duhet të pësojë disfatë në Ukrainë”

Historiani prominent amerikan Timothy Snyder është ndër njohësit më të mirë të Ukrainës dhe Europës Lindore. Në një intervistë me gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” Snyder shpjegon se pse Rusia duhet ta humb luftën në Ukrainë dhe pse demokracia në shtetet imperialiste triumfon vetëm pas disfatës së tyre.

Ka shumë ekspertë që flasin për Ukrainën, por askush nuk është aq i qartë, aq i shkathtë, aq mendjemprehtë, aq vizionar sa Timothy Snyder. Ai është profesor në Yale University, autor i disa librave si “Bloodlands” dhe “Black Earth” dhe pjesëmarrës i rregullt në debatet intelektuale mbi politikën ndërkombëtare. Në librin “Bloodlands” Timothy Snyder analizon zonën e vdekjes me vendeve baltike dhe Detit të Zi, ku nazizmi dhe stalinizmi bënë kërdi.

Në një intervistë me gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” Snyder thotë se “është shumë e vjetër imagjinata se Ukraina është resurs, por jo atdhe i njerëzve. Në kohën sovjetike dhe gjatë sundimit nazist kjo mendësi mori formë ekstreme. Për Stalinin Ukraina ishte në fokus të ‘kolonizimit të brendshëm’: bujqit ukrainas duhej sakrifikuar në mënyrë që të themeloheshin qytetet dhe industria. Nga pikëpamja naziste gjermanët si ‘racë superiore’ mund të bënin çfarë të donin. Sado të ndryshme që ishin planet afatgjata të Bashkimit Sovjetik dhe të nazistëve, të dy palët ishin të bindura se Ukraina është vetëm resurs për të përsosur fatin e Gjermanisë apo të Bashkimit Sovjetik. Ky aspekt kolonialist pothuaj nuk merret parasysh në debatet gjermane apo amerikane mbi Luftën e Dytë Botërore. Ndonëse shumëçka nga kjo mendësi ka efekt deri më sot: Edhe Gjermania tek para disa javësh me habi e pranoi se ukrainasit vërtet janë komb”.

Snyder e përshkruan Rusinë si shtet imperialist dhe thekson se përvoja historike tregon se tek pas disfatës në shtetet imperialiste është etabluar demokracia. Për këtë arsye, thotë Snyder, Rusia duhet të pësojë disfatë në Ukrainë. Shtetet postkoloniale, siç është Ukraina, fitojnë përherë, është i bindur Snyder. “Askush nuk ka llogaritur me fitoren e Vietnamit kundër SHBA-ve, me fitoren e Algjerisë kundër Francës. Në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të shtetet e vogla përherë i kanë mposhtur të mëdhatë. Fitorja e Ukrainës nuk do të ishte befasi. Kjo luftë që nga fillimi më është dukur si një lloj gare. Ndryshe nga shoqëria ruse e cila është e hierarkizuar në mënyrë ekstreme, Ukraina ka një shoqëri civile të decentralizuar, pothuaj kryengritëse. Në ditët e para të dhimbshme unë kam qenë i tronditur si të gjithë të tjerët. Por kam llogaritur se kjo shoqëri civile e decentralizuar do të rezistojë”.

Në intervistë Snyder kritikon Gjermaninë për qasjen ndaj Ukrainës. “Diskutimi gjerman mbi Ukrainën tepër gjatë nisej nga premisa kolonialiste se ukrainasit nuk duhet dëgjuar, se vendi i tyre nuk është subjekt historik. Por një fuqi e dikurshme kolonialiste së pari duhet të dëgjojë të kolonizuarit e dikurshëm. Politikanët gjermanë që merreshin me Europën Lindore debatuan me fuqinë tjetër kolonialiste – me Rusinë. Ndërkohë gjermanët po i dëgjojnë ukrainasit. Hapi tjetër duhet të jetë ky: ish-fuqia kolonialiste duhet t’i drejtohet vetes. Në këtë stad gjendet Gjermania tani”.

Përgatiti: E. Robelli

Artikuj të ngjashëm