Rusia ka bombarduar aksidentalisht një fshat të saj të martën, raportoi të mërkurën “The Moscow Times”.
Një aeroplan luftarak rus bëri një "lëshim urgjent" të ngarkesës së tij shpërthyese mbi një fshat në rajonin e Voronezh të Rusisë perëndimore, kanë bërë të ditur autoritetet ushtarake dhe civile.
“Rreth orës 9:00 të mëngjesit të 2 janarit, derisa një aeroplan i Forcave Ajrore po fluturonte mbi fshatin Petropavlovka në rajonin e Voronezhit, pati një lëshim urgjent të municioneve të aviacionit”, ka thënë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë në një deklaratë.
Aty shtohet se askush nuk është vrarë apo plagosur në këtë shpërthim, ndërsa është shtuar se të paktën gjashtë ndërtesa në pronësi private janë dëmtuar.
"Një hetim është duke u zhvilluar për rrethanat e ngjarjes. Një komision po punon në vendngjarje për të vlerësuar natyrën e dëmit dhe për të ndihmuar në restaurimin e ndërtesave", vijon deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes.
Guvernatori i rajonit të Voronezh, Aleksander Gusev tha se disa banorë të Petropavlovka po zhvendosen në objektet e strehimit të përkohshëm.
Edhe
Evakuim i pjesshëm pas sulmeve në një bazë ushtarake pranë Shën Petersburgut
Shpërthimi në Petropavlovka vjen pasi Rusia të martën nisi sulme me raketa kundër qyteteve të Ukrainës, duke vrarë të paktën katër persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.
Petropavlovka shtrihet rreth 150 kilometra në lindje të kufirit të Rusisë me Ukrainën.