Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia akuzohet se përdori spiun për t’ia vjedhur AstraZenecas formulën e vaksinës

Rusia është akuzuar për përdorimin e një spiuni në Britani të Madhe, me qëllim të vjedhjes së modelit për vaksinën anti-COVID të AstraZenecas. Kjo thuhet se u bë që “Vladimir Putin të krijojë vaksinën dhe të fitojë garën për të prodhuar ilaçin kundër koronavirusit”.

Burimet e mediumit britanik Dailymail thonë se kanë dëshmi që në Britaninë e Madhe ishte një plan sekret që tentoi ta vidhte formulën e vaksinës. Por, nuk u bë e qartë nëse kjo ndodhi brenda laboratorit të Oksfordit apo jashtë tij.

Ministri britanik i Punëve të Brendshme, Damian Hinds, ka deklaruar se nuk mund ta komentojë rastin, mirëpo as nuk e mohoi atë.

“Është e drejtë të supozohet se ka shtete të huaja që vazhdimisht tentonin të merrnin në dorë informacione të ndjeshme, përfshirë ato shtetërore, shkencore apo pronësi intelektuale”, deklaroi ai.

Bëhet e ditur se hakerët rusë kishin bërë përpjekje për sulme kibernetike në Universitetin e Oksfordit, që nga marsi i 2020-s, rreth një muaj kur shkencëtarët njoftuan se po përgatitnin zhvillimin e një vaksine.

Edhe Autoritetet amerikane thonë se agjencitë ruse kanë filluar fushatë kundër vaksinës së Pfizerit Botë Autoritetet amerikane thonë se agjencitë ruse kanë filluar fushatë kundër vaksinës së Pfizerit

Në prill të vitit të kaluar, Oksfordi dhe AstraZeneca njoftoi se kishin nisur provat e para në njerëz, mirëpo një muaj më pas, Moska zyrtare tha se e kishte shpikur vaksinën e tyre. Në gusht të po atij viti, presidenti rus, Vladimir Putin, “shpalli fitoren” se Rusia ka bërë zbulimin e vaksinës anti-COVID. Më vonë, doli që vaksina Sputnik V, funksiononte në të njëjtën mënyrë si AstraZeneca, dhe se të dyja përdornin virusin e njëjtë për ta bartur agjentin imunitetin që shkatërron koronavirusin.

“Unë mendoj se duhet të merremi seriozisht me spiunazhin rus dhe kinez. Pavarësisht nëse është vjedhja e modelit për AstraZenecan apo spiunimi ndaj burimeve tona”, ka thënë deputeti i konservatorëve, Bob Seely.