Shumë emigrantë rusë u panë në protestën e fundit në Beograd kundër luftës në Ukrainë.
Mes tyre ishte edhe një violonçelist, i cili pas shpërthimit të luftës humbi punën në orkestrën e Shën Petersburgut.
“Më pushuan nga puna, sepse ua shpreha kolegëve mendimin tim për luftën”, tha ai për gazetën gjermane “Frankfurter Rundschau”.
Familja dhe gruaja e nënës së tij vijnë nga Ukraina. “Në fakt, pas aneksimit të Krimesë ne donim të emigronim nga Rusia. Lufta në Ukrainë ishte një pikë që mbushi kovën".
Sipas ”Frankfurter Rundschau”, mijëra rusë tani emigrojnë në Serbi, vendin ku mirëpritën dhe ku përkrahen për luftën ndaj Ukrainës, të nisur më 24 shkurt.
Edhe
Turistët rusë rikthehen në masë të madhe në Evropë

“Rusët nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Serbi. Serbia, një kandidate për anëtarësim në BE, po manovron midis Lindjes dhe Perëndimit dhe nuk po merr pjesë në sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Kjo është arsyeja pse kompania shtetërore ‘AirSerbia’ është një nga kompanitë e pakta evropiane që ende fluturon në Moskë dhe Shën Petersburg”, shkruan gazeta gjermane.
Së bashku me Stambollin (Turqi), Yerevanin (Armeni) dhe Tbilisin (Gjeorgji), Beogradi është bërë një prej destinacioneve të preferuara të rusëve me arsim të lartë. Që nga fillimi i marsit, më shumë se 300 kompani, kryesisht në sektorin e teknologjisë informative, i kanë zhvendosur selitë e tyre nga Rusia ose Ukraina në Serbi.
Bankat e Beogradit thonë se gjithnjë e më shumë rusë po hapin një llogari, mediat vlerësojnë se janë 20.000 deri në 30.000 rusë që kanë gjetur strehim në këtë vend.
Sasha Seregina, me origjinë nga Samara, jeton në Beograd për më shumë se dhjetë vjet. Ajo është një nga nismëtaret e nismës “Rusët, ukrainasit, bjellorusët dhe serbët së bashku kundër luftës”.
Për “Frankfurter Rundschau”, ai tha se rusët që po emigrojnë mund të jenë një goditje për Serbinë, ngjashëm me ata që erdhën pas Revolucionit të Tetorit 1917.
Seregina thotë se në Beograd po shkojnë kryesisht pjesëtarë të “klasës së mesme apo të mesme të lartë”, por se ka edhe pasoja negative me këtë.
“Është bërë edhe e vështirë të gjesh një apartament me një çmim të mirë në Beograd”, tha ai.
Edhe
BE-ja reagon lidhur me vizitën e Vuçiqit në Moskë

“Rusët tashmë po i rritin çmimet e larta të pasurive të paluajtshme”, tha një këshilltar tatimor për gazetën gjermane. “Kam frikë se njerëzit me të ardhura normale së shpejti nuk do të mund ta përballojnë një apartament këtu”.
Sipas gazetës nga Frankfurti, "të ardhurit në Serbinë rusofile nuk hasin paragjykime, ndryshe nga ata që shkojnë në Evropën Perëndimore".
Në Serbi nuk duhet të justifikohen për luftën e Putinit, që e ka dënuar e gjithë bota demokratike, duke i vënë edhe sanksione, por jo edhe Serbia.
Në vend të pyetjeve për luftën, rusët e ikur për shkak të politikës së Putinit, në Beograd janë gjetur tifozë vendës të Putinit. Dhe takimi me ta i shqetëson.
Muzikanti nga Shën Petersburgu thotë se i vjen mirë që u lejohet të protestojmë kundër luftës, por se është i shokuar kur sheh se në Beograd shiten bluza me fytyrën e Putinit. Dhe ai sheh shumë njerëz që i veshin ato.
“Për shkak të bombardimeve të NATO-s dhe luftës në Kosovë, shumë njerëz këtu kanë pikëpamje të thjeshtuara dhe absurde për luftën në Ukrainë”, tha ai. “Për ta, armiku i armikut është në të vërtetë një mik. Ata mbështetin Putinin si kundërshtar të NATO-s dhe luftën e tij në Ukrainë si kundërsulm”.
“Frankfurter Rundschau” shkruan se beogradasit e rinj rusë në grupet e tyre në Facebook dhe Telegram ende flasin më pak për luftën dhe më shumë për gjëra praktike: si të hapni një llogari bankare, ku t'i dërgoni fëmijët në shkollë dhe cilat janë restorantet e mira.
Edhe
Përtej kufijve e sanksioneve
Muzikanti nga Shën Petersburgu thotë se nuk e di se sa do të qëndrojë në mërgim.
"Jeta vazhdon disi", thotë ai. “Por sigurisht që nuk do të kthehem në Rusi derisa Putini është në pushtet".