Demokratët në Kongresin amerikan e kanë filluar të hënën iniciativën për ta larguar presidentin Donald Trump nga detyra, duke e paraqitur nenin e shkarkimit që e akuzon atë për nxitjen e kryengritjes në lidhje me sulmin e dhunshëm ndaj Capitolit, javën e shkuar.
Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar prej demokratëve mund të votojë rreth shkarkimit qysh para së mërkurës, ka thënë lideri i shumicës në Dhomë, Steny Hoyer. Kjo gjë do ta bënte republikanin Trump të vetmin president amerikan në histori që i nënshtrohet dy herë shkarkimit.
Me mijëra mbështetës të Trumpit e bastisën selinë e Kongresit javën e shkuar, duke i shtrënguar ligjvënësit e mbledhur për certifikimin e fitores së presidentit të zgjedhur, demokratit Joe Biden, që të strehohen në vende të sigurta si rrjedhojë e sulmit të pashembullt në zemrën e demokracisë amerikane. Krejt ngjarja rezultoi me vdekjen e pesë personave.
Dhuna ka ndodhur pasi që Trumpi i nxiti mbështetësit e tij që të marshonin drejt Capitolit gjatë një tubimi, në të cilin ai i përsëriti pretendimet e paqena se disfata e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit ishte e jashtëligjshme. Shumë demokratë të Dhomës dhe një grup republikanësh pretendojnë se Trumpit nuk duhet t’i besohet ushtrimi i gjithë mandatit, i cili përfundon më 20 janar.
“E kemi një president, për të cilin shumica prej nesh besojmë se ka marrë pjesë në trimërimin e një kryengritjeje dhe sulmi mbi këtë ndërtesë dhe ndaj demokracisë sonë, si dhe në përpjekjen për ta sprapsur numërimin e votave presidenciale”, ka thënë Hoyeri para gazetarëve.
Edhe
Trumpi drejt shkarkimit, përsëri

Teksa Dhoma ishte mbledhur gjatë së hënës, republikanët e bllokuan përpjekjen për ta shqyrtuar menjëherë rezolutën që i kërkonte zëvendëspresidentit Mike Pence ta aktivizonte Amendamentin e 25-të të Kushtetutës, të papërdorur ndonjëherë, për ta larguar nga detyra presidentin e paaftë.
“Dhoma e Përfaqësuesve kurrë nuk duhet ta adoptojë një rezolutë që e kërkon heqjen nga detyra të një presidenti të zgjedhur në mënyrë të rregullt, pa seanca dëgjimore, debat dhe votat e regjistruara”, ka thënë përfaqësuesi republikan, Alex Mooney, i cili e kundërshtoi masën.
Dhoma megjithëkëtë mund të votojë qysh të martën rreth rezolutës për përdorimin e Amendamentit 25, i cili i lejon zëvendëspresidentit dhe Kabinetit të tij që ta largojë presidentin që është i padenjë për përmbushjen e obligimeve të tija.
Pence dhe bashkëpartiakët e tij kanë shfaqur interesim të paktë për aktivizimin e këtij amendamenti, por kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe demokratët e tjerë kanë shtuar presionin ndaj tyre për veprim kundër Trumpit. Ata i bënë thirrje Pences që t’u përgjigjet brenda 24 orësh, pas kalimit të rezolutës.
“Si hap i radhës, ne do të ecim tutje në ngritjen e ligjit të shkarkimit. Kërcënimi i presidentit ndaj Amerikës është me urgjencë dhe i këtillë do të jetë edhe veprimi ynë”, ka thënë Pelosi në një deklaratë.
Me dhjetëra persona që sulmuan policët vodhën kompjuterë dhe thyen dritare gjatë sulmit në Capitol janë arrestuar për pjesëmarrjen në dhunë, ndërsa zyrtarët kanë hapur 25 hetime për terrorizëm vendor. Trump ka pranuar se administrata e re do të marrë detyrën më 20 janar, nëpërmjet një videodeklarate pas sulmit, por nuk është shfaqur në publik. TWitteri dhe Facebooku kanë pezulluar llogaritë e tij, duke e përmendur rrezikun për nxitje të dhunës.
Përfaqësuesi Jim McGovern, shef i Komitetit për Rregulla i Dhomës, ka thënë se pret që neni i shkarkimit të kalojë në Dhomë.
Edhe
Trumpi pritet të gjykohet për kryengritje
“Ajo që ky president e bëri është jokushtetuese dhe duhet që të mbahet përgjegjës”, ka thënë McGovern për CNN.
Ligjvënësit që e hartuan akuzën për shkarkim kanë bërë të ditur se llogarisin në mbështetjen e të paktën 214 nga Dhoma e përbërë prej 222 demokratëve, duke lënë të kuptohet se ka gjasa të forta për kalim. Biden deri më tani nuk e ka peshuar shkarkimin, duke pretenduar se kjo është çështje e Kongresit. \ Reuters