Përllogaritja e kostos së ushtrisë amerikane për të ndërtuar një port të përkohshëm në Gaza për të ofruar ndihma humanitare është rritur në 320 milionë dollarë, tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes dhe një burim i njohur me çështjen për Reuters.
Shifra, e cila nuk është raportuar më parë, ilustron shkallën masive të një përpjekjeje ndërtimi që Pentagoni ka thënë se përfshin rreth 1 mijë anëtarë të shërbimit amerikan, kryesisht nga Ushtria dhe Marina.
Megjithatë, kostoja është dyfishuar afërsisht nga vlerësimet fillestare në fillim të këtij viti, sipas një personi të njohur me këtë çështje.
“Kostoja jo vetëm që është rritur. Ajo ka shkuar në qiell”, tha për Reuters senatori Roger Wicker, republikani kryesor në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit të udhëhequr nga Demokratët, kur u pyet për kostot.
“Kjo përpjekje e rrezikshme me përfitim margjinal tani do t’u kushtojë taksapaguesve amerikanë të paktën 320 milionë dollarë”.
Presidenti, Joe Biden njoftoi për ndërtimin e molit në mars ndërsa zyrtarët iu lutën Izraelit të lehtësonte qasjen për furnizimet me ndihma në Gaza përmes rrugëve tokësore. Duke hapur një rrugë të dytë për ndihmë, nga deti, zyrtarët e administratës së Bidenit shpresojnë të shmangin urinë në Gazën veriore.
Fushata ushtarake e Izraelit kundër Hamasit, në përgjigje të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, ka shkatërruar Rripin e vogël të Gazës dhe ka futur 2.3 milionë banorët e tij në një katastrofë humanitare.
Megjithatë, Wicker dhe disa ligjvënës të tjerë kanë vënë në dyshim nëse moli është një përpjekje e vlefshme, veçanërisht duke pasur parasysh rrezikun që personeli ushtarak amerikan mund të bëhet objektiv i militantëve të Hamasit.
Biden ka urdhëruar forcat amerikane që të mos shkelin në bregun e Gazës.
Një zyrtar i lartë i administratës Biden tha javën e kaluar se ndihmat humanitare që vijnë nga moli do të duhet të kalojnë nëpër pikat e kontrollit izraelit në tokë.
Kjo është pavarësisht se ndihma tashmë është inspektuar nga Izraeli në Qipro përpara se të dërgohej në Gaza. Izraeli dëshiron të parandalojë çdo ndihmë për luftëtarët e Hamasit që rrit përpjekjet e tyre për luftë.