Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rrëzohet helikopteri, vdes ministri i Brendshëm i Ukrainës

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Denys Monastyrsky, ishte një nga 16 personat që vdiqën mëngjesin e së mërkurës pas rrëzimit të një helikopteri në rajonin e Kievit, shkruan BBC. Në bord ishin nëntë persona dhe shtatë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, vdiqën pasi rrëzimi i helikopterit shkaktoi shpërthim të madh. Helikopteri u rrëzua pranë objektit të një kopshti në Brovary të Kievit. 

Sipas raportimeve, në helikopter ndodhej zëvendësi i Monastyrskyt, Jevgen Jenin dhe sekretari i shtetit. Sipas informacioneve të disponueshme aktualisht, 16 persona raportohen të vdekur. Mbi 20 të tjerë po marrin trajtim në spital. 

Guvernatori i Kievit, Oleksiy Kuleba, ka shkruar në Telegram se helikopteri ra pranë një kopshti dhe një ndërtese banimi dhe se në momentin e tragjedisë, në kopsht kishte fëmijë dhe personel të institucionit.

"Në këtë moment të gjithë janë evakuuar. Ka viktima. Shërbimet e urgjencës, policia dhe zjarrfikësit janë në terren", ka thënë Kuleba.