Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rreziku nga zgjerimi i luftës në Lindjen e Mesme

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka rrezik që të zgjerohet për shkak të frikës për përfshirje të grupit tjetër militant të Hezbollahut nga Libani. SHBA-ja ka shpeshtuar takimet me qëllim që të mos ketë front tjetër të luftës në Lindjen e Mesme.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë porositur Izraelin të premten që të lejojë ndihmat humanitare në Gaza dhe të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë, teksa kryeministri izraelite ka thënë se nuk do të ketë armëpushim derisa Hamasi nuk liron pengjet.

Të premten, lideri i grupit militant të Hezbollahut ka ngjallur frikën për përhapje të konfliktit duke premtuar më shumë sulme përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Libanit.

Ushtria izraelite ka ashpërsuar rrethimin e qytetit të Gazës, duke e përqendruar fushatën për shtypjen e militantëve të Hamasit, të cilët kanë nisur sulmin ndaj Izraelit që më vonë u kthye në luftë.

Gjithashtu janë ngritur shqetësime se lufta me Hamasin do të nxitë luftimet në frontet e tjera. Ushtria izraelite ka shkëmbyer zjarr me militantët e Hezbollahut në kufi me Libanin.

Në fjalimin e tij të parë publik qëkur ka krisur lufta, lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ka deklaruar se grupi i tij ka hyrë në betejë me luftimet që i ka zhvilluar në kufi.

Edhe Izraeli kërcënon të shtojë sulmet ndaj Hezbollahut në Liban Botë 8 muaj më parë Izraeli kërcënon të shtojë sulmet ndaj Hezbollahut në Liban

Hezbollahu, aleat i Hamasit, ka sulmuar pozicionet izraelite në veri të Izraelit. Ka përdorur dronë dhe mortaja. Ushtria izraelite ka deklaruar se është kundërpërgjigjur me aeroplanë luftarakë dhe helikopterë.

Blinkeni ka thënë se SHBA-ja, e cila ka vendosur aeroplanmbajtëse dhe forca të tjera në lindje të Detit Mesdhe, është e angazhuar që të mos ketë front të dytë apo të tretë, duke iu referuar Hezbollahut.

Në fjalimin e tij, Nasrallahu ka thënë se grupi i tij nuk është shpërqendruar nga vërejtjet amerikane, duke thënë se “Flota juaj në Mesdhe... nuk do të na frikësojë”.

Lufta me Hezbollahun do të ishte më e rrezikshme si për Izraelin ashtu dhe Libanin. Hezbollahu është më i fuqishëm se Hamasi dhe llogaritet se ka arsenal me 150 mijë raketa, disa prej tyre me kapacitet për të sulmuar në territoret më të thella në Izrael.

Izraeli ka kërcënuar se do të sulmojë Libanin nëse nis lufta e plotë. Në këtë luftë do të rrezikonte të përfshihej Irani që përkrah Hamasin dhe Hezbollahun.

Më shumë se 9 mijë e 200 palestinezë janë vrarë në Gaza deri më tani, shumica gra dhe të mitur, ndërkaq më shumë se 23 mijë të tjerë janë plagosur, ka raportuar Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Edhe Trumpi propozon që Siria ta luftojë Hezbollahun, ideja ngjall shqetësime në rajon Botë 3 j. më parë Trumpi propozon që Siria ta luftojë Hezbollahun, ideja ngjall shqetësime në rajon

Nga sulmet e Hamasit në Izrael janë vrarë 1 mijë e 400 persona, shumica civilë. 240 të tjerë janë marrë peng.

Izraeli dhe SHBA-ja me gjasë nuk kanë plan të qartë për atë që do të ndodhë më pas nëse rrëzohet regjimi i Hamasit në Gaza – çështje kyçe e agjendës së Blinkenit gjatë vizitës.