Omar Rahal dëgjoi një zë që vinte nga rrënojat, aq i zbehtë sa nuk arriti ta kuptonte nëse ishte zë brenda kokës së tij. Një natë më parë, dy tërmete të fuqishme kishin dridhur fshatin e tij, Harem, në provincën e kontrolluar nga rebelët të Idlibit në Siri, duke shembur dhjetëra ndërtesa përfshirë bllokun ku kushëriri i tij Mahmoud jetonte me bashkëshorten dhe shtatë fëmijët e tyre.
Disa orë më vonë, Rahal, shefi i policisë lokale, nxitoi te rrënojat e shtëpisë me shpresën se do ta gjente Mahmoudin dhe familjen e tij gjallë. Gjithë mëngjesin ai nuk dëgjoi shenja jete, por pasdite veshët e tij dëgjuan katër fjalë që vinin nga zëri i një vajze të vogël: “Më nxirrni nga këtu”.
Disa metra poshtë një grumbulli rrënojash, futur mes betonit, ishte e shtrirë vajza 5-vjeçare e Mahmoudit, Jinan, bashkë me vëllanë e saj 9-muajsh Abdullahun, të cilin po e ngushëllonte nën rrënojat. Afër tyre, të varrosur nga mbetjet e shtëpisë, ishte trupi i nënës së tyre, Suaad. Rahal mund ta shihte vetëm krahun e saj, me të cilin dukej se kishte tentuar t’i përqafonte fëmijët e saj për t’i mbrojtur.
Rahal u përpoq t’i lironte por kuptoi se vetëm nuk mund ta bënte. Kështu që xhiroi dy fëmijët e ngecur dhe ua dërgoi pamjet kolegëve të tij policë, duke u kërkuar intervenim. Videoja shpejt kaloi nga një telefon në tjetrin, duke kaluar kufirin sirian dhe duke u bërë virale dhe duke u bërë simbol i tragjedisë në Idlib.
“Burrat arritën menjëherë dhe ndihmuan ta tërhiqnim Abdullahun e vogël, i cili fatmirësisht kishte vetëm disa gërvishtje”, i tha Rahali The Guardianit. “Por, Jinani ishte problemi. Ajo ishte mbërthyer nga një pllakë betoni dhe kishte një shufër hekuri në këmbë”.
Përpjekjet për shpëtim në Idlib u ngadalësuan nga mungesa e makinerive dhe ndihmës, me njerëzit që detyroheshin të nxirrnin të dashurit me duart e tyre.
“Për të ngritur bllokun e betonit që e pengonte, ne përdorëm një mjet, atë që përdoret për ngritjen e veturave kur duhet të ndërroni një gomë”, tha Rahal. "Funksionoi. Por Jinani kishte ende shufrën e hekurit të ngulur në këmbën e saj. Duhej të pritej”.
Shpëtuesit u përpoqën ta prisnin shufrën ndërsa Jinani rënkonte në dhimbje. Për ta bërë edhe më të vështirë situatën, pasgoditjet e tërmetit e dridhën fshatin sërish. Çfarë kishte mbetur në këmbë nga ndërtesa, filloi të rrënohej.
“Ju lutem! Më nxirrni nga këtu”, u lutej Jinani burrave.
Nuk kishte kohë për të humbur. “Nuk kishim zgjidhje”, thotë Rahali. “Rrezikuam të vdisnim dhe ta humbitnim edhe fëmijën. Kështu që vendosëm të bënim çfarë nuk do të donim kurrë – të nxirrnim Jinanin ndërsa këmba e saj ende ishte pjesërisht e shpuar në shufër”.
Pas gati 22 orësh nën rrënoja, Jinani u lirua.
Një javë pas shpëtimit, ekipi i medias ka vizituar Jinanin dhe vëllanë e saj në spitalin i cili u konvertua nga një shkollë dhe ku po trajtoheshin fëmijët e Haremit. Abdullahu fle me një batanije të ngrohtë, ndërsa Jinani e shtrirë, ende në dhimbje.
“Plaga në këmbën e saj është shumë serioze”, ka thënë mjeku i saj, Wajih al-Karrat. “Jinani mund të mos ecë kurrë më siç ka ecur më parë. Nuk do t’ju gënjej. Nëse plaga nuk përmirësohet, do të detyrohemi t’ia amputojmë këmbën”.
Pas publikimit të videos, disa media kanë raportuar se babai i Jinani ishte ende gjallë. Fatkeqësisht nuk është ashtu. “Jinani dhe Abdullahu janë të vetmit që kanë mbetur gjallë në familje”, ka thënë me lot Rahali.
Dy fëmijët u janë dorëzuar disa të afërmve.
Jinani dhe vëllai i saj janë në mesin e një numri që nuk dihet saktë të fëmijëve që kanë mbetur jetimë nga tërmeti në Idlib. Numri i të vdekurve në Siri ka shkuar në mbi 3,580, ndërsa OKB-ja ka bërë thirrje për më tepër qasje në ndihmë në zonat e kontrolluara nga rebelët.
“Është një tragjedi”, ka thënë Karrat me një zë të mekur. “Jinan e di se ajo ka mbetur vetëm me të vëllanë. Por i shihni këta fëmijë këtu, afër shtratit të Jinanit, edhe ata janë jetimë. Dhe shumica ende pyesin se ku janë prindërit e tyre dhe kur do të vijnë t’i takojnë. Fillimisht, duam t’i trajtojmë mirë. Më pas, në një pikë, do të detyrohemi t’u themi se edhe ata kanë mbetur jetimë”.
Përktheu: Emine Shehu