Botë

Ribashkimi emocional i nënës me vajzën, 44 vjet pasi u rrëmbye

Kidnapimi i fëmijëve - ribashkimi pas 44 vjetëve

Pas më shumë se katër dekadash kërkimi pa pushim, Han Tae-soon u ribashkua me vajzën e saj, e cila ishte rrëmbyer dhe birësuar ilegalisht në SHBA. Historia e saj është një nga shumë rastet që zbulojnë abuzimet sistematike në programin e birësimit ndërkombëtar të Koresë së Jugut. Hetimet tregojnë se mijëra fëmijë u eksportuan si “ngarkesë”, shpesh me dokumente të falsifikuara. Sot, viktimat kërkojnë drejtësi dhe njohje për dhimbjen e tyre

Kujtimi i fundit që Han Tae-soon ka nga vajza e saj si fëmijë është ai i majit të vitit 1975, në shtëpinë e tyre në Seul.

“Po shkoja në treg dhe e pyeta Kyung-ha-n: ‘Nuk do të vish?’ Por ajo më tha: ‘Jo, do të luaj me shoqet e mia’”, kujtoi Han.

“Kur u ktheva, ajo ishte zhdukur”.

Han nuk do ta shihte më vajzën e saj për më shumë se katër dekada. Kur u ribashkuan, Kyung-ha ishte pothuajse e panjohur, si një grua amerikane në moshë të mesme me emrin Laurie Bender.

Kyung-ha ishte rrëmbyer pranë shtëpisë së saj, ishte çuar në një jetimore dhe më pas ishte dërguar ilegalisht në SHBA për t’u rritur nga një familje tjetër, pretendon Han, e cila tani e ka paditur qeverinë e Koresë së Jugut për dështim në parandalimin e birësimit të vajzës së saj.

Ajo është midis qindra njerëzve që kanë dalë hapur vitet e fundit me akuza për mashtrim, birësime të paligjshme, rrëmbime dhe trafikim qeniesh njerëzore në programin kontrovers të birësimit jashtë vendit të Koresë së Jugut.

Asnjë vend tjetër nuk ka dërguar kaq shumë fëmijë jashtë vendit për birësim, dhe për kaq gjatë, sa Koreja e Jugut. Që nga fillimi i programit në vitet 1950, rreth 170.000 deri në 200.000 fëmijë janë birësuar jashtë vendit - shumica e tyre në Perëndim.

Në mars, një hetim historik zbuloi se qeveritë e njëpasnjëshme kishin kryer shkelje të të drejtave të njeriut me mungesën e mbikëqyrjes, duke lejuar agjencitë private të “eksportonin masivisht” fëmijët për fitim në një shkallë industriale.

Ekspertët thonë se gjetjet mund të hapin derën për më shumë padi kundër qeverisë. Rasti i Hanit do të shkojë në gjykatë muajin tjetër.

Është një nga dy rastet historike. Han është prindi i parë biologjik i një të birësuari jashtë vendit që kërkon dëmshpërblim nga qeveria, ndërsa në vitin 2019 një burrë që u birësua në SHBA ishte i birësuari i parë që ngriti padi.Një zëdhënës i qeverisë i tha BBC-së se “ndien thellësisht dhimbjen emocionale të individëve dhe familjeve që nuk mundën ta gjenin njëri-tjetrin për një kohë të gjatë”.

Ai shtoi se e shqyrtoi rastin e Hanit me “keqardhje të thellë” dhe se do të ndërmerrte “veprimet e nevojshme” bazuar në rezultatin e gjyqit.

Han, 71 vjeçe, i tha BBC-së se është e vendosur që të bëjë krejt çka mundet  që qeveria të marrë përgjegjësinë.

“Kalova 44 vjet duke shkatërruar trupin dhe mendjen time duke kërkuar vajzën time. Por gjatë gjithë kësaj kohe, a më ka kërkuar ndonjëherë falje dikush? Askush. Asnjëherë”.

Për dekada të tëra, ajo dhe burri i saj vizituan stacione policie dhe jetimore, nxorën fletushka dhe dolën në televizion duke kërkuar informacion. Han tha se e kaloi gjithë ditën duke kërkuar nëpër rrugë vajzën e saj “derisa më ranë të 10 thonjtë e këmbëve”.

Me kalimin e viteve ajo mendoi se i ishte afruar fundit të kërkimit. Në vitin 1990, pas një prej thirrjeve të saj televizive, Han takoi një grua që besonte se mund të ishte Kyung-ha, dhe madje e mori për të jetuar me familjen e saj për një kohë. Por gruaja përfundimisht rrëfeu se nuk ishte vajza e saj.

Një përparim më në fund ndodhi në vitin 2019 kur Han u regjistrua në 325 Kamra, një grup që lidh të adoptuarit koreanë jashtë vendit me prindërit e tyre biologjikë duke përputhur ADN-në e tyre.

Ata shpejt raportuan një përputhje - Laurie Bender, infermiere në Kaliforni. Pas disa telefonatave, ajo fluturoi për në Seul për të takuar Hanin, ku të dyja patën një ribashkim plot lot në aeroport.

Ndërsa përqafoheshin, gishtat e Hanit përshkuan flokët e Kyung-has. “Kam qenë parukiere për 30 vjet. Mund ta kuptoj shpejt nëse është vajza ime vetëm duke i prekur flokët. Gabimisht kisha menduar se e kisha gjetur më parë, kështu që më duhej t’ia prekja flokët për ta konfirmuar”, tha ajo.

Gjëja e parë që i tha vajzës së saj ishte “më vjen shumë keq”.

“Ndihesha fajtore, sepse ajo nuk mundi ta gjente rrugën për në shtëpi kur ishte fëmijë. Vazhdoja të mendoja se sa shumë duhet ta ketë kërkuar nënën e saj... Takimi me të pas të gjitha atyre viteve më bëri të kuptoja se sa shumë duhet ta ketë dëshiruar nënën e saj dhe kjo ma theu zemrën”.

“Është sikur një gropë në zemrën tënde është mbushur, më në fund ndihesh si një person i plotë”, tha Kyung-ha për ribashkimin e tyre në një intervistë të mëparshme me Associated Press. Ajo nuk iu përgjigj kërkesave të BBC-së për një intervistë. Dyshja përfundimisht e kuptoi se çfarë kishte ndodhur atë ditë në maj të vitit 1975.

Kyung-ha, e cila ishte gjashtë vjeç në atë kohë, po luante pranë shtëpisë së saj kur iu afrua një grua e çuditshme që pretendonte se e njihte nënën e saj. Kyung-has iu tha se nëna e saj “nuk kishte më nevojë” për të dhe u çua në një stacion treni.

Pasi udhëtoi me tren me gruan, Kyung-ha u braktis në ndalesën e fundit, ku përfundimisht u mor nga oficerët e policisë dhe u vendos në një jetimore. Shpejt, ajo u dërgua me aeroplan në SHBA për t’u adoptuar nga një çift në Virxhinia.

Vite më vonë, kontrollet zbuluan se asaj iu dhanë dokumente të rreme që deklaronin se ishte një jetime e braktisur, prindërit e së cilës ishin të panjohur.

“Është sikur ke jetuar një jetë të rreme dhe gjithçka që di nuk është e vërtetë”,  tha më parë Kyung-ha.

 “Tregti fëmijësh” nga Azia në Perëndim

Programi i birësimit jashtë vendit i Koresë së Jugut filloi në fund të Luftës Koreane të viteve 1950-53, kur ishte një vend thellësisht i varfër me rreth 100.000 fëmijë jetimë dhe të zhvendosur.

Në atë kohë, pak familje ishin të gatshme të birësonin fëmijë jobiologjikë, dhe qeveria filloi një program birësimi jashtë vendit, të reklamuar si një përpjekje humanitare.

Programi u trajtua tërësisht nga agjenci private birësimi. Ndërsa ato ishin nën mbikëqyrjen e qeverisë, me kalimin e kohës këto agjenci fituan autonomi të konsiderueshme përmes ligjeve.

Ndërsa fuqia e tyre u ngrit, u rrit edhe numri i fëmijëve që dërgoheshin jashtë vendit, duke u bërë më i lartë në vitet 1970 dhe duke arritur kulmin në vitet 1980. Vetëm në vitin 1985, më shumë se 8.800 fëmijë u dërguan jashtë vendit.

Kishte një kërkesë masive nga Perëndimi - me rënien e normave të lindjeve dhe më pak foshnja për të birësuar në vend, familjet filluan të kërkonin fëmijë diku tjetër. Fotot e asaj epoke tregojnë aeroplanë që udhëtonin drejt vendeve perëndimore të mbushur me fëmijë koreanë, me foshnja të mbështjella – atë që hetimi i Komisionit të së vërtetës dhe pajtimit e quajti “transporti masiv i fëmijëve si ngarkesë”.
Raporti pretendon se iu kushtua pak kujdes këtyre fëmijëve gjatë këtyre fluturimeve të gjata. Në një rast që përmendet nga viti 1974, një fëmijë intolerant ndaj laktozës u ushqye me qumësht gjatë tranzitit dhe më pas vdiq pas mbërritjes në Danimarkë.

Kritikët e programit kanë vënë prej kohësh në pikëpyetje pse kaq shumë fëmijë duhej të dërgoheshin jashtë shtetit në një kohë kur Koreja e Jugut po përjetonte tashmë rritje të shpejtë ekonomike.

Një dokumentar i BBC Panorama i vitit 1976, i cili paraqiste Korenë e Jugut si një nga disa vende aziatike që dërgonin fëmijë në Perëndim, citoi një vëzhgues që e përshkruante situatën si “jashtë kontrollit” dhe “pothuajse si një tregti fëmijësh… që nis nga Azia në Evropë dhe Amerikën e Veriut”.

Sipas raportit të Komisionit të së vërtetës dhe pajtimit, agjencitë e huaja të birësimit vendosën kuota për fëmijët, të cilat agjencitë koreane i përmbushën me dëshirë.

Ishte një biznes fitimprurës - mungesa e rregullimit qeveritar u lejonte agjencive koreane të ngarkonin shuma të mëdha dhe të kërkonin tarifa të fshehura të quajtura “donacione”.

Disa nga këta fëmijë mund të jenë marrë në mënyra të paskrupullta, me prindër si Han që pretendojnë se fëmijët e tyre janë rrëmbyer. Në vitet 1970 dhe 1980, mijëra fëmijë të pastrehë ose të pambikëqyrur u mblodhën dhe u vendosën në jetimore ose qendra mirëqenieje si pjesë e një fushate kombëtare për të “pastruar rrugët” e Koresë së Jugut.

Prindërve të tjerë u ishte thënë se foshnjat e tyre ishin sëmurë dhe kishin vdekur, kur ata ishin në të vërtetë gjallë dhe ishin dërguar në agjencitë e birësimit. Agjencitë gjithashtu nuk morën pëlqimin e duhur nga nënat biologjike për t’i çuar fëmijët e tyre për birësim, sipas raportit të Komisionit të së vërtetës dhe pajtimit.

Raporti gjithashtu thekson se agjencitë e birësimit me dashje falsifikuan informacionin në të dhënat e birësimit për të mos humbur kohë dhe për të përmbushur shpejt kërkesën për fëmijë.

Fëmijët e humbur që gjendeshin pa asnjë dokument identiteti do të paraqiteshin, në dokumente, sikur të ishin braktisur dhe dhënë për birësim.

Nëse një fëmijë i destinuar për birësim kishte vdekur ose ishte rimarrë nga prindërit e tij biologjikë, një fëmijë tjetër do të ndërrohej dhe do t’i caktohej identiteti i tij. 

Dekada më vonë, kjo ka krijuar vështirësi të mëdha për shumë të birësuar jashtë shtetit që përpiqen të gjurmojnë prindërit e tyre biologjikë.

Disa kanë informacion të gabuar ose të humbur në të dhënat e tyre të birësimit, ndërsa të tjerë kanë zbuluar se u janë dhënë identitete krejtësisht të rreme.

“Ne jemi viktima të dhunës shtetërore, por nuk ka asnjë gjurmë të kësaj. Kjo mungesë dokumentesh nuk duhet të na bëjë viktima për herë të dytë”, tha Han Boon-young, bashkëthemelues i një grupi jashtë shtetit për të drejtat e të birësuarve, që bën fushatë për qasje më të madhe në informacionet rreth lindjes. “Kjo është një çështje e të drejtave të njeriut. Pati rrëmbime, dokumente të falsifikuara - të gjitha këto ishin shembuj të shkeljeve të kryera gjatë procesit të birësimit jashtë vendit”.

“Është vërtet e nevojshme të ecim drejt pajtimit, që t’i njohim këto përvoja dhe që njerëzit që i kryen këto shkelje të mbahen përgjegjës”, thekson ai.

Por disa nga aktorët kryesorë vazhdojnë të heshtin ose t’i mohojnë keqbërjet.

Ekipi i BBC-së kontaktoi Bu Chung-han, i cili në vitet 1970 shërbeu si kryetar i “Holt International”, agjencisë më të madhe të birësimit në Korenë e Jugut.

“Holt” është në qendër të akuzave të shumta për mashtrim dhe birësime të paligjshme, dhe subjekt i dy padive deri më tani, përfshirë atë të Hanit.

Në një përgjigje të shkurtër, Chung-han mohoi se agjencia kishte dërguar jashtë vendit ndonjë fëmijë të identifikuar gabimisht si jetim gjatë mandatit të tij. Çdo prind që pretendon se fëmijët e tij janë rrëmbyer “nuk i humbën fëmijët e tyre, ata i braktisën”, tha ai.

Menaxhmenti aktual i Holt International nuk i është përgjigjur kërkesës së BBC-së për koment.

“Qeveria ishte kapiteni, agjencitë drejtonin barkën”

Ekspertët thonë se përgjegjësia nuk binte vetëm mbi agjencitë private, por edhe mbi shtetin.

“Agjencitë e birësimit shfrytëzuan sistemin dhe qeveria mbylli sytë - duke lejuar që praktikat e paligjshme të zinin rrënjë”, tha Lee Kyung-eun, studiues i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Kombëtar të Seulit.

“Qeveria ishte kapiteni dhe agjencitë drejtonin barkën”, tha Shin Pil-sik, studiues mbi birësimin transnacional në Universitetin Seokyeong, i cili shtoi se kjo strukturë u mundësoi të dyja palëve të shmangnin përgjegjësinë.

Shin tha se shteti nuk ishte një vëzhgues pasiv - ai formësoi në mënyrë aktive politikën e birësimit, duke vendosur kuota vjetore për vendosjet jashtë shtetit.

Një hulumtim i Associated Press vitin e kaluar zbuloi se qeveritë e njëpasnjëshme koreane kishin rishkruar ligje për të hequr mbrojtjet minimale dhe mbikëqyrjen gjyqësore, për t’i përshtatur ligjet e tyre me ato amerikane për t’i bërë fëmijët lehtë të birësueshëm dhe për t’i lejuar familjet e huaja të birësonin fëmijë koreanë shpejt pa vizituar kurrë vendin.

Ndërsa qeveria e cilësoi programin si një përpjekje humanitare, vëzhguesit thonë se ai shërbeu gjithashtu për të forcuar lidhjet me vendet perëndimore.

Një dokument qeveritar i vitit 1984, i siguruar nga BBC-ja vë në pah se qëllimet zyrtare të politikës së birësimit përfshinin jo vetëm mirëqenien e fëmijëve, por edhe “promovimin e forcës kombëtare në të ardhmen dhe diplomacinë midis vendeve”.

Në pyetjen rreth rolit të shtetit në praktikat e kaluara të birësimit, nga ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies së Koresë së Jugut u përgjigjën se ata po “vazhdonin përpjekjet për të forcuar përgjegjësinë e shtetit” në sistem dhe se planifikonin të promovojë birësimet që përputhen me standardet ndërkombëtare.

Në vitin 2012, qeveria rishikoi ligjet e birësimit për një kontroll më të rreptë të prindërve të mundshëm birësues dhe për të ndjekur më mirë të dhënat e prindërve biologjikë dhe informacionet rreth lindjes.

Ajo gjithashtu ka miratuar reforma në sistemin e birësimit duke siguruar që birësimet jashtë shtetit të minimizohen dhe që të gjitha birësimet të trajtohen nga qeveria në vend të agjencive private.

Ndryshimet do të hyjnë në fuqi në korrik.

Ndërkohë numri i birësimeve jashtë shtetit ka rënë. Në fund të viteve 1980, numri i birësimeve jashtë shtetit ra ndjeshëm, përpara se të stabilizohej në vitet 1990 dhe të binte edhe më shumë në vitet 2010. Vetëm 79 fëmijë u birësuan jashtë vendit në vitin 2023, sipas të dhënave më të fundit në dispozicion.

Por, ndërsa Koreja e Jugut fillon të adresojë këtë kapitull të errët të së kaluarës së saj, të birësuarit dhe prindërit biologjikë si Han vazhdojnë të përballen me traumën e tyre.

Pas ribashkimit të tyre fillestar, Han dhe Kyung-ha kanë luftuar për ta ruajtur një lidhje të ngushtë.
Jo vetëm që jetojnë në anët e kundërta të botës, por vajza e saj ka harruar pjesën më të madhe të gjuhës koreane, ndërsa Han di pak anglisht.

Ato mbajnë kontakt me mesazhe herë pas here, dhe Han kalon dy orë çdo ditë duke praktikuar anglishten e saj duke shkruar fraza në një fletore ushtrimesh.

Por kjo nuk është e mjaftueshme për Hanin.

“Edhe pse e kam gjetur vajzën time, nuk ndihem sikur e kam gjetur vërtet. E vetmja gjë që di është se ku është, por çfarë dobie ka kjo, nëse nuk mund të komunikojmë fare?

“E gjithë jeta ime është shkatërruar... asnjë sasi parash nuk do të kompensojë kurrë atë që kam humbur”.