Lideri i shumicës në Senatin amerikan, Mitch McConnell, ka akuzuar presidentin dhe bashkëpartiakun republikan, Donald Trump, për provokimin e mësymjes së 6 janarit në Capitol.
Duke folur para Senatit, ai ka thënë se turma ishte mbushur me gënjeshtra dhe ishte provokuar nga presidenti dhe të pushtetshmit e tjerë.
Dhoma demokrate e Përfaqësuesve ka votuar të mërkurën për shkarkimin e Trumpit, të dytën herë.
Senati ende nuk e ka caktuar fillimin e gjykimit, që do ta përcaktonte fajësinë apo pafajësinë e presidentit në largim.
McConnell kishte thënë javën e shkuar se do t’i dëgjonte argumentet e paraqitura gjatë gjykimit në Senat, para se të vendoste se si të votonte rreth akuzës së shkarkimit për nxitje të kryengritjes me rastin e ngjarjeve në Capitol.
Lideri demokrat i Senatit, Chuck Schumer, i cili pritet të caktohet lider i shumicës në Senat gjatë ditëve në vijim, ka thënë në një fjalim para kësaj dhome se Trumpi “përbën kërcënim për rendin kushtetuese, qoftë sa është në detyrë apo pas saj”.
Mandati i Trumpit si president përfundon të mërkurën, kur postin do ta marrë zyrtarisht presidenti i zgjedhur, Joe Biden.
Në rast se Trumpi dënohet, Senati do të votojë pastaj për t’ia ndaluar mundësinë e kandidimit për president në të ardhmen.