Botë

Raporti Durham zbulon se hetimi i FBI-së për lidhjet e Trumpit me Rusinë kishte të meta

Raporti i shumëpritur Durham ka kritikuar mënyrën se si FBI-ja menaxhoi hetimin e vetë për lidhjen e Rusisë me fushatën e Donald Trumpit për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, raporton BBC.

Në raportin 300-faqësh, këshilltari special John Durham tha se hetimit të FBI-së i mungonte “rreptësia analitike”.

Trumpi ishte zotuar se raporti i Durhamit do ta zbulonte “krimin e shekullit”.

FBI-ja ka thënë se ka adresuar çështjet që janë cekur në raport.

Në raport, Durhan – që ishte emëruar në vitin 2019 nga prokurori i përgjithshëm i asaj kohe William Barr – akuzoi FBI-në se veproi “në mënyrë të pa analizuar, e të pavërtetuar” kur nisi hetimin.

Në deklaratë, FBI-ja ka thënë se ka “zbatuar dhjetëra veprime korrigjuese”.

“Po të ishin zbatuar reformat në vitin 2016, këto gabime të identifikuara në raport do të ishin parandaluar”, tha FBI.

Hetimi për lidhjet e dyshuara mes fushatës së Trupit dhe Rurisë, ishin kryer nga prokurori i posaçëm Robert Mueller, ndërsa çoi në dhjetëra akuza penale kundër ish-stafit të Trumpit, dhe konkludoi se Rusia kishte tentuar të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016.

Megjithatë, nuk zbuloi se fushata e Trumpit dhe Rusia komplotuan bashkërisht për të ndikuar në zgjedhje.

Në platformën e tij të rrjeteve sociale “Truth Social”, ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se raporti tregon se “publiku amerikan u mashtrua”.

Hetimi katërvjeçar i Durhamit ka rezultuar në tri ndjekje penale, përfshirë edhe një avokat të FBI-së i cili pranoi fajësinë për ndërrimin e provave ndërsa po kërkonte leje për të përgjuar një ish-zyrtar të fushatës së Trumpit.
Dy persona tjerë u liruan nga akuzat se kishin gënjyer FBI-në.