“Presidenti Michel ka shprehur pikëpamjen se marrëdhëniet BE-Rusi janë në pikë të ulët, dhe konfirmoi qasjen e pesë parimeve prijëse të BE-së, bazuar në vlerat themelore të BE-së”, thuhet në deklaratën e shkruar të presidentit të Këshillit Evropian. Disa orë më parë, Moska njoftoi se Shtëpia e Bardhë refuzoi kërkesën e Putinit për bisedimet virtuale me Bidenin, disa ditë pasi presidenti amerikan iu referua si “vrasës” homologut rus
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, në të cilën ka pranuar se marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Rusisë janë në pikë të ulët, kanë raportuar mediat ndërkombëtare duke iu referuar një deklarate të shkruar.
“Presidentët kanë diskutuar marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Rusisë”, thuhet në deklaratën e shkruar të presidentit të Këshillit Evropian, raportojnë agjencitë Reuters dhe Itar TASS. “Presidenti Michel ka shprehur pikëpamjen se marrëdhëniet BE-Rusi janë në pikë të ulët, dhe konfirmoi qasjen e BE-së të pesë parimeve prijëse, bazuar në vlerat themelore të BE-së”. Përplasjet e Rusisë me Perëndimin janë përshkallëzuar ditëve të fundit.
Gjatë ditës së hënë, Rusia ka njoftuar gjithashtu se Moska e ka vlerësuar si mundësi të humbur refuzimin e Shteteve të Bashkuara për të organizuar bisedime virtuale ndërmjet presidentit Putin dhe homologut Joe Biden, disa ditë pasi që shefi i Shtëpisë së Bardhë e cilësoi si vrasës shefin e Kremlinit. Putini ka thënë javën e kaluar se ai dhe Bideni duhet të bisedojnë ditëve të ardhshme pasi marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy shteteve ranë në pikën më të ulët pas Luftës së Ftohtë pas komenteve të Bidenit në një intervistë në “ABC News”.
Ministria e Jashtme ruse ka shprehur keqardhje pse pala amerikane nuk i është përgjigjur pozitivisht propozimit të Putinit për bisedimet me Bidenin lidhur me stabilitetin strategjik atomik. Moska ka kthyer në vendlindjen e tij ambasadorin e saj në Washington për diskutime për adresimin e acarimeve të raporteve ndërmjet dy vendeve. Mediat ruse kanë raportuar të hënën se kanë parë diplomatin duke dalë nga ndërtesa e Ministrisë së Jashtme ruse. Ai ka refuzuar që të komentojë deklaratën e presidentit amerikan.
Michel, i cili drejton samitet e Bashkimit Evropian, ka folur me Putinin para një videokonference të liderëve të BE-së të enjten dhe të premten, ku pritet të diskutohen marrëdhëniet ndërmjet bllokut evropian dhe shtetit rus. Këto zhvillime kanë ndodhur pasi Bashkimi Evropian u vuri sanksione disa zyrtarëve rusë të dyshuar për përfshirje në shkeljen e të drejtave të njeriut në Çeçeni.
“Nga perspektiva e BE-së, raportet me Rusinë mund të marrin drejtim ndryshe vetëm nëse do të shënohet përparim i qëndrueshëm në çështje si zbatimin e marrëveshjeve të Minskut, ndalja e sulmeve hibride dhe kibernetike ndaj shteteve anëtare dhe respektimi i të drejtave të njeriut”, bëhet e ditur në njoftimin e zyrës së presidentit të Këshillit Evropian.
“Aktualisht ka mospajtim në shumë fusha”, thuhet gjithashtu në njoftim.
Në mesin e mospajtimeve përfshihet edhe ajo për situatën në Ukrainë, gjendjen e të drejtave të njeriut dhe përpjekjen për vrasjen dhe arrestimi i kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny.
Duke informuar për bisedën telefonike me presidentin e Këshillit Evropian, shërbimi për media i Kremlinit ka bërë të ditur se lideri rus ka theksuar “gjendjen e pakënaqshme në marrëdhëniet Rusi-BE, për shkak politikës jokonstruktive, nganjëherë edhe konfrontuese të partnerëve”.
Megjithatë, Kremlini ka bërë të ditur se Putini ka shprehur gatishmërinë për të rifilluar “dialogun normal dhe jopolitik” me Bashkimin Evropian.