Botë

Rajoni i Kievit goditet nga dronët kamikazë iranianë

Sulmet ne Kiev

Rajoni i kryeqendrës së Ukrainës, Kiev, është goditur nga dronë iranianë kamikazë në mëngjesin e të enjtes, raporton agjencia AP.

Forcat e shpëtimit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa banorët e Kievit janë zgjuar nga sirenat në mëngjesin e katërt rresht, që kur Rusia sulmoi me raketa Kievin të hënën.

Guvernatori rajonal i Kievit, Oleksiy Kulebva, ka thënë se sulmi ka ndodhur në një zonë rreth kryeqendrës.

Nuk është bërë e qartë nëse ka viktima.

Zëvendës-shefi i Zyrës së Presidentit, Kyrylo Tymoshenko, ka shkruar në Telegram se infrastruktura kritike është goditur në atë zonë, ndërsa nuk ka ofruar detaje.

Në qytetin jugor Mykolaiv, bombardimet gjatë natës së mërkurës kanë shkatërruar një ndërtesë pesëkatëshe, ndërsa luftimet po vazhdojnë në frontin jugor të Ukrainës.

Kryetari i Mykolaivit, Oleksandr Sienkovych, ka thënë se dy katet e epërme të banesës janë shkatërruar tërësisht në një sulm me raketa.

Nuk është bërë e ditur nëse ka viktima.

Sulmet në orët e hershme të mëngjesit në jug të Ukrainës janë bërë të zakonshme.

Por, sulmet në Kiev ishin të rralla në kohët e fundit, para se Rusia ta godiste së paku me katër raketa gjatë sulmeve masive të hënën, ku vdiqën 19 persona e u lënduan më tepër se 100 tjerë.