Gjersa dimri dhe ftohtësia e tij kanë kapluar Comachuenin dhe burrat janë kthyer këtu meqë punët bujqësore në SHBA kanë mbaruar tani. Shumë punëtorë nga Comachuen marrin viza të përkohshme pune në SHBA, ndërsa të tjerët shkojnë pa dokumente. Qindra burra punojnë në të njëjtën fermë perimesh në veri të New Yorkut, duke mbjellë qepë, kunguj, lakër dhe fasule
Në Comachuen, një komunitet indigjen purepechan me rreth 10.000 banorë, shtrirë lart në malet me pisha të shtetit perëndimor të Michoacanës, i gjithë qyteti mbijeton prej remitencave nga emigrantët që punojnë në Shtetet e Bashkuara.
Ato para, të njohura si remitenca, sigurojnë ushqimin pasi shitjet lokale të përpunimit të drurit kanë rënë një dekadë më parë. Me anë të këtyre parave, këtyre familjeve iu mundësohet qëndrimi në Comachuen dhe kështu kanë nevojë të kërkojnë punë gjetiu. Kjo ka bërë që të ruhet gjuha purepecha në pothuajse gjithë qytetin, pasi që edhe fëmijët aty kalojnë pjesën më të madhe të kohës me nënat dhe gjyshërit e tyre.
Puna në tekstil, përpunimi i drurit dhe ndërtimet vazhdojnë ende, kryesisht për shkak se financohen nga emigrantët. Shumë gjëra këtu, si kisha, unaza e demave, donacionet e bamirësisë paguhen nga emigrantët.
Infuzioni prej 50 miliardë dollarësh
Qeveria meksikane beson se remitencat e vitit të kaluar kanë kaluar 50 miliardë dollarë për herë të parë. Porse a shërbejnë remitencat vetëm për të mbijetuar apo për të përparuar mjaftueshëm sa fëmijët të mos kenë nevojë të emigrojnë në të ardhmen, varet sipas këndvështrimeve të ndryshme.
Edhe
Mashtrimet për ëndrrën amerikane
Gjersa, dimri dhe ftohtësia e tij kanë kapluar Comachuenan dhe burrat janë kthyer këtu meqë punët bujqësore në SHBA kanë mbaruar tani.
Shumë punëtorë nga Comachuen marrin viza të përkohshme pune në SHBA, ndërsa të tjerët shkojnë pa dokumente. Qindra burra punojnë në të njëjtën fermë perimesh në veri të New Yorkut, duke mbjellë qepë, kunguj, lakër dhe fasule.
Porfirio Gabriel, organizator që rekruton punëtorë për të shkuar në veri, thotë se vetëm një fermë ka sjellë 5 milionë dollarë në qytet gjatë tre vjetëve dhe ky është burimi i vetëm më i madh i të ardhurave.
Banorët përshëndetin njëri-tjetrin gjatë kalimit në rrugët e ngushta. Në njërin skaj të qytetit, tri turma drejtojnë ca qe për të tërhequr trungje pishe të sapo prera mbi karroca të ngushta. Këto trungje të pemëve vendosen në rrugë përpara shtëpive të atyre që i blejnë dhe më pastaj sharrohen në punishte.
Dimri kthen gjallërinë
Zhurmat e punishtes përzihen me britmat e burrave, të cilët zhvendosin tulla dhe karroca me rërë dhe zhavorr në shtëpitë gjysmë të ndërtuara. Pra, në njëfarë mënyre, Comachueni bëhet i gjallë gjatë stinës së dimrit.
Tranquilino Gabriel merret me përpunimin e drurit dekorativ. 59-vjeçari e bën këtë vetëm në kohën kur nuk është duke punuar në SHBA. Kështu e mban gjallë biznesin e tij familjar prej pesë dekadash. Mirëpo, ai thotë se druri është duke u pakësuar dhe nuk dihet edhe sa do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë.
“Shumë njerëz po e përdorin tokën për të mbjellë avokado”, tha Gabrieli.
Gabrieli do të punojë në SHBA për aq kohë sa mundet. Ai dërgon rreth 7.000 dollarë në shtëpi çdo vit. Ato para përdoren kryesisht për të financuar arsimimin e fëmijëve të tij, pra, ai paguan tarifat e kolegjit privat në mënyrë që djali i tij i madh të bëhet infermier i diplomuar.
Shpresa e tij është që fëmijët e tij të marrin diploma universitare dhe të mos kenë nevojë të emigrojnë. “Unë po paguaj për studimet e tyre, në mënyrë që ata të mos kenë nevojë të bëjnë atë që duhej të bënim ne”, thotë Gabrieli.
Përveç parmakëve të drurit të cilët dërgoheshin në qytete të tjera për t'u shitur, shitje ka edhe në mes të emigrantëve.
Të rinjtë me plane ambicioze
Jose Gonzalez, 55 vjeç, punon në një dyqan të cilin e furnizoi dhe zgjeroi me paratë që ka fituar gjatë një dekade duke punuar në Shtetet e Bashkuara.
Gonzales, me një pamje të ashpër dhe i zhytur në mendime, thotë se merrej me punime druri. “Mirëpo, nuk mjaftonte për të përmbushur nevojat tona themelore”. Pasi punoi për pak kohë në arat e Meksikës, iu desh të emigronte. Tani dyqani i tij i pajisur mirë, shet mallra të konservuara dhe ushqime për familjet e emigrantëve.
Omar Gabrieli, 28 vjeç, u shet rërë, zhavorr, çimento dhe armaturë emigrantëve që po ndërtojnë ose zgjerojnë shtëpitë e tyre në Comachuen me paratë që kanë fituar në SHBA. Ai është një prej emigrantëve më të rinj dhe ka studiuar kontabilitet në një universitet të afërm. Ai ka plane që nuk përfshijnë shkuarjen e vazhdueshme në veri për të punuar.
Familjet e ndara në kufi, tani përballen me përpjekjet për zhvatje
Paratë e tij nga puna në fermë në SHBA shkojnë për të zgjeruar firmën familjare “Don Beto Materials” dhe për të paguar arsimin universitar të vëllait të tij më të vogël si arkitekt. Familja e tij sapo bleu një buldozer të përdorur dhe një kamion.
“Qëllimi im është të punoj edhe për pesë vjet të tjerë në SHBA, për të mbledhur të ardhura të mjaftueshme për ta bërë kompaninë të ecë siç duhet, duke e bërë firmë ndërtimi me shërbime të plota me projekte të ndryshme, nga gërmimet tek ndërtimi i ndërtesave”, thotë ai.
Por edhe nëse Gabrieli nuk do të shkojë më në Amerikë, biznesi i tij ndoshta do të varet gjithmonë nga emigrantët dhe dollarët e tyre.
“Çelësi është gjenerata e ardhshme”
Çelësi është gjenerata e ardhshme: A do t'i mundësojë fluksi i remitancave të rinjtë e Comachuenit të ndërtojnë jetën në Meksikë dhe të mos shkojnë në SHBA për të punuar?
Andres Reyes Baltazar, 20 vjeç, studion për administrim biznesi në një universitet publik në kryeqytetin shtetëror, Morelia. Në pushimet e dimrit, ai ndihmon babanë e tij, Asencion Reyes Julian, 41 vjeç, në punishten e tyre të mobilieve.
Babai i tij ka shkuar në veri për punë që nga viti 2011, sepse, siç thotë ai, në tregtinë e mobileve “ndonjëherë ka klientë, ndonjëherë nuk ka”. Reyes Juliani shpenzon shumicën e parave nga ato që fiton në New York për të paguar arsimin e djalit të tij.
Andresi ka ëndrra për përdorimin e shkollimit të tij për të ndërtuar biznesin dhe të blejë një kamion për t’u futur në tregje më të gjera dhe ku ka çmime më të larta për mobilet e tyre. Por kur pyetet nëse edhe ai një ditë do të shkonte në veri për të punuar, Andres përgjigjet kështu: “Do të shkoj, ndoshta. Por së pari ta mbaroj shkollimin”.
Tronditje e madhe
Andrea Sanchez, 21 vjeçe, e flet anglishten në mënyrë të përsosur. Ajo emigroi ilegalisht në Kaliforni së bashku me familjen e saj, kur ishte fëmijë në vitin 2002 dhe mësoi në shkollat amerikane deri në klasën e gjashtë.
Kur familja e saj u kthye në Comachuen, ajo tha: “Ishte një tronditje e madhe... ishte vërtet ndryshe”. Tashmë, ajo është mësuar ta dojë vendlindjen e saj, edhe pse tani nuk i sheh më shtëpitë e mëdha dhe oborret e mirëmbajtura që ka parë në fëmijërinë e saj në SHBA. Megjithatë, ajo shprehet: "Kjo është shtëpia ime dhe kjo është kultura ime”.
Edhe pse studion këtu për t'u bërë mësuese dhe ndihmon nënën e saj me biznesin tradicional të tekstileve të qëndisura, ajo ende ëndërron të kthehet një ditë në SHBA.
“Nëse do të ishte e mundshme, do të shkoja”, tha ajo, duke shtuar: “Mirëpo, kësaj radhe, do të shkoja në mënyrë legale. Kjo do të ishte më e mira”.
Edhe
Nëpër xhunglën e vdekjes drejt Amerikës së shpresës
Përktheu: Leutrime Rekaliu