Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Qindra të plagosur në Barcelonë, Puigdemont para gjykatësit hetues

Qindra persona janë plagosur para ndërtesës së përfaqësisë së Qeverisë së Spanjës në Barcelonë, ku mijëra protestues u përpoqën ta kalonin kordonin e policisë duke protestuar kundër arrestimit të ish - kryetarit të Qeverisë së Katalonjës Carles Puigdemont, ka njoftuar shërbimi mjekësor katalonjas, transmeton Koha.net.

Nga Gjermania, ku të dielën është arrestuar Puigdemont, vjen konfirmimi se ish-kreu katalonjas sot duhet të dalë para gjykatësit hetues.

Ndihmën mjekësore e kanë kërkuar 98 persona, nga të cilët 22 policë e janë arrestuar gjashtë protestues pas protestave që u mbajtën në gjithë Katalonjën.

Në qytetin katalonjas Gironi, ku Puigdemont ka qenë prefekt nga viti 2011 deri në vitin 2016, protestuesit hoqën flamurin spanjoll nga përfaqësia qeveritare në të cilën shkruan: “Lufta vazhdon”.

Në Gironi, në qendrën e kërkesave për pavarësi, ndërtesa qeveritare u ngjyros me të verdhë, simbol i kërkesës për lirimin e zyrtarëve katalonjas nga burgu, përcjell al jazeera.

“Liri të burgosurve politikë”, shkruante në parullat që i bartnin protestuesit në Barcelonë.

Policët e blinduar, me mburoja dhe kërbaçë, krijuan korridorin para përfaqësisë së Bashkimit Europian.

Protestuesit hidhnin mbi ta vezë, kanaqe, kuti tymuese, ngjyrë të verdhë. Më të hidhëruarit shtynë edhe kontejnerë drejt saj.

Në të njëjtën kohë, në pjesën tjetër të qytetit, drejt konsullatës gjermane marshuan rreth 60 mijë veta me kërkesë që Puigdemont të mos ekstradohet në Spanjë.

Gjykata e Lartë në Schleswig-Holstein do të vendosë për ekstradim e tij në Spanjë.

Artikuj të ngjashëm