Shpejtësia e ulët e erërave dhe moti i mirë kanë ndihmuar që ekipet e zjarrfikësve t’i përdorin buldozerët dhe helikopterët për t’i shuar zjarret, që e kanë shkrumbuar jugun e Oregonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zjarri Bootleg është zgjeruar në 1 mijë e 616 kilometra katrorë. Autoritetet kanë thënë se erërat e lehta dhe niveli i lartë i lagështisë e kanë lehtësuar punën e zjarrfikësve në dy ditët e fundit.
Zjarri i Oregonit, që nisi nga vetëtimat, ka djegur një pjesë të konsiderueshme të tokës dhe ishte zgjeruar deri në 6 kilometra çdo ditë. Zjarrin në dy javët e fundit kanë tentuar ta shuajnë më shumë se 2 mijë e 200 njerëz.
Autoritetet në Oregon kanë bërë të ditur se së paku nëntë persona që kanë punuar me zjarrfikësit janë testuar pozitivë për koronavirus. Njerëzit e infektuar janë karantinuar larg kampit bazë të zjarrfikësve.
Së paku 2 mijë shtëpi janë evakuuar si pasojë e zjarreve, ndërkaq të kërcënuara janë 5 mijë shtëpi. Moti i thatë dhe valët e të nxehtit, sipas ekspertëve, janë shkaktuar nga ndryshimet klimatike. Ata kanë tërhequr vërejtjen se zjarret do të jenë edhe më vështirë të luftohen gjatë viteve të ardhshme. Sipas vlerësimeve të tyre, Perëndimi amerikan është më i nxehtë sesa në 30 vjetët e fundit.