Në periferi të qytetit rumun Cluj-Napoca shtrihet Hoia-Baciu - pylli që është quajtur “më i frikshmi në botë” dhe që prej dekadash magjeps aventurierë, kërkues të fenomeneve paranormale dhe turistë kureshtarë nga e gjithë bota. I njohur si “Trekëndëshi i Bermudës i Transilvanisë”, për pyllin ka shumë legjenda për zhdukje misterioze, drita të pashpjegueshme dhe pemë të shtrembëruara në forma të çuditshme. Për shumëkënd, Hoia-Baciu është një vend ku kufiri mes realitetit dhe imagjinatës pothuajse zhduket. Por ndërsa fama e tij rritet, ky thesar i rrallë natyror e folklorik përballet me një kërcënim – zhvillimin e vrullshëm urban që po e rrethon çdo ditë e më shumë
“E quajnë këtë vend ‘Trekëndëshi i Bermudës së Transilvanisë’”, thotë udhërrëfyesi Marius Lazin, fryma e të cilit shpërndahet në ajrin e ftohtë të mbrëmjes duke krijuar re të vogla të bardha, si fantazma. “Ka pasur aq shumë njerëz që janë zhdukur këtu, disa thonë se është një portë drejt një dimensioni tjetër”.
Marius po udhëheq gazetarin e BBC-së në një shëtitje nate përmes asaj që shpesh përshkruhet si pylli më i frikshëm në botë: Hoia-Baciu - një kilometër katror pyll i vjetër, me pemë vendase, në periferi të qytetit rumun Cluj-Napoca. Marius ka ardhur këtu tri net në javë për 12 vjet me radhë, por edhe pse është i njohur me pyllin, duket paksa i tensionuar ndërsa lëviz dritën elektrike si një reflektor kundër “murit” të ngatërruar të lisave e blinjve që i rrethojnë nga të gjitha anët.
Marius tregon me dritë disa blinj të hollë e të frikshëm me simetrinë e tyre, me degët e ndërlidhura që formojnë porta në formë harku apo “stargate”, mund të mendoje, po të kishe një imagjinatë të zjarrtë. “Shumë kanë hyrë këtu dhe s’janë kthyer kurrë. Por mos u shqetësoni”, shton ai, duke iu drejtuar gazetarit të BBC-së me një buzëqeshje. “Turistët tanë gjithmonë kthehen”.
Raportet për ngjarje të çuditshme këtu datojnë prej shekujsh - pylli mban emrin e një bariu vendas që, sipas legjendës, është zhdukur shumë kohë më parë bashkë me 200 delet e tij. Por Hoia-Baciu mori vëmendje ndërkombëtare në vitin 1968, kur një teknik ushtarak, Emil Barnea, fotografoi atë që përshkroi si një UFO që qëndronte pezull mbi një hapësirë rrethore në qendër të pyllit. Që nga ajo kohë, Hoia-Baciu ka tërhequr joga-mësues, studiues të UFO-ve dhe hetues të fenomeneve paranormale nga e gjithë bota, të etur për të përjetuar energjitë misterioze që thuhet se qarkullojnë në këtë pyll.
Kërcënimi nga ndërtimet moderne
Megjithëse është një nga vendet më të njohura për adhuruesit e paranormales, pylli është nën kërcënim. Periferitë perëndimore të Cluj-Napocas - një qendër moderne teknologjie me mbi 400.000 banorë, e përshkruar si “Silicon Valley” e Evropës Lindore – po zgjerohen, dhe ndërtuesit po kërkojnë leje për të pastruar pyllin e për të ndërtuar pallate banimi. Përveç disa hektarëve ku rriten lisa mesdhetarë të rrallë, pylli nuk ka mbrojtje zyrtare. Por Marius shpreson që kompania që ai ka themeluar – “Projekti Hoia-Baciu” – do të ndihmojë për ta ndryshuar këtë situatë, duke i bindur autoritetet ta njohin vlerën e pyllit si atraksion turistik. Kompania ofron shëtitje dite e nate në pyll, seanca joge, ligjërata për paranormalen, lojëra kërkimi thesari dhe madje edhe kampe nate për më guximtarët.
Ndërsa gjethet dhe degëzat kërcasin nën këmbët e tyre, Marius rrëfen disa prej legjendave dhe ngjarjeve misterioze që thuhet se kanë ndodhur këtu. Një histori e famshme flet për një vajzë pesëvjeçare që u zhduk gjatë një pikniku familjar, për t’u shfaqur sërish pas pesë vjetësh, pa kujtesë për çfarë i kishte ndodhur, pa qenë plakur fare dhe me rrobat ende të pastra.
Raste më të zakonshme tregojnë për telefona e kamera që ndalojnë së punuari sapo hyn në pyll, ndërsa njerëzit përjetojnë ndjesi që variojnë nga frika e thellë deri tek ekstaza. Disa raportojnë skuqje të çuditshme në lëkurë, zëra të panjohur që pëshpëritin përmes pemëve ose ndjesinë se po i kapin apo shtyjnë duar të padukshme, edhe kur janë të sigurt se janë vetëm.
Marius nxjerr një iPad nga çanta dhe i tregon gazetarit të BBC-së imazhet e UFO-ve që e bënë Hoia-Baciu të famshëm në vitet ‘60. Të turbullta dhe bardhë e zi, fotografitë tregojnë një objekt që qëndron pezull mbi pyll. Ai kalon më tej në dhjetëra fotografi të tjera të viteve para e pas atyre, që tregojnë objekte të ngjashme - disqe fluturuese, drita të ndritshme ose figura si hije.
Fotografi enigmatike të tilla kanë qenë pjesë e studimeve paranormale për më shumë se një shekull - jo shumë të vlefshme si prova, por vlen të theksohet se Barnea nuk përfitoi asgjë nga publikimi i tyre; përkundrazi, ai humbi punën në ushtri, pasi regjimi komunist nuk i shihte me sy të mirë çështjet me “kuptime mbinatyrore”. “Shumë nga studiuesit e vjetër që hetuan pyllin përfunduan në spitale psikiatrike”, thotë Marius. “A i futi regjimi komunist aty, apo vërtet ndodhi diçka me ta këtu në pyll?”
Edhe pse shumë nga këto histori mund të jenë të pavërtetueshme, para syve të gazetarit të BBC-së ka gjëra që janë pa dyshim të çuditshme. Përreth shihen pemë me trungje të përthyera e të përdredhura në forma fantastike. Disa përkulen si qirinj të shkrirë, ose janë përdredhur në forma spiralesh të pazakonshme. Janë dhënë shumë shpjegime për këto shtrembërime - disa thonë se fidanët janë përkulur nga erërat e forta, të tjerë se rrezatimi natyror i lartë në tokë mund të ketë ndikuar në rritjen e tyre të shtrembër. Por hetimet shkencore nuk kanë gjetur asnjë provë të kënaqshme për asnjërën nga këto teori.
“Kalaja e Drakulës”
Udhëtimet e Mariusit u japin vizitorëve mundësinë të bëhen pjesë e një “eksperimenti” të vogël shkencor. Ndërsa afrohen te hapësira e pastruar midis pemëve, ku Emil Barnea kishte bërë fotografitë e famshme të UFO-ve, ai i jep gazetarit të BBC-së një matës EMF – një pajisje e përdorur nga gjuetarët e fantazmave për të matur fushat elektromagnetike. “Po hyjmë në pjesën më aktive të pyllit”, thotë ai. “Shiko çfarë mund të gjesh”.
Papritur, s’ka më pemë dhe përpara shfaqet një rreth i përsosur. E vetmja bimësi është bari i shkurtër nën këmbë; duket qartë se nuk është kositur, gjë që tregon se kjo hapësirë e çuditshme është natyrore, jo vepër njerëzish.
Gazetari i BBC-së tund matësin EMF përreth, si një kërkues thesari, dhe për një moment emocionohet kur gjilpëra fillon të lëvizë me shpejtësi – derisa telefoni i dridhet në xhep, duke treguar se “anomalia elektromagnetike” ishte thjesht një mesazh hyrës.
Edhe pse kalon disa orë në pyll dhe mbetet i habitur nga pemët e shtrembëruara dhe nga rrethi misterioz, gazetari nuk sheh asgjë që do ta quante me të vërtetë mbinatyrore. Ndoshta ky pyll është një lloj kanavace bosh, mbi të cilën njerëzit projektojnë frikët dhe dëshirat e tyre.
Transilvania, në përgjithësi, është një vend që ndez imagjinatën – një tokë ku kufiri mes faktit dhe legjendës është i turbullt. Në zonat rurale të Rumanisë ende ekziston besimi te strigoi – krijesa të ringjallura që marrin forma të ndryshme dhe pinë gjakun e të gjallëve, duke ngjallur tmerr në komunitetet lokale.
Kont Drakula, vampiri i famshëm i krijuar nga Bram Stoker, është përjetësisht i lidhur me Transilvaninë. Kalaja e Branit - një monument sakson i ngritur mbi një shkëmb në malet Karpate, rreth katër orë në jug të Hoia-Baciu – promovohet me krenari si “Kalaja e Drakulës”. Megjithëse i ngjan pak fare përshkrimit të errët të romanit dhe nuk ka prova se Stoker është frymëzuar prej saj, ajo mbetet një atraksion madhor për adhuruesit e gotikes dhe misterit - sidomos gjatë Halloweenit, kur organizohen festa me maska brenda kështjellës.
Por edhe vetë Transilvania e mbuluar me mite – emri i së cilës fjalë për fjalë do të thotë “vendi përtej pyllit”- duket e qëndrueshme dhe e parashikueshme krahasuar me këto pyje të frikshme, të cilat, për arsye që mund të jenë radioaktive, atmosferike apo thjesht folklorike, duken si një qendër e fuqisë imagjinare njerëzore. “Në Hoia-Baciu”, thotë Marius, “vija që ndan realitetin nga imagjinata është shumë e hollë”.