Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë sërish thirrje për bisedime “të menjëhershme” me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për garancitë e sigurisë teksa tensionet po vazhdojnë të rriten lidhur me çështjen e Ukrainës.
Këtë kërkesë Putini e bëri gjatë bisedave telefonike që zhvilloi më 14 dhjetor me homologët e tij nga Finlanda dhe Franca, njoftoi Kremlini.
Në javët e fundit, Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë e kanë akuzuar Rusinë për grumbullimin masiv të ushtrisë pranë kufirit me Ukrainën dhe për mundësinë që Moska në muajin e ardhshëm ta pushtojë Ukrainën.
Zyrtarët rusë mohojnë se Moska po përgatit ndonjë ofensivë dhe akuzojnë Ukrainën për provokim. Rusia këmbëngulë se ka të drejtë të vendosë forcat e saj kudo që dëshiron brenda shtetit.
Gjatë bisedës me presidentin finlandez, Sauli Niinisto, Putini “ripërsëriti nevojën urgjente për nisjen e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, në mënyrë që të krijohen garanci ligjore për sigurinë e shtetit tonë”, njoftoi Kremlini përmes një deklarate.
Edhe
Putini akuzon Perëndimin se po përgatitet haptas për luftë me Rusinë
Dy liderët, sipas Kremlinit, kanë biseduar po ashtu për krizën në Ukrainë.
Ndërkaq, në bisedën telefonike me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, Putini po ashtu ka shprehur qëndrimin se dëshiron bisedime të menjëhershme me shtetet perëndimore, në mënyrë që të parandalohet zgjerimi i NATO-s në lindje.
“Presidenti rus ka theksuar rëndësinë e nisjes së menjëhershme të negociatave ndërkombëtare që do të mundësonin krijimin e garancive ligjore, që do të parandalonin çdo zgjerim të mëtejmë të NATO-s në lindje dhe do të dërgimit të armëve në shtetet fqinje – veçanërisht në Ukrainë – që kërcënojnë Rusinë”, tha Kremlini.
Kërkesa të ngjashme Putini ka bërë edhe gjatë takimit vitual me presidentin amerikan, Joe Biden që u zhvillua javën e kaluar, por edhe gjatë bisedës telefonike që zhvilloi më 13 dhjetor me kryeministrin britanik, Boris Johnson.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan më 13 dhjetor në Bruksel me qëllim që të koordinojnë sanksionet si kundërpërgjigje ndaj Moskës, nëse kjo e fundit pushton Ukrainën.
Edhe
Putini mund të kushtëzojë fundin e luftës në Ukrainë me ndaljen e zgjerimit të NATO-s
Deri më tani, BE-ja ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Kriemesë më 2014 dhe për mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës.
Finlanda ndaj një kufi prej 1,340 kilometrash me Rusinë. Por, ky shtet nuk është anëtar i NATO-s, megjithëse viteve të fundit ka thelluar bashkëpunimin e mbrojtjes dhe atë ushtarak me SHBA-në, Suedinë dhe Norvegjinë. /REL