Në kohën kur ka bërë rrafsh me tokë pothuajse të gjitha qytetet ukrainase, presidenti rus, Vladimir Putin, ka organizuar koncert dhe fushatë patriotike në Moskë.
Në këtë koncert ka lavdëruar pushtimin e Ukrainës. Ani pse tubimi me mijëra përkrahës është organizuar në 8-vjetorin e aneksimit të Krimesë, pothuajse i gjithë fjalimi i tij ka qenë për Ukrainën.
Ka thënë se unitet të tillë në Rusi nuk ka pasur për një kohë shumë të gjatë.
“Arsyeja kryesore e këtij operacioni ishte që t’u japim fund vuajtjes së njerëzve dhe gjenocidit në Donbas. Kemi nisur operacionin ushtarak në Donbas dhe Ukrainë”, tha Putin.
Kjo ishte një paraqitje e rrallë e Putinit para një turme kaq të madhe njerëzish në stadiumin “Luzhniki” në Moskë.
Koncertin dhe fushatën e Putinit e ka përcjellë vetëm televizioni kombëtar që vazhdimisht ka paraqitur pamje të rusëve që këndonin këngë patriotike së bashku me yjet e ftuar.
Mediat e pavarura janë mbyllur shkaku i presionit të madh të regjimit të Putinit pasi treguan të vërtetën rreth pushtimit të Ukrainës.
Së fundmi një gazetare ruse është gjobitur nga gjykata për shkak se në edicionin qendror të lajmeve, në televizionin shtetëror që kontrollohet tërësisht nga Putini, ka paraqitur një mesazh kundër pushtimit të Ukrainës.