“Këto sulme vetëm sa e përforcojnë më tej angazhimin tonë për të qëndruar me popullin e Ukrainës për aq kohë sa duhet”, shkroi presidenti amerikan, Joe Biden. “Krahas aleatëve dhe partnerëve tanë, ne do të vazhdojmë t'i imponojmë Rusisë kosto për agresionin e saj, do të mbajmë Putinin dhe Rusinë përgjegjëse për mizoritë dhe krimet e saj të luftës dhe do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për forcat ukrainase për të mbrojtur vendin dhe lirinë e tyre”
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se sulmet ruse me raketa që goditën Kievin dhe qytetet e tjera në Ukrainë të hënën "treguan edhe një herë brutalitetin e plotë të luftës së paligjshme të Putinit ndaj popullit ukrainas".
Sulmet e fundit në të gjitha qytetet ukrainase kanë lënë paku 11 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur pas valës së sulmeve hakmarrëse ruse pas shpërthimit të fundjavës në urën e vetme që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar më 2014.
“Këto sulme vetëm sa e përforcojnë më tej angazhimin tonë për të qëndruar me popullin e Ukrainës për aq kohë sa duhet”, shkroi Biden në një deklaratë të hënën. “Krahas aleatëve dhe partnerëve tanë, ne do të vazhdojmë t'i imponojmë Rusisë kosto për agresionin e saj, do të mbajmë Putinin dhe Rusinë përgjegjëse për mizoritë dhe krimet e saj të luftës dhe do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për forcat ukrainase për të mbrojtur vendin dhe lirinë e tyre”.
Hakmarrja, shenjë e disfatës
Edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, i tha televizionit CNN se BE-ja duhet të bëjë më shumë për ta ndihmuar Ukrainën pas përshkallëzimit të sulmeve të Rusisë, duke ofruar më shumë pajisje ushtarake.
Edhe
Bideni zotohet të forcojë mbrojtjen ajrore të Ukrainës
"Unë mendoj se të gjitha vendet mund dhe duhet të bëjnë më shumë”, tha Metsola. “Ajo që kemi parë sot tregon se Rusia do të vazhdojë të përshkallëzohet më tej… Si do të përgjigjemi? Nëse përgjigja jonë nuk është në proporcion me përshkallëzimin, atëherë ne do të vazhdojmë ta shohim atë duke vrarë më shumë njerëz”.
Putini është i paaftë ta pranojë humbjen në Ukrainë, tha presidenti finlandez, Sauli Niinistö, në një konferencë të përbashkët shtypi në Oslo me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Støre.
“Kam thënë se e kisha shumë të vështirë të shihja se presidenti Putin mund të pranonte çdo lloj humbjeje. A është ai i aftë për këtë? Kjo është pyetja. Dhe unë mendoj se ai nuk është në gjendje ta pranojë disfatën”, tha Niinistö.
Breshëria vdekjeprurëse kundër qyteteve të shumta shkatërroi objektiva civilë, duke lënë pa energji elektrike dhe ujë, duke shkatërruar ndërtesa dhe vrarë të paktën 11 njerëz.
Shërbimi i Urgjencës i Ukrainës tha se 64 persona u plagosën në sulmet e mëngjesit në orën e pikut që Rusia e nisi nga ajri, deti dhe toka kundër të paktën 14 rajoneve, që shtrihen nga Lviv në perëndim deri në Kharkiv në lindje. Shumë nga sulmet u kryen larg vijës së parë të luftës.
Megjithëse Rusia tha se raketat kishin në shënjestër objektet ushtarake dhe energjetike, disa goditën zonat civile, ndërsa njerëzit po shkonin në punë dhe shkollë. Njëri goditi një shesh lojërash në qendër të Kievit dhe një tjetër goditi një universitet.
Ukraina në terr
Sulmet zhytën pjesën më të madhe të vendit në terr, duke privuar qindra mijëra njerëz nga qasja në energji elektrike. Autoritetet ukrainase njoftuan se do të duhej të ndalonin eksportet e energjisë në Evropë duke filluar nga e marta. Ndërprerjet e energjisë gjithashtu shpesh i privojnë banorët nga uji, duke pasur parasysh mbështetjen e sistemit në energjinë elektrike për funksionimin e pompave dhe pajisjeve të tjera.
Andriy Yermak, këshilltar i lartë i presidentit Volodymyr Zelenskyy, tha se sulmet nuk kishin "kuptim praktik ushtarak" dhe se qëllimi i Rusisë ishte të shkaktonte një "katastrofë humanitare".
Presidenti Putin tha se forcat e tij përdorën "armë precize" për të shënjestruar infrastrukturën kryesore të energjisë dhe objektet e komandës ushtarake në hakmarrje për veprimet "terroriste" të Kievit - një referencë ndaj përpjekjeve të Ukrainës për t’i zmbrapsur forcat pushtuese të Moskës, duke përfshirë një sulm të shtunën në një urë kyç midis Rusisë dhe gadishullit të aneksuar të Krimesë që Putin e quajti "akt terrorist" të organizuar nga shërbimet speciale ukrainase.
Edhe
Bideni i premton Zelenskyt sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore
Putin u zotua për një përgjigje "të ashpër" dhe "proporcionale" nëse Ukraina kryen sulme të mëtejshme që kërcënojnë sigurinë e Rusisë. "Askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë”, i tha ai Këshillit të Sigurimit të Rusisë.
Presidenti rus ka qenë nën presion të madh të brendshëm për të ndërmarrë veprime më agresive për të ndaluar një kundërofensivë kryesisht të suksesshme ukrainase dhe për të reaguar me forcë ndaj sulmit të së shtunës në urën e Kerçit, ndërtimin e së cilës ai e përdori për të çimentuar aneksimin e Krimesë në vitin 2014.
Terror dhe brutal
Gazetarët e Associated Pressit panë trupa të shumtë në një zonë industriale në periferi të Dnipros. Katër persona u vranë dhe 19 u plagosën në qytet, thanë zyrtarët. Dëshmitarët thanë se një raketë ra para një autobusi gjatë orës së pikut të mëngjesit.
Mësuesja Natalia Nesterenko pa një raketë që fluturoi pranë ballkonit të apartamentit të saj në Dnipro teksa po punonte në kuzhinën e saj dhe më pas dëgjoi dy shpërthime.
“Është shumë e rrezikshme. I thirra menjëherë fëmijët e mi për të parë se si janë, sepse kushdo mund të goditet – gra, fëmijë”, tha ajo.
Kharkivi u godit tri herë, tha kryetari Ihor Terekhov. Sulmet ndërprenë furnizimin me energji elektrike dhe ujë. Infrastruktura energjetike u godit gjithashtu në Lviv, tha guvernatori rajonal Maksym Kozytskyi.
Tri raketa lundrimi të lëshuara kundër Ukrainës nga anijet ruse në Detin e Zi kaluan hapësirën ajrore të Moldavisë, tha ministri i punëve të Jashtme të vendit, Nicu Popescu.
“Rusia edhe një herë i ka treguar botës se çfarë përfaqëson. Është terror dhe brutalitet”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Edhe
Biden: Do ta mbështesim Ukrainën për aq gjatë sa të jetë e nevojshme
Disa druanin se sulmet e së hënës mund të jenë vetëm rrëmbimi i parë në një ofensivë të ripërtërirë ruse. Si masë paraprake, Ukraina i kaloi të gjitha shkollat në mësim online të paktën deri në fund të kësaj jave.
Në një veprim ogurzi, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, njoftoi të hënën se ai dhe Putin kanë rënë dakord për një "grupim rajonal të trupave". Ai nuk ofroi detaje.