Vladimir Putin do ta vizitojë Kirgistanin të enjten, njoftoi zyra presidenciale ruse, që do të ishte udhëtimi i parë publik i liderit rus jashtë vendit që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarrest për të.
Putini ka udhëtuar rrallë jashtë vendit që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në fillim të vitit 2022 dhe nuk u largua nga Rusia që kur GJNP-ja lëshoi urdhërarrestim për të në mars me dyshimin për dëbimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina. Kremlini i mohon akuzat.
“Me ftesë të presidentit të Republikës së Kirgistanit, Sadir Japarov, më 12 tetor të këtij viti, presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, do të bëjë vizitë zyrtare në vend”, thuhet në një deklaratë nga administrata e presidencës së Kirgistanit.
Në maj, gjatë bisedimeve me Japarovan, Putin ra dakord të vizitojë Kirgistanin.
Udhëheqësi rus ka planifikuar gjithashtu të udhëtojë në Kinë javën e ardhshme për të marrë pjesë në një forum. As Kirgistani dhe as Kina nuk janë anëtarë të GJNP-së, e cila u krijua për të ndjekur penalisht krimet e luftës.
Moska mohon akuzat e GJPN-së dhe Kremlini ka thënë se urdhri ishte provë e armiqësisë perëndimore ndaj Rusisë, duke nxitur procedime penale kundër prokurorit të GJNP-së dhe gjyqtarëve që lëshuan urdhërarrestin.